Diskursi denigrues politik për gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë

 

Shkruan: Emirjeta Vllahiu

Një varg akuzash e informacionesh gjysmake u shpërndanë së fundmi rreth mënyrës se si Kosova po e menaxhon pandeminë COVID 19.Debati largoj nga fokusi temën kryesore dështimin e funksionalizimit të sigurimit shëndetësore ndërsa politikanët shkëmbyen akuza se kush ku I shëron familjarët.

Nga pozita e pushtetit Vetëvendosje vazhdoj të kritikoj ish qeverisjen për gjendjen në shëndetësi duke i akuzuar se në disa raste shëruan familjarët dhe vehten në shtetet e rajonit me para publike.Akuza e parë erdhi nga deputetja Fitore Pacolli e cila e akuzoj ish kryeministrin Ramush Haradinajn se e shëroj nënën e tij në një spital në Shqipëri.

“Ne e patëm kundërshtu kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj e pat dërguar nanën e tij për shërim jashtë shtetit. Paramendoni një vend evropian nëse një kryeministër dërgon prindin e tij ose veten për shërim jashtë shtetit. E kemi edhe z.Isa Mustafa që ka shkuar për shërim jashtë shtetit. Dhe kjo është pyetje legjitime qysh guxon një kryeministër me dërgu anëtarin e familjes jashtë shtetit përderisa nuk investon në shtetin e vet sepse ne duhet të kemi sistem shëndetësor”, ishte shprehur Pacolli.

Por përpos deklarimeve nuk ka asnjë provë që shërimi nënës së Haradinajt u krye me fonde publike ndërsa deklaratës i mungonin të dhënat nëse sëmundja e z.Haradinaj mund të gjente kurë në Kosovë.Ramush Haradinaj e injoroi deklaratën ndërsa i vëllai deputeti Daut Haradinaj në një deklaratë për media tha se nuk e merrte për të keq deklaratën pasi nëna e Haradinajt është shëruar në shtetin amë Shqipëri.

  “Kur është fjala për nënat tona shqiptare, besoj që të gjithë jemi një” ka shkruar Haradinaj.

Kosova ka investime të mangëta në shëndetësi dhe fondet publike u përdorën në vazhdimësi për të dërguar jashtë shtetit pacientë përfshirë edhe politikanë.Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi ka përmendur rastet e shërimit të politikanëve Kosovar jashtë vendit, e me para të shtetit të Kosovës, por edhe raste të atyre që kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.

“Naim Maloku, ushtarë i UÇK dhe ish-deputet, kishte refuzuar paratë e Qeverisë për tu shëruar jashtë vendit. Ani pse Naimi është më së paku fajtorë për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës”, ka shkruar Demi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Vendimet e tjera

Një fushatë u nis edhe për liderin e LDK-së Isa Mustafa i cili u shëruar në një klinikë në Gjermani. Ai u akuzua se nuk u shërua në Kosovë, por në fakt sëmundja e tij e rrallë e paralizës nuk shërohet as në spitalet e rajonit.

“Logjikë fashiste! Edhe të sëmurët s’guxojnë të shërohen ku ata kanë nevojë, por aty ku diktojnë trurët e shpërlarë” ka shkruar Mustafa pas akuzave për shërimin e tij jashtë vendit.

Diskutimet në Kosovë për shërimin e politikanëve ndërlidhen edhe me pasuritë e tyre. Qeveria kishte ndarë 30 mijë euro për shërimin e ish zëvendëskryeministrit  Bujar Bukoshit ndërsa ky i fundit ka në llogarinë e tij të kursimeve .Praktika e ndarjes së parave për shërimin e politikanëve është ndjekur edhe nga Kuvendi i Kosovës.  Në vitin 2016 në kohën kur kuvendi drejtohej nga Kadri Veseli 18 mijë euro u ndanë për shërimin e deputetit të PDK-së  Xhavit Halitit ky i fundit ka të kursyera në konto 110 mijë euro dhe pasuri prej mbi 1 milion euro.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe gazetari kosovar nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu thotë për KALLXO.com, se ky diskurs publik po përdoret për ta denigruar tjetrin.

“Qëllimi primar kur ofendon, kur fyen publikisht është për ta denigruar tjetrin, kushdo qofshin ata persona. Ai është qëllim politik. Denigrimi në vetëvete është qëllim politik. Kjo ka të bëjë me kulturën tonë politike”, theksoi ai.

 

Spahiu ka shtuar se kjo thjesht është çështje kulture, e cila siç thotë ai, në Kosovë është në deficit.

“Fjalët nuk ndalen, s’ka të bëjë me pandemi ose pa pandemi. Nëse duhet me u fol diçka që është e hajrit duhet të flitet edhe në kohën e pandemisë,  nëse është diçka e keqe nuk duhet të flitet në kohën e pandemisë as të pa pandemisë”, u shpreh Spahiu për KALLXO.com.

Kosova ndanë mbi 50 milion euro nga buxheti i saj për investime dhe barëra në shëndetësi. Mjetet nuk mjaftojnë për të mbuluar nevojën për furnizim me barëra ndërsa ligji për sigurimet shëndetësore dhe pse është i miratuar nuk ëshë zbatuar asnjëherë në mungesë të rregulloreve shoqëruese.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy - NED).

Your email address will not be published.