“Dhurata” katër vjeçare prej 33 milionë eurove për gazsjellësin rus ende është nën hetim

Foto: Pritnsrceen

Edhe pse bëhet fjalë për një nga shumat më të larta për të cilën PSP ka konstatuar se është dëmtuar buxheti, rreth 33 milionë euro, me të cilat është dashur të rregullohet borxhi rus ndaj vendit, rasti ende ka ngelur në vend, ndërsa nga Prokuroria Publike, e cila i mori përsipër rastet e PSP-së thonë se janë ende në pritje të përgjigjeve nga Rusia. Stavreski është parë vetëm një herë, në vitin 2019, në ambientet e Policisë Financiare për t’u marrë në pyetje për këtë rast që ka të bëjë me gazsjellësin rus.

 

Shkruan: Меri Jordanovska

 

Rasti “Dhurata” i hapur në vitin 2018 nga Prokuroria e atëhershme Speciale Publike (PSP), ku të dyshuar janë ish-ministri i Financave Zoran Stavreski dhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, është në procedurën hetuese për katër vite. Në këtë rast, Stavreski dhe Janakieski dyshohen se kanë marrë përfitim pronësor prej gati 33 milionë eurosh nga një kompani ruse në Moskë, pas lidhjes së marrëveshjes për ndërtimin e një gazsjellësi, me të cilin do të rregullohej borxhin rus nga ish-BRSS ndaj ish-RSFJ-së në lidhje me detyrimet ndaj Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse kjo është një nga shumat më të larta për të cilën PSP ka konstatuar se është dëmtuar buxheti, rasti ende ka ngelur në vend, dhe Prokuroria Publike e cila ka marrë përsipër rastet e PSP-së thotë se ende priten përgjigje nga Rusia. Stavreski është parë vetëm një herë, në vitin 2019, në ambientet e Policisë Financiare për t’u marrë në pyetje për këtë rast.

Rasti për të cilin ju intereson është nën hetim. Mblidhen prova materiale që duhen për zbardhjen e rastit. Duke qenë se në lëndë ka element ndërkombëtar, Prokuroria ka shfrytëzuar mekanizmat e ndihmës juridike ndërkombëtare për të kërkuar të dhënat e nevojshme që nuk janë marrë deri më tani në përgjigje të kësaj kërkese, thonë nga Prokuroria për “Vërtetmatësin”.

Sipas asaj që njoftoi PSP nga hetimi, Stavreski dhe Janakieski ishin përfaqësues të autorizuar për zbatimin e marrëveshjes ndërqeveritare, e lidhur më 19 qershor 2010 në Shën Petersburg ndërmjet dy qeverive, asaj ruse dhe asaj maqedonase. Marrëveshja rregullonte borxhin rus prej 60,560,242 dollarësh, i cili do të mbyllej përmes dërgimit të mallrave, shërbimeve dhe kryerjes së punëve. Në negociata, Stavreski dhe Janakieski u pajtuan që kjo shumë të mbyllet me ndërtimin e gazsjellësit kryesor, pjesës “Kleçovcë – Bllok Stacioni 5” për shumën totale prej 75.700.303 dollarë amerikanë ose 55.647.292 euro, ku Rusia duhej të merrte pjesë me 80 për qind, ndërsa Maqedonia me 20 për qind.

Paraprakisht, me urdhër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, është përgatitur studimi i fizibilitetit për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit Kleçovcë – Shtip, i cili ishte gati 36 km më i gjatë se marrëveshja e përmendur më parë për pjesën “Kleçovcë – Bllok Stacioni 5”.

Sipas studimit, kostoja e ndërtimit të seksionit do të ishte nga 30 deri në 35 milionë euro, kështu që të dyshuarit Stavreski dhe Janakieski ishin të vetëdijshëm se çmimi real është shumë më i ulët se ai i marrëveshjes me palën ruse. Megjithatë, Stavreski dhe Janakieski e mbyllën të gjithë borxhin rus duke siguruar shërbimin – ndërtimin e gazsjellësit, të zbatuar nga kompania e Moskës OAD Strojtransgas. Kështu, në një seancë të mbyllur të qeverisë, në prani të ministrave të dyshuar, Qeveria ka arritur në përfundim që të pranohet oferta e kompanisë ruse dhe të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare. Pastaj Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e pranoi propozimin e qeverisë dhe në procedurë të shkurtuar miratoi ligjin për ndërtimin e gazsjellësit, ku deputetët i fshehën faktet nga studimi i fizibilitetit, sipas të cilit çmimi real është shumë më i ulët, ose vetëm 378.626 euro (për një kilometër tubacion).

Sipas PSP-së, i dyshuari Krste Miladinov si drejtor i “Resurseve Energjetike të Maqedonisë” ka pranuar çmimin joreal të lartë të shërbimit nga Marrëveshja, ndonëse ka qenë i njohur me studimin e fizibilitetit, pra koston reale të ndërtimit të gazsjellësit, kështu që më 9 korrik 2014 në Shkup është lidhur marrëveshja me kompaninë ruse, me çka, sipas PSP-së, u është mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm prej 32.664.672 euro, aq sa është dëmtuar buxheti i Maqedonisë së Veriut.

Me një fjali, Maqedonia në fakt e ka paguar gazsjellësin me mjetet e veta, sepse ka marrë pjesë me 20% në marrëveshje, që është përafërsisht shuma totale (reale) e kostos, ndërsa borxhi i Rusisë ndaj Maqedonisë, faktikisht ka mbetur “dhuratë” për Rusinë, deklaruan nga PSP në vitin 2018.

Ish-ministri i Financave Stavreski është i dyshuar vetëm në këtë rast të ish-Prokurorisë Speciale Publike. Kjo prokurori përfundoi në hije të trashë pas hapjes së rastit “Reket” në të cilin në mesin e të akuzuarve, tash të dënuarve, ishte edhe ish-shefja e saj Katica Janeva, e cila po vuan dënimin me 7 vite burg.

Prokuroria Speciale Publike ia ka dorëzuar të gjitha lëndët Prokurorisë Publike të Shtetit në vitin 2019 dhe rastet vazhduan të trajtohen nga të njëjtët prokurorë. Për hetimet e hapura pas vitit 2017, regjistrimet audio të përgjuara janë vetëm për pista dhe nuk përdoren si provë në gjykatë. Shumë raste janë ende në procedurën hetuese.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari