Dibra me treg të ri pas dy vitesh vonesë
Projekt: Treg i ri i gjelbër, me vizion për këtë shekull, me parkim modern dhe të mjaftueshëm, përmes partneritetit publiko-privat, (2013-2015). Buxheti: 2.000.000 euro,
ARSYETIM :
Kryetari i Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, në programin e tij parazgjedhor “Bashkë Ndërtojmë” në pjesën “Infrastruktura moderne dhe mjedis i pastër” (faqe 122) premtoi “ Treg të ri të gjelbër” në qytetin e Dibrës. Ky premtim i Latës është realizuar me vonesë prej 2 vitesh.
Me 27.01.2017 mediumet u informuan që së shpejti pritet përurimi i tregut të ri:
Përfaqësuesit e pushtetit vendor të Dibrës theksojnë se bëhet fjalë për ndërtimin e një tregu modern të standardeve të larta. Tregu do të ketë pjesën e mbuluar, pjesën për shitjen e prodhimeve bujqësore si dhe pjesën për shitjen e bulmeteve. Po ashtu, do të ketë një pjesë me dyqane dhe një vend-parking të parametrave të nevojshme. Dibranët me padurim presin finalizimin e punimeve dhe përurimin e tregut, me çka definitivisht tejkalohet edhe problemi me tregun e qytetit, i cili i mungonte Dibrës. Duke marrë parasysh se pazari në Dibër bëhet ditëve të shtuna dhe atë ditë në qytet, përpos qytetarëve dibranë, tregtojnë edhe banorë të Zhupës dhe Rekës, por edhe banorë të viseve kufitare të Shqipërisë. Ky treg mundëson një komoditet për shitblerjen e prodhimeve dhe bulmeteve, edhe atë sipas standardeve evropiane.
Me 07.02.2017 Petrit Paçuku nga Sektori për urbanizëm në këtë komunë, tha se projekti i ndërtimit të tregut të ri është në përfundim e sipër dhe se me këtë projekt, Dibra do të ketë treg bashkëkohor, të mbuluar, sipas standardeve evropiane, me sipërfaqe prej 4500 metër katrorë. Sipas tij, tregu i ri do të ketë edhe hapësira afariste, pra dyqane, si edhe parkingje për vetura, kurse menaxhimin e tregut do ta bëjë ndërmarrja e cila do të zgjidhet sipas ligjeve.
Siç informuan mediumet, Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, ka deklaruar se tregu i përgjithshëm i Dibrës është drejt përfundimit dhe bëhet fjale për një projekt modern, i cili do të mundësojë plasmanin e të gjitha prodhimeve bujqësore dhe blerjen e tyre në kushtet adekuate, me çka do të tejkalohen problemet të deritashme.
Detaje rreth këtij projekti u dhanë edhe në hulumtimin e Prizëms, në vlerësimin për Komunën e Dibrës:
Është realizuar në tërësi ndërtimi i tregu të ri të gjelbër, sipas standardeve evropiane, me parking, i cili siguron vende të mjaftueshme për parkimin e veturave. Vlera e investimit është llogaritur deri në 2 milion euro, ndërsa afati për realizim ka qenë fundi i vitit 2015. Tregu është ndërtuar në bashkëpunim me Bashkësinë Islame dhe është lëshuar në përdorim në vitin 2017, me dy vite vonesë.
Pas kontrollit në teren konstatuam se tregu ishte funksional, por me vërejtje se hapësira përreth tij nuk është e rregulluar dhe mungon parking bashkëkohorë i asfaltuar.
Përsëri, duke pas parasysh kontrollin e më sipër, edhe pse me dy vite vonesë, premtimi i kryetarit të Komunës së Dibrës për “Tregun e ri të gjelbër” e vlerësojmë si të realizuar.
BURIME:
- (27.01.2017) Актуеле.мк – Дебар во скоро време со нов пазар – [Пристапено на 03.10.2017]
- (07.02.2017) Журнал.мк – Дебар со нов современ пазар – [Пристапено на 03.10.2017]
- (27.01.2017 Актуале.мк) – Новиот пазар во Дебар во завршна фаза – [Пристапено на 03.10.2017]
- (2017) Призма.мк – Општина Дебар – Призма.мк – [Пристапено на 03.10.2017]
- (2013) Изборна програма на кандидатот на ДУИ за Општина Дебар, Ружди Лата „Заедно Градиме”, [Пристапено на 03.10.2017]
Vlerësoi: Drilon Saliu
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari