Digjitalizimi sfidë për gjykatat e vogla

Фото: vsrm.mk

Digjitalizimi i gjyqësorit është sfidë e madhe, veçanërisht për gjykatat e vogla themelore në të gjithë vendin, sidomos ato që punojnë me pak gjyqtarë, të cilat shpesh janë pa ekip të IT-së dhe pa personel të nevojshëm. Pandemia Kovid-19 vetëm e ka përshpejtuar këtë proces në të gjithë botën dhe ka treguar se kjo është perspektivë nga e cila nuk ka shpëtim. Për të zbatuar digjitalizimin, nevojiten harmonizime të disa ligjeve, si Ligji për Procedurën Penale dhe Ligji për Procedurën Civile, pastaj pajisja teknike e gjykatave, por edhe lidhja dhe shkëmbimi i të dhënave midis institucioneve, siç është Kadastra, MPB, Prokuroria Publike, bankat.

 

Shkruan: Vesna Kollovska

 

Gjykata Themelore në Kavadar është gjykata e vetme në vend ku mbahen gjykimet online. Mund të thuhet se dita historike për Gjykatën Themelore në Kavadar, dhe për të gjithë gjyqësorin në Maqedoni, ishte 7 prilli 2020, kur për herë të parë u mbajt gjykim online ose nga distanca.

Në këtë gjykim i pandehuri P. C. (24) nga Negotina, nuk ishte fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit, por u inkuadrua nga Burgu i Idrizovës. Në sallë, të pajisur me kamera dhe pajisje tjera IT ishin gjyqtari Lazar Nanev dhe dy gjykatës tjerë, dhe procesi u krye përmes aplikacionit Microsoft Times. Prokurorja Elizabeta Misheva-Jordanova nga Prokuroria e Kavadarit dhe avokati Ivica Eftimov nga Velesi, gjithashtu u inkuadruan përmes internetit. Gjatë gjykimit, nga Negotina u kërkua të inkuadrojnë edhe një përfaqësues të kazinos së dëmtuar, ku i pandehuri kreu grabitje më 26 dhjetor 2019. I pandehuri në Burgun e Idrizovës dëgjoi vendimin – dënim me pesë vjet burg, pasi më parë kishte pranuar kryerjen e veprës “grabitje”. Gjykimi online u ndoq nga 120 persona, që paraqet publik të rëndësishëm, i cili nuk mund të mblidhet në asnjë sallë gjyqi në gjykatën e Kavadarit.

Gjyqtari Lazar Nanev, i cili është kryetar i Gjykatës Themelore në Kavadar, thotë se kohët e fundit për nevojat e Gjykatës Themelore në Gjevgjeli, pajisjet me të cilat është zhvilluar seancë hibride në këtë gjykatë janë transferuar përkohësisht. Në procedurë morën pjesë dëshmitarë – një çift i martuar nga Gjevgjelia, i cili jeton dhe punon në Francë, me çka u kërkua ndihmë nga Gjykata e Apelit në Paris, ndërsa ata u dëgjuan prej andej.

Nanev, i cili është pionier në gjykimet e digjitalizuara, thotë se kemi proces të gjatë dhe të shtrenjtë përpara, i cili do të varet jo aq shumë nga teknika, por nga vullneti dhe energjia e njerëzve. Pandemia Covid-19 vetëm e ka përshpejtuar këtë proces në të gjithë botën dhe ka treguar se kjo është perspektivë nga e cila nuk ka shpëtim.

Digjitalizimi kursen para dhe kohë. Të burgosurit dhe të paraburgosurit nuk duhet të shoqërohen dhe transportohen, por do të inkuadrohen nga dhoma e pajisur e burgut. Kursehet në dorëzim, i cili do të jetë tërësisht elektronik. Së fundmi, ka publik dhe transparencë të procedurës, sigurohen standardet e sigurisë në lidhje me Covid-19 dhe nuk ka justifikim për vonesat e pafundme të gjykimeve, me çka edhe vjetërsohen shumë lëndë, shpjegon gjyqtari Nanev.

DUHEN HARMONIZIME LIGJORE DHE PAJISJE TEKNIKE

Por, për të arritur këtë proces, nevojiten harmonizime të disa ligjeve, si Ligji për Procedurën Penale dhe Ligji për Procedurën Civile, i cili tashmë është në procedurën parlamentare.

Nga pikëpamja teknike, prokurimi publik për serverët në vlerë prej afër 1.5 milion euro është në fazën përfundimtare. Pajisja e 187 sallave gjyqësore në 34 gjykata në vend do të kushtojnë dhjetë herë më shumë, gjegjësisht rreth 15 milion euro. Nanev, i cili është pjesë e Këshillit për Digjitalizimin e Gjyqësorit, shpjegon se çdo sallë gjyqi do të jetë e pajisur me monitorë, 5-6 kamera, laptopë, si dhe kompjuter desktop me lidhje të mirë interneti. Në të njëjtën kohë, do të ketë dhomë ndihmëse të pajisur, e cila do të përdoret për dëshmitarët e mbrojtur. Të pandehurve duhet t’u sigurohet lidhje elektronike me avokatët e tyre, në mënyrë që ata të mund të komunikojnë në çdo kohë gjatë procedurës.

Përveç projektit të Kavadarit, projekti pilot përfshin edhe gjykatat themelore në Shtip, Strumicë dhe Gjykatën Themelore Penale dhe Civile të Shkupit.

Për shembull, në Shtip do të pajisen pesë salla gjyqi, dy prej të cilave me pajisje të siguruara nga OSBE-ja, ndërsa tre nga Ambasada Amerikane në Shkup, të cilat janë donatorë të pilot-projektit. Përveç kësaj, Gjykata e Apelit në Shtip do të ketë një sallë të pajisur.

Qëllimi ynë është të kemi gjyqësor më të efikas, më të mirë dhe më modern, që nënkupton digjitalizimin e procedurave në gjyqësor, vendosjen e komunikimit elektronik midis gjykatave, institucioneve të tjera gjyqësore, por edhe digjitalizimin e shërbimeve për qytetarët. Kohët e fundit qeveria miratoi një plan operacional që, në fakt, rrjedh nga aktivitetet e agjendës së Komisionit Evropian “Tranzicioni digjital i gjelbër”. Kjo do të thotë se është koha e duhur për të modernizuar gjyqësorin dhe se ne kemi bërë një hap me trendet moderne. Digjitalizimi i gjyqësorit është një nga hapat e rëndësishëm në reformat e sistemit, veçanërisht në rritjen e efikasitetit dhe transparencës, tha Bojan Mariciq, ministër i Drejtësisë, duke njoftuar për procesin e digjitalizimit në gjyqësor.

ËSHTË E NEVOJSHME LIDHJE NDËRMJET INSTITUCIONEVE

Por, për të ardhur te funksionimi praktik, vendimtare është ndërveprimi i njoftuar prej kohësh i institucioneve, që e udhëheq Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë (MSHIA).

Në Këshillin për Digjitalizimin e Gjyqësorit vlerësuan se 120 institucione duhet të jenë të lidhura ndërmjet vete, në mënyrë që të mos mungojnë dokumentet e nevojshme për të vazhduar procesi. Bëhet fjalë për institucione të tilla si Kadastra, MPB, Prokuroria Publike, bankat.

Regjistrimi elektronik i personave juridikë dhe individëve në sistemin e shpërndarjes elektronike është gjithashtu i rëndësishëm, ku deri më tani janë regjistruar rreth 420 përdorues. Përgatitet gjithashtu një aplikacion celular, që palët të jenë në gjendje të zbatojnë në internet të gjithë sistemin, që nga hyrja e lëndës deri në përfundimin e saj. Aplikimi do të përmbajë jo vetëm datat e seancave dhe të ngjashme, por edhe dëshmi elektronike, rrjedhën e lëndës, dokumente nga palët.

Ekspertët e huaj tashmë janë në Maqedoni dhe po punojnë me ekipin për digjitalizimin e gjyqësorit. Së pari, do të fillojë lëshimi elektronik i certifikatave nga dosjet penale, të cilat këto ditë, para afatit për regjistrimin e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale 2021, mbingarkuan me kërkesa gjykatat themelore në vend.

Javën e ardhshme, është planifikuar të zyrtarizohet ky sistem i lëshimit elektronik të certifikatave. Sidoqoftë, rrjedha e këtij procesi do të varet kryesisht nga resurset njerëzore. Procesi nuk është i komplikuar nëse njerëzit janë të përgatitur. Digjitalizimi i gjyqësorit do të thotë njëqind për qind transparencë, gjithçka mund të shihet – kush punon dhe kush nuk punon, do të shihet profesionalizmi dhe njohuritë e individëve. Kundërshtarët e procesit janë ata që nuk ju punoeht dhe ata që nuk duan të punojnë në mënyrë transparente. Por, nga ana tjetër, digjitalizimi do të thotë respekt për nenin 6 të Konventës për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit, çdo i pandehur ka të drejtën e gjykimit të drejtë, domethënë të gjithë kanë të drejtë për gjykim të drejtë dhe publik, brenda një afati të arsyeshëm, para një gjykate të vendosur me ligj të pavarur dhe të paanshëm, tha Nanev.

GJYKIMET NË KOHËN E PANDEMISË

Gjykatat e Maqedonisë në kushte të pandemisë kanë zbatuar për një kohë të gjatë Dekretin e Qeverisë së RMV-së për veprimet e gjykatave dhe prokurorëve publik në procedurat gjyqësore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe sigurimin dhe krijimin e komunikimit të dyanshëm pa praninë e përbashkët fizike të palëve dhe publikut. Janë gjykuar raste urgjente. Kjo, mbi të gjitha, kufizoi praninë e publikut në gjykimet në gjykatat themelore në të gjithë vendin.

Grupi “Bluprint” për reforma në gjyqësor në analizën “Implikimet ligjore në procedurat gjyqësore në gjendjen e jashtëzakonshme“, vëren se gjykimet online zgjidhin një problem të rëndësishëm gjatë procedurave, e ajo është çështja e transparencës dhe publikut.

Kufizimi i pranisë fizike të disa personave gjatë kohës së një gjykimi, ka vënë në pikëpyetje jo vetëm transparencën e punës së gjykatave, por edhe parimin e publikut në procedura, i cili është një nga standardet bazë ndërkombëtare për një gjykim të drejtë. Përkatësisht, gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme, vetëm një gjykatë në vend – Gjykata Themelore në Kavadar, iu qasë zgjidhjes inovatore për përdorimin e platformës për konferenca audio-video dhe mbajtjen e gjykimeve online, thuhet në analizë.

Ministri i Drejtësisë Mariçiq, njoftoi se deri në qershor 2022 duhet të përfundojë zbatimi i të gjithë procesit të digjitalizimit në gjyqësor, kur 34 gjykata në vend pritet të pajisen plotësisht, ndërsa gjyqtarët të trajnohen për gjykime pa prezencë fizike. Përfshirë pajisjen e një pjese të burgut më të madh në Idrizovë, që do të thotë kursim dhe shmangie të shtyrjes së pafund të procedurave gjyqësore.

Ngecja në proceset gjyqësore në kushtet e pandemisë, është vërejtur edhe në raportin e progresit të BE -së për Maqedoninë e Veriut për vitin 2020.

Pas pandemisë Kovid-19, Qeveria solli dekret për pezullimin e të gjitha afateve kohore për fillimin dhe vazhdimin e çështjeve penale, civile dhe jashtëgjyqësore, mosmarrëveshjet administrative, kundërvajtjet dhe mocionet për zbatimin ose sigurimin e kërkesave deri në përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Janë bërë përjashtime për rastet që janë afër arritjes së vjetërsisë … Ndër mësimet e nxjerra nga kriza, duket se është e nevojshme të vendosen masa për organizimin dhe punën e gjykatave, si dhe për komunikimin e gjyqësorit me publikun e gjerë gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme. Përveç kësaj, përparësi duhet t’i jepet lidhjeve të IT-së, duke përfshirë digjitalizimin e plotë të lëndëve dhe thirrjeve, duke ofruar trajnime për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave, thuhet në raport.

Digjitalizimi është sfidë e madhe veçanërisht për gjykatat e vogla themelore në të gjithë vendin, sidomos ato që punojnë me së paku tre gjyqtarë, shpesh janë pa ekip të IT-së dhe pa personel të nevojshëm.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.