Cili Кryeministër shqiptar nderon Imer Imerin dhe Boris Trajkovskin?

 

Shkruan: Shefkije Alasani

Artikulli me titullin provokues Kryeministri shqiptar nderon Imer Imerin dhe Boris Trajkovskin (FOTO), është publikuar në portalin informativ TetovaSot më datë 28 qershor të këtij viti. Përderisa vendi është në fushatë parazgjedhore, artikulli me titullin tendencioz është publikuar në rubrikën e lajmeve nga vendi.

Titulli madje është edhe mjaft konfuz dhe të bën të mendosh se për cilin kryeministër shqiptar e ka fjalën autori! Kuvendi i Maqedonisë së Veriut u shpërbë më 16 shkurt për shkak të caktimit të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill, por të njëjtat u prolonguan si rrjedhojë e krizës së koronavirus. Ka disa muaj që shteti udhëhiqet nga qeveria teknike në krye me Oliver Spasovsin.

Nëse në titull është bërë ndonjë gabim teknik atëherë sipas nenit 3 të Kodit Etik:

Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës.

Jo-profesionale është edhe përmbajtja e tekstit. Fotografitë dhe përmbajtja e tekstit janë kopjuar nga profili i “facebbok”-ut, të kandidatit për kryeministër nga BDI Naser Ziberi, dhe është plasur si lajm.

“Sot isha në vizitë te vendet e pushimit të përjetshëm të ish-presidentit Boris Trajkovski, si dhe ish-kryetarit të Partisë për Prosperitet Demokratik, Imer Imeri. Dy kontribues historike që ndikuan në ndërtimin e shoqërisë së sotme multietnike. Kemi nder dhe respekt të veçantë ndaj njerëzve që kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e karakterit multietnik të vendit, që lanë një trashëgimi të madhe të shndërruar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila tashmë është bërë pjesë e preambulës së Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë Veriore, si një nga shtyllat kryesore mbi të cilat ngritet vendi”– ka shkruar Ziberi në profilin e tij në “facebook”.

Raportimi i drejt dhe i saktë është shumë i rëndësishëm e aq më shumë gjatë periudhës parazgjedhore. Është me rëndësi që gazetarët të prodhojnë produkte mediatike me vlera e standarde profesionale dhe të mos e lodhin lexuesin me informacione të panevojshme. Një gjë të tillë rekomandon edhe Kodi Etik i Gazetarëve:

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .