Dhuna në familje në rajonin e Ohrit është në rritje, në Strugë viktimat heshtin
Dhuna në familje në rajonin e Ohrit është në rritje. Kjo kryesisht është pasojë e gjendjes së keqe financiare, madje edhe shëndetësore, e cila, nga ana tjetër, ndikon pashmangshmërisht në acarimin e marrëdhënieve familjare dhe në rritjen e tensioneve, jotolerancës, agresionit… Në të gjithë situatën është mirë që viktimat të inkurajohen të raportojnë. Vetëm vitin e kaluar në rajonin e Ohrit janë regjistruar rreth 150 raste të dhunës në familje, ose pothuajse çdo dy ditë ka pasur viktimë të dhunës në familje. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë shënuar 70 raste të dhunës në familje. Sipas psikologëve, pandemia dhe karantinat e gjata rritën më tej jotolerancën familjare
Shkruan: Sonja Rillkovska
Buletini i policisë është i mbushur me vepra penale që lidhen me dhunën në familje. Boksa, shqelma, shuplaka, por edhe përdorimi i drurit, orendive dhe thikave, për pastrimin e problemeve familjare, fatkeqësisht janë bërë përditshmëria jonë. Dhuna ekziston nga të gjitha anët: burri rreh gruan, por edhe situata e kundërt, më rrallë, por ka raste kur burri është viktimë. Pastaj ka shembuj kur djalë ka rrahur nënën ose babanë, nipi gjyshin, prindërit abuzojnë me fëmijët …
Kemi dhunë të të gjitha llojeve – kemi dhunë psikologjike, fizike, seksuale, ekonomike. Viktima më e shpeshtë është femra, por në numër shumë më të vogël kemi viktima meshkuj, por edhe fëmijë, thotë Pavlina Petreska nga Qendra për Punë Sociale.
Që nga fillimi i vitit 2020 është hapur sporteli për përkujdesjen e viktimave të dhunës në familje në Ohër. Ky shërbim i specializuar është i pajisur sipas të gjitha standardeve dhe ka kapacitet për t’u kujdesur për gjithsej 12 persona. Në të janë akomoduar përkohësisht viktima nga rajoni i Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrës. Ata janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të profesionistëve, të shoqëruar nga një mjek dhe shkojnë në shkollë.
Pranë qendrës është hapur edhe një Qendër këshillimore për risocializimin e viktimave, e cila mbahet tërësisht sekret për sigurinë e viktimave.
Derisa që viktimat janë akomoduar në Qendër, sigurohet gjithçka e nevojshme për të funksionuar normalisht çdo ditë, dhe përveç kësaj trajtohen të gjitha rreziqet e tjera që kontribuojnë për të qenë viktimë. Atyre u sigurohet mbrojtje nga papunësia, ndihmë financiare dhe përkrahje psiko-sociale, sepse qëllimi përfundimtar është që personi pas përfundimit të akomodimit të risocializohet plotësisht dhe të funksionojë normalisht pa dhunë, thotë Petreska nga Qendra për Punë Sociale.
Në vend janë hapur gjithsej dhjetë shërbime të tilla të specializuara, për përkujdesje të viktimave nga dhuna në familje.
VIKTIMAT NË RAJONIN E STRUGËS FRIKËSOHEN TA RAPORTOJNË DHUNËN NË FAMILJE
Në Strugën fqinje, megjithatë, situata është krejtësisht ndryshe, ku viktimat shumë rrallë raportojnë dhunën në familje. Këtë vit, në kohë pandemie, derisa në të gjitha komunat e vendit ka rritje, në Strugë janë raportuar 15 raste, ndërsa vitin e kaluar vetëm 8 raportime për dhunë në familje. Dhe aty viktima është zakonisht gruaja, ndërsa dhunuesi është bashkëshorti.
Shkak për mos raportim, sipas sociologëve, janë traditat e popullatës, dhe karakteristike është se lidhja martesore nuk është ndërprerë në asnjë rast. Vetëm një grua nga Struga këtë vit ka guxuar që të fillojë procedurën e shkurorëzimit.
Në vitin 2021 kemi 15 raste të raportuara dhe vetëm në një rast në Strugë është iniciuar procedurë shkurorëzimi, ka epilog gjyqësor, pas kallëzimit të vetë viktimës janë shqiptuar masa parandaluese nga gjykata, thotë Mevmed Halili, drejtor i institucionit publik – Qendra Ndërkomunale për Punë sociale – Strugë.
Në këtë rajon me mbi gjashtëdhjetë mijë banorë, vitin e kaluar ka pasur vetëm 8 denoncime për dhunën në familje. Sociologët arsyen e shohin në gjendjen e keqe ekonomike të viktimave, por edhe nënshtrimin, frikën dhe statusin e gruas në familje, andaj vuajnë, vazhdojnë të jetojnë me dhunuesin dhe nuk kërkojnë mbrojtje. Në strehimoren rajonale në Ohër deri më tani nuk është vendosur asnjë viktimë nga Struga.
EDHE FËMIJËT JANË VIKTIMA TË DHUNËS NË FAMILJE
Ka raste kur edhe fëmijët janë viktima të dhunës në familje. Së fundmi një nënë nga Dibra ka rrahur djalin e saj tetë vjeçar në Strugë, për shkak se djali nuk donte të lypte.
Një nënë ka sulmuar fizikisht fëmijën e saj, duke e detyruar të kerkoj lëmosh. Policët e kanë ndaluar nënën dhe në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale fëmija është mbajtur në Shtëpinë amtare – Shkup, ndërsa kundër nënës është ngritur kallëzim penal, thotë Stefan Dimoski, zëdhënës në SPB Ohër.
Pas procedurës ligjore, pritet që nënës së pakujdesshme t’i hiqet e drejta prindërore.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ka mundësi që thjesht të raportohet dhuna në familje nëpërmjet numrit të telefonit SOS, i cili është falas, ose nëpërmjet e-mail.
Megjithatë, për fat të keq, marrëdhëniet e dëmtuara familjare shpesh nuk trajtohen. Përkundër mbështetjes psiko-sociale të ekipeve profesionale, dhuna në familje përsëritet rregullisht.
Sipas raportit të fundit të progresit të Komisionit Evropian për vendin në vitin 2021, qeveria vazhdoi të angazhohet të përmirësojë parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit dhe të ketë dialog të rregullt me Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës, por përfundimi është se progresi në zbatimin e këtyre rekomandimeve mbetet i ngadalshëm.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari