Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, në kuadër të angazhimit të tij për media të lira, të pavarura dhe profesionale, konsideron se ndihma financiare shtetërore për mediat nuk duhet të bëhet përmes dhënies së drejtpërdrejtë të mjeteve financiare. Ndihma duhet të jepet nëpërmjet mënyrave të tjera, siç është zvogëlimi i përqindjeve tatimore dhe lirimi nga pagesa e taksave gjatë punësimit të gazetarëve dhe ajo të jetë e dedikuar vetëm për gazetarinë cilësore profesionale, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për media të shkruara, elektronike apo media onlajn.

 

Trendi i zvogëlimit të rentabilitetit, të ardhurat e ulëta, largimi nga puna i gazetarëve dhe i punëtorëve mediatikë, si dhe mbyllja e mediave, në masë të madhe i përfshiu edhe mediat konvencionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut (mediat e shkruara dhe ato elektronike). Brenda disa viteve të fundit, u mbyllën tre gazetat më të mëdha ditore në vend (“Dnevnik”, “Utrinski vesnik” dhe “Vest”) dhe një televizion kombëtar (“TV Nova”). Shuarja e këtyre mediave nuk ishte vetëm rezultat i kushteve të tregut, por edhe i menaxhimit të kompanive, për të cilën gjë reaguan edhe organet e hetuesisë, e gjithashtu edhe rezultat i ndërhyrjeve intensive politike në politikat redaktuese të mediave, për shkak të të cilave qindra gazetarë dhe punëtorë mediatikë mbetën pa angazhim.

Maqedonia e Veriut, po ashtu, në vitet e fundit, e tërhoqi vëmendjen e botës me “fabrikën” për dezinformata dhe lajme të rreme gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Dezinformatat, manipulimet dhe lajmet e rreme këtu nuk janë asgjë e re dhe Fondacioni Metamorfozis, duke e njohur këtë problem, filloi të merret me verifikimin e fakteve që në vitin 2011 përmes “Vertetmates.mk”, si dhe nga viti 2013 përmes Shërbimit për verifikimin e fakteve në media. Por, nga viti 2016 e tutje, shkalla e manipulimeve, dezinformatave dhe e lajmeve të rreme, si dhe numri i mediave që i publikojnë ose i transmetojnë ato, është rritur shumë herë.

Rentabiliteti i ulët i mediave në Maqedoninë e Veriut nuk ndikoi në rritjen e cilësisë së gazetarisë, gjetjen e mënyrave inovative të prezantimit të lajmeve, futjen e gazetarisë së bazuar në të dhëna, si dhe gjetjen e burimeve të ndryshme të financimit.

Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, mediat në vend u mbajtën nën kontroll të rreptë përmes sistemit të pagesave të mjeteve publike të grumbulluara nga taksapaguesit, si dhe duke vendosur redaktorë dhe gazetarë “të përshtatshëm” në redaksitë. Kontrolli ishte gjithëpërfshirës në të gjitha mediat, duke i përfshirë mediat e shkruara, elektronike, onlajn, kombëtare dhe lokale.

Dhënia e drejtpërdrejtë e mjeteve publike për shtëpitë mediatike, të cilat në përbërjen e tyre kanë më shumë media, shumë lehtë mund të çojë në konflikt me kufizimet e parapara me Ligjin për kontrollin e ndihmës shtetërore dhe Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Në rastet e tilla, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të monitorohet dhe të konstatohet se si dhe ku janë shpenzuar paratë e dhëna, gjegjësisht a shfrytëzohen ato për medien e paraparë ose për qëllimin e paraparë.

Jo rrallë shtëpitë mediatike në vend janë pjesë e konsorciumeve ose grupeve të kompanive me strukturë komplekse të pronësisë. Bizneset e këtilla kanë interesa në shumë veprimtari ekonomike që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me mediat. Përveç interesave ekonomike, ato kanë edhe interesa politike, të cilat i realizojnë përmes lobimit dhe lidhshmërisë me partitë politike.

Në një situatë të tillë, dhënia e drejtpërdrejtë e mjeteve publike i vë mediat mediat në një pozicion që çon në minimin e pavarësisë redaktuese dhe të lirisë mediatike, në prishjen e integritetit dhe rritjen e ndikimit politik.

Për shkak të asaj që u tha më sipër, Fondacioni Metamorfozis konsideron se është jashtëzakonisht e rëndësishme të potencohen rreziqet dhe pasojat që mund të dalin nga subvencionimi i drejtpërdrejtë i mediave duke u dhënë atyre para publike.

Duke u nisur, para së gjithash, nga praktika e brendshme, por duke e marrë parasysh edhe praktikën evropiane, në veçanti Rekomandimin për vendet anëtare për sigurimin e pluralizmit mediatik dhe pronësisë transparente të mediave të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (2018)Deklaratën e Komitetit të ministrave për qëndrueshmërinë financiare të gazetarisë së mirë në epokën digjitale mediatike (2019); mendimin e Fondit për media të Zvicrës, të shprehur në botimin “Ndihmë për mediat: gjendja momentale dhe rekomandime për të ardhmen”, Metamorfozis konsideron se:

  • Ndihma financiare për mediat nuk duhet të bëhet përmes dhënies së drejtpërdrejtë të mjeteve financiare. Duhet të gjenden mënyra të tjera për t’i ndihmuar financiarisht mediat.
  • Ndihma duhet të jepet vetëm për gazetari cilësore profesionale, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për media të shkruara, elektronike apo medie onlajn. Kriteret dhe standardet etike të asaj që quhet gazetari profesionale janë të përcaktuara qartë dhe janë në dispozicion të publikut nëpërmjet Kodit të gazetarëve.
  • Shteti mund t’u ofrojë ndihmë mediave përmes:
    • Inkurajimit të punësimit të gazetarëve nëpërmjet lirimit për pagesën e një pjese të taksave;
    • Zvogëlimit të tatimeve përkatëse, para së gjithash TVSH-së për mediat;
    • Lirimit nga pagesa e taksave doganore dhe tatimeve për importin e pajisjeve të reja dhe moderne;
    • Lirimit nga pagesa ose zvogëlimit të taksave për bizneset “start-up” (fillestare) mediatike, gjegjësisht për kompanitë pronarët e të cilave nuk kanë burime të tjera të të ardhurave;
    • Sigurimit të kushteve për trajnime për gazetarët (duke siguruar hapësirë, duke i mbuluar disa nga shpenzimet e trajnimit);
    • Subvencioneve për edukimin dhe edukimin plotësues të gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë;
    • Ndihmës jofinanciare për krijimin e ekipeve për verifikimin e fakteve në redaksitë më të mëdha ose për mediat që tashmë punojnë në verifikimin e fakteve, si një vegël e veçantë dhe metodë hulumtuese në gazetari, me të cilën mund të përforcohet lufta kundër dezinformatave dhe manipulimeve;
    • Lehtësimeve nga ana e vetëqeverisjes lokale (nga hapësira fizike e deri te lirimi nga pagesa e taksave të ndryshme, siç është për shembull taksa për firmë);
    • Subvencioneve jofinanciare që nuk janë përmendur këtu, e të cilat në debatin e mëtejshëm publik do të lindnin si ide nga përfaqësuesit e komunitetit mediatik.
  • Theksojmë se nevojitet një debat më i gjerë dhe më i gjatë publik midis të gjitha palëve të interesuara, përpara se të merret vendimi përfundimtar për llojin dhe mënyrën e subvencionimit të mediave, ndërsa zgjidhja në asnjë mënyrë nuk duhet të lë hapësirë për ndikim mbi politikën redaktuese dhe kontrollin e mediave.