“Coca-Cola” nuk shet produkte me emrin Adolf
Nuk ka dëshmi relevante që sugjerojnë se kompania “Coca-Cola” ka hedhur në treg produkte të saj ku shkruan emri Adolf. Në listën zyrtare të emrave të publikuar në kuadër të fushatës “Ndaje një Coca-Cola” nuk mund të gjendet emri i ish-udhëheqësit nazist gjerman.
Po analizojmë një postim në Facebook i cili ndan një fotografi të shisheve “Coca-Cola” në të cilat janë të shkruara emrat Adolf (Adolf Hitleri) dhe Eva (Eva Braun – e dashura e Hitlerit). Postimi thotë:
Të gjitha sytë janë drejtuar nga Ukraina, Izraeli dhe Irani. A e kontrollon dikush Gjermaninë?
Nuk ka dëshmi që kompania “Coca-Cola” e ka vendosur emrin e Adolf Hitlerit në shishet e saj. Fushata “Ndaje një Coca-Cola”, e cila filloi në vitin 2011, e zëvendësoi logon e Coca-Cola-s në shishe dhe kanaçe me emra të njohur, me qëllim që të personalizohet produkti dhe të inkurajohet ndarja me të tjerët.
Fotografia që shpërndahet në postimin që po e analizojmë është gjetur edhe në faqe të tjera humori dhe nuk është e re. Ajo shfaqet në vitin 2014 dhe përsëri në vitin 2021. Gjendet gjithashtu në faqe humori polake, ku pretendohet se është nga një supermarket në Poloni.
Një fotografi e ngjashme me emrin Adolf mund të gjendet edhe këtu, në një foto të publikuar para shtatë vitesh, por në këtë rast emri është i shkruar në një kanaçe.
“Coca-Cola” në faqen e saj zyrtare ka publikuar një listë zyrtare të emrave që mund të gjenden në tregje. Në këtë listë nuk figuron emri Adolf, dhe as Eva. Emri Eva mund të gjendet i shkruar si Eve.
Nuk është hera e parë që “Coca-Cola” lidhet në mënyrë të rreme me liderin nazist gjerman Adolf Hitler në rrjetet sociale. Në vitin 2015, kompania u detyrua të tërheqë një fushatë reklamuese në Twitter, pasi kundërfushata e “Gawker” e mashtroi atë që të publikonte pjesë të mëdha nga parathënia e librit “Lufta ime” (Mein Kampf) të Hitlerit. Fushata, e cila quhej “Make it Happy” dhe u prezantua në një spot gjatë Super Bowl-it, kishte për qëllim që njerëzit të përgjigjeshin ndaj komenteve negative në Twitter me hashtagun #MakeItHappy. Ideja ishte që një algoritëm automatik t’i kthente ato mesazhe në imazhe pozitive duke përdorur një sistem të kodimit të quajtur ASCII – për shembull, në forma të lezetshme si një mi i vogël, një palmë me syze dielli apo një kofshë pule me kapele kauboji.
Në një deklaratë për media, “Coca-Cola” kishte shpjeguar se qëllimi i saj ishte “të përballet me negativitetin gjithpërfshirës që ndot rrjetet sociale dhe komentet në internet”. Por “Gawker” kishte plane të tjera. Drejtori i laboratorëve redaksionalë të kësaj mediaje, Adam Pash, krijoi një bot në Twitter me emrin @MeinCoke, i cili postonte vargje nga “Mein Kampf” dhe i shoqëronte me hashtagun #MakeItHappy – duke aktivizuar botin e Coca-Cola-s që t’i shndërronte ato në imazhe të ëmbla.
Nga e gjithë kjo që u tha më sipër, mund të konkludojmë se nuk ka dëshmi të besueshme që sugjerojnë se kompania “Coca-Cola” ka hedhur në treg produkte me emrin Adolf. Në listën zyrtare të emrave të përfshirë në fushatën “Ndaje një Coca-Cola” nuk gjendet emri i liderit nazist gjerman.
Për këtë arsye, e vlerësojmë postimin që po e analizojmë si të pavërtetë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari