Dallimi dhe efikasiteti i vaksinave kundër COVID-19 në RMV (VIDEO)

Vaksinë, korona, kovid-19, foto: Pixabay.com

Në prag të një vale të re infektimesh me një variant të ri të COVID-19, mbetet i vogël numri i qytetarëve të vaksinuar në vendin tonë. Që nga fillimi i procesit të vaksinimit në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar vetëm 38% e popullatës. Kjo nuk mjafton! Është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen për të krijuar imunitet kolektiv. Mjekët dhe institucionet shëndetësore apelojnë deri te qytetarët të mos bien pre e dezinformatave por të vaksinohen me cilëndo vaksinë anti-COVID19 dhe të kontribuojnë në luftën kundër pandemisë globale, shkruan Portalb.mk.

“Vaksinat do të na vrasin”, “Përmes vaksinave do të na shtinë mikroçip në trup”, “Vaksinat do na i ndryshojnë strukturën gjenetike”… këto janë vetëm disa nga titujt e dezinformatave me të cilat është përballur opinioni publik në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i procesit të vaksinimit. Fushata e ashpër dezinformuese që zhvillohet në vendin tonë kundër vaksinimit është një ndër faktorët kryesor që procesi i vaksinimit në Maqedoninë e Veriut ec me hapa të ngadalta.

Vaksinimi në Maqedoninë e Veriut filloi më 17 shkurt të vitit 2021 deri më sot është vaksinuar 38% e popullatës në vendin tonë. Nga Organizata Botërore të Shëndetësisë thonë se është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen me qëllim që të arrihet imuniteti i tufës. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se vaksina ka por interesimi është shumë i ulët, si pasojë janë shkatërruar 20 mijë vaksina me afat të skaduar.

“Janë asgjësuar një pjesë e vaksinave, donacion nga Bullgaria. Megjithëse se ju kemi kushtuar vëmendje të lartë sikurse edhe të tjerave. Procedurat e shkatërrimit të barnave, praktikisht ato digjen. Proces i cili ndiqet nga Agjencia e Barnave” deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce më 17 nëntor.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në vendin tonë çdo vaksinë aprovohet vetëm nëse ka kaluar me sukses të gjitha tre fazat të studimeve klinike. Këto standarde kombëtare dhe ndërkombëtare të cilësisë zbatohen edhe për aprovimin e vaksinës së virusit korona. Vaksinat të cilat aplikohen në vendin tonë ndryshojnë nga prodhuesi dhe përmbajtja e tyre, megjithatë që të gjitha kryejnë një funksion të njëjtë në organizimin e njeriut pra krijimin e antitrupave dhe sigurimi i përgjigjes imunitare.

  • Astra Zeneca– është vaksinë e prodhuar në Britani dhe që përmban gjene për proteinën C të virusit SARS-Cov2. Pra përmbajtja e kësaj vaksine është e bazuar në proteina, të cilat përdorin fragmente të padëmshme të proteinave ose pjesë të proteinave, që e imitojnë virusin KOVID-19 për të shkaktuar në mënyrë të sigurt një përgjigje imunologjike. Në studimet klinike kjo vaksinë ka treguar efikasitet prej 63.09% për parandalimin e infeksionit me SARS-Cov2, rezultatet nga praktika reale janë inkurajuese, vetëm pas dozës së parë për 85% zvogëlohet rreziku nga trajtimi spitalor ose forma e rëndë e sëmundjes.
  • Pfizer/Biontech – është vaksinë e prodhuar në Gjermani. Kjo lloj vaksine përdor ARN gjenetikisht të modifikuar, për të gjeneruar një proteinë që vetë në mënyrë të sigurt shkakton një përgjigje imunologjike. Studimet klinike kanë treguar efikasitet të lartë të parandalimit deri në 94% të infeksionit SARS-Cov2, të dhënat e vaksinimit në të gjithë botën e konfirmojnë efikasitetin e studimeve klinike.
  • Sinopharm/Sinovac –  janë vaksina të prodhuara në Kinë. Këto vaksina përmbajnë virus të pa-aktivizuar SARS-Cov2. Pra, këto lloj vaksinash përdorin një formë të virusit që është jo aktive ose e dobësuar, kështu që nuk shkakton sëmundje, por gjithsesi shkakton një përgjigje imunologjike. 86% efikase kundër infeksionit SARS-Cov2, 100% efikase për parandalimin e formës së rëndë të sëmundjes.
  • Sputink V – është vaksinë e prodhuar në Rusi. Adenovirus si vektor që mban gjene për proteinën C të virusit SARS-Cov2. Efikasiteti i vaksinës Sputnik V kundrejt COVID 19 raportohet në 91.6%.

Mjekët thonë se është shumë e rëndësishme që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të pranojnë cilëndo nga vaksinat me qëllim që sa më shpejtë të krijohet imuniteti i tufës.

“Pavarësisht nga prodhuesi dhe mekanizmi i veprimit, të gjitha vaksinat janë efektive. Është e vërtetë që efikasiteti i vaksinave varion nga 94% në 66%, por kur flasim për këtë lloj efikasiteti flasim për llojin e efikasitetit se nëse një person i vaksinuar do të merret KOVID19. Fuqia e vaksinave nuk qëndron në parandalimin e infektimit me KOVID19 të një personi, por në fuqinë për parandalimin e zhvillimit të një tabloje të rëndë klinike të sëmundjes tek një person i infektuar, nevojën për shtrimin në spital dhe rrezikun e vdekjes. Pikërisht për këtë arsye të gjitha vaksinat janë 99% efikase dhe rrjedh konkluzioni se çdo vaksinë është më mirë se mos vaksinimi”, thekson Aleksandra Giorgieva nga Oda e Mjekëve.

Pse ndodh të infektohemi edhe pasi jemi vaksinuar?

Ri-infektimi me COVID19 pas vaksinimit ka qenë një ndër fenomenet i cili ashpër është shfrytëzuar nga prodhuesit e përmbajtjeve dezinformuese. Pa thënë asnjë shpjegim logjik se pse ndodh të infektohemi edhe edhe pas vaksinimit është spekuluar shumë efikasiteti i vaksinave.

Të gjithë viruset-përfshirë SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19-evoluojnë me kalimin e kohës. Kur një virus riprodhohet ose bën kopje të vetvetes, ai ndonjëherë ndryshon pak, gjë që është normale për një virus. Këto ndryshime quhen “mutacione”. Një virus me një ose më shumë mutacione të reja quhet “variant” i virusit origjinal. Sa më shumë mundësi të ketë një virus për t’u përhapur, aq më shumë përsëritet – dhe aq më shumë mundësi ka për të pësuar ndryshime. Varësisht se në cilën pjesë të materialit gjenetik të virusit ndodh ndryshimi, mundet të shkaktohet ndryshim në vetitë e një virusi, si transmetimi (për shembull, mund të përhapet pak a shumë lehtë) ose ashpërsia (për shembull, mund të shkaktojë sëmundje pak a shumë të rëndë).

Si pasojë e ndryshimit të vetive të virusit vaksina nuk mundet ta parandalojë 100% infektimin me COVID19, megjithatë studimet kanë dëshmuar se edhe përkundër mutacioneve vaksina është efikase në parandalimin e formës së rëndë të sëmundjes dhe pasojave fatale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë 72% e rasteve të reja me COVID19 dhe 78% të e pacientëve të hospitalizuar nuk janë të vaksinuar me asnjë vaksinë anti-Covid.

“Unë jam i vaksinuar me Sinovac. Pak kohë pasi pranova dozën e dytë të vaksinës rezultova pozitiv me COVID19. Mundet të them se sëmundjen e kalova shumë lehtë dhe në kushte shtëpie pa pasur nevojë asnjë ditë të paraqitem në spital”– u shpreh Enkel Dika, i vaksinuar dhe i infektuar me COVID19.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari