Dezinformata edhe për paraqitjen e koronavirusit!

Zhvillimi i virusit korona në botë dhe rajon i futi në grackë edhe disa media të Maqedonisë së Veriut të cilat publikuan dezinformata. Disa nga mediat thanë se në Shkup ka një të infektuar, ndërkohë që ende po bëheshin testimet. Kishim rast kur mediat thanë se gruaja e infektuar me korona kishte hyrë në Maqedoni të Veriut disa ditë më parë, pas çfarë demantuan edhe institucionet.

Nga Fatbardha Curri

Ka disa ditë që po bëhen testime ndaj personave që kanë ardhur nga jashtë ose nga vendet që janë të prekura nga korona virusi. Por, derisa realizoheshin testime me të cilin verifikohej se a janë apo jo të prekur nga koronavirusi, mediat publikuan informacionin: “Një i infektuar me koronavirus në Shkup, po bëhen testimet”.

Koha.mk: Një i infektuar me Koronavirus në Shkup, po bëhen testimet
Koha.mk: Një i infektuar me Koronavirus në Shkup, po bëhen testimet

Nga ajo që shihet më lart, media as nuk ka vendosur shenja pikësimi si pikëpyetje që të sinjalizojë se bëhet fjalë për dyshim edhe pse në artikull shkruan se po priten analizat nga kontrollet.

“Për momentin, Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shkup po teston një person me koronavirus me simptoma gripi. Pacienti kishte një pamje klinike të butë, nuk kishte temperaturë të ngritur të trupit dhe gjendja e tij ishte e qëndrueshme. Ishte një person që mbërriti në Shkup sot me një fluturim pasdite nga Milano”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Por, ky rast doli të jetë negativ. E arritja e koronavirusit në Maqedoni të Veriut u vërtetua pas dy ditësh, grua 50-vjeçare. Autoritetet njoftuan se 50-vjeçarja  e cila ka udhëtuar nga Italia, në Maqedoni të Veriut ka hyrë nëpërmjet vendkalimit kufitar Tabanoc rreth orës 3 të mëngjesit të 26 shkurtit. Por, disa media sërish publikuan dezinformata. Ata thanë se 50-vjeçarja kishte ardhur para disa ditësh.

Autoritetet luftonin edhe mediat

E këto informacione bënë që autoritetet paralelisht me koronavirusin të luftojnë edhe me mediat. Krahas thirrjeve publike që të publikohen informacione të verifikuara, autoritetet filluan edhe me demante.

Demanti i MPB-së nga medias "Veçer"
Demanti i MPB-së nga medias “Veçer”

“Ministria e Punëve të Brendshme i demanton dezinformatat të publikuara në portalin “Veçer” se gruaja ku është vërtetuar prezenca e korona virusit ka ardhur disa ditë më herët nga Italia. MPB e njofton publikun se gruaja ka hyrë në Maqedoni të Veriut mbrëmë (26.02.2020) në ora 02:33 në vendkalimin kufitar Tabanoc, kurse është realizuar kontakt edhe me policët kufitar të Serbisë dhe Kroacisë ku është vërtetuar ruta dhe koha e qarkullimit”, thuhet ndër të tjerash në demantin e MPB-së.

Këshilli Etik i Mediave të Maqedonisë (KEMM) i ftoi mediat të “sillen profesionalisht dhe në mënyrë etike” duke mos shkaktuar panik te qytetarët.

Duke dezinformauar në lidhje me koronavirusin, mediat kanë bërë edhe shkelje të Kodit Etik të Gazetarëve.

Tashmë autoritet kanë publikuar edhe broshura, se si të mbrohemi nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë plotësisht masat parandaluese për mbrojtje:

  • Të mbrohet popullsia nga ftohja- shmangni kontaktin e pambrojtur me të sëmurët ( përfshirë gojën, hundën dhe sytë), si dhe kontaktin e pambrojtur me kafshë shtëpiake ose të egra.
  • Larje e detyrueshme dhe e shpeshtë e duarve – dhe kur nuk është dukshëm e pisët. Lani duart me sapun dhe ujë ose përdorni një pastrues dore me bazë alkooli;
  • Mbrojtja e të tjerëve nga sëmundjet- mbroni gojën dhe hundën me shami ose pëllëmbën e dorës kur kollitni ose teshtini. Pas përdorimit, mbeturinat duhet të hidhen në koshat e mbyllur. Lani duart plotësisht kur kolliteni ose teshtini, si dhe kujdeseni për pacientët.

E Instituti i Shëndetit Publik publikoi Udhëzues për mjekim shtëpiak të pacientëve të dyshuar për infeksion me 2019-nCoV.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.