Demant nga familja Xhambazi
Redaksia e Vertetëmatësit i kërkon falje familjes Xhambazi për keqkuptimet e krijuara në lidhje me kronikën e botuar ditë më parë me emrin “Fëmijët e Kondovës vazhdojnë të presin çerdhen e premtuar”. Kronika është tërhequr pasi që në të janë përdorur gabimisht fotografitë e objektit që e ndërton kjo familje duke menduar që është ndërtim i Komunës së Sarajit e jo investim privat i familjes Xhambazi.
Keqkuptimi ka ndodhur pasi që kryetari i komunës së Sarajit Bekim Murati disa herë ka refuzuar të kontaktojë me Vërtetëmatësin të sqarohet për objektin që nuk e ka ndërtuar. Shkaku i mungesë së informatave zyrtare, ekipi i Vërtetëmatësit është keq-informuar në terren nga banorët e fshatit, duke marrë fotografi gabim nga objekti që nuk i përket komunës.
Ju përcjellim dhe demantin e familjes
“Për informim të publikut, objekti në fjalë është pronë private e familjes sonë, i ndërtuar në baze të ligjit për ndërtim, me të gjitha normat ligjore. Gazetarja në fjalë pa lejen e familjes tonë, është futur në pronën tonë private dhe ka fotografuar objektin, duke abuzuar me të vërtetën dhe duke e paraqitur objektin si pronë të komunës, gjë që aspak nuk është e vërtetë, përkundrazi është dez-informatë dhe abuzim me pronën dhe djersën e tjetrit.
Prona është e shenjtë dhe atë e mbron edhe ligji. Kërkojmë urgjentisht nga gazetarja në fjalë dhe pronari i portalit të cilit i takon, njashtu edhe nga gjithë portalet tjera që dje plasuan pronën tone në fotografi, duke e paraqitur si pronë të komunës, të kërkojnë falje dhe njëkohësisht korrigjimin e artikullit në fjalë, duke larguar fotografitë e objektit tonë privat.
Objekti në fjalë është pronë private, i ndërtuar me djersën tonë dhe nuk lejojmë që i njëjti të bëhet pjesë e fushatave të fëlliqura nga disa media, që kanë ndaj subjekteve politike shqiptare në Maqedoni. E ruajmë të drejtën që me portalet e lartpërmendura të takohemi në gjykatë, për shpifje dhe abuzim me pronë private.”
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari