Blerim Bexheti: Qeveria ka vullnet për arritjen e marrëveshjes për dekriminalizimin e ofendimit

Është duke u punuar për idenë për dekriminalizimin e ofendimit. Konsideroj se për realizimin e një ideje të këtillë ka nevojë për qasje serioze në formulimet juridike dhe në ligjet që e trajtojnë këtë çështje dhe prandaj duhet kohë. Bëhet fjalë për një procedurë e cila është më e ndërlikuar dhe siç thatë edhe ju, që nga fillimi është kyçur edhe SHGM-ja, kurse në Ministrinë për drejtësi ka një grup pune. Nënkuptohet se rol dominant do të kenë edhe përvojat nga vendet e tjera, e jo vetëm përvojat tona, kurse është e qartë se përvojat janë të ndryshme, dhe shpresoj se nëse gjendet një zgjidhje, do të ketë përkrahje edhe në Kuvend. Është me rëndësi të theksohet se ekziston vullneti i qeverisë. Me vetë faktin se përfaqësuesit e qeverisë, disa ministra dhe zëvendëskryemnistri tashmë biseduan me SHGM-në, prej ku doli edhe konstatimi që të formojmë një grup pune, ku ata do të jenë dhe tashmë janë të kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe me këtë konsideroj se qeveria ka vullnet, vetëm se duhet harmonizuar qëndrimet në zgjidhje ligjore. [Dаta: 18.03.2012 | Burimi: Radio Evropa e lirë]

Arsyetim:

Edhe pse u paralajmërua se gazetarët dhe përfaqësuesit e qeverisë janë afër arritjes së marrëveshjes për dekriminalizimin e ofendimit, pas tetë muajsh negociata, SHGM-ja doli me qëndrim se nuk ka as marrëveshje e as negociata me pushtetin.

“Tashmë dy muaj përpiqemi ta caktojmë takim me zëvendëskryeministren Teuta Arifin rreth kompensimeve për ofendim dhe fyerje, por ato përpjekje përfundojnë pa rezultate”, deklaroi Selmani në konferencën për shtyp, me rastin e Ditës ndërkombëtare të lirisë së mediumeve.

Ai poashtu deklaroi:

“Para disa ditësh, Freedom House doli me raport në të cilin Maqedonia është e ranguar si vendi i fundit në rajon për nga liria e mediumeve. Në janar, një raport të ngjashëm nxori edhe Raportuesit pa kufinj, ku Maqedonia shënoi rënie prej 26 vendeve”.

Fushatat e qeverisë, përforcimi i shërbimit publik të RTVM-së, respektimi i standardeve profesionale dhe dekriminalizimi i ofendimit ishin çështjet kryesore për të cilat Qeveria dhe shoqata e gazetarëve duhej të bisedonin.

Nga vetë deklaratat e udhëheqësve të SHGM-së mund të konstatohet se në këtë moment nuk ekziston marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe gazetarëve për dekriminializimin e ofendimit dhe për këtë arsye deklarata e ministrit konsiderohet si e pavërtetë.

Linke:

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.