Begolli: Situata pandemike i ka vënë gazetarët në Kosovë nën presion të fortë financiar, fizik dhe psikologjik

Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ka treguar për vështirësitë me të cilat janë ballafaquar gazetarët në Kosovë, në një tjetër intervistë në kuadër të serisë së intervistave nga shtetet e rajonit lidhur me efektin e pandemisë në media. Në një tjetër intervistë për Portalb.mk, Begolli nënvizon ndikimin negativ të pandemisë në aspektin financiar të medieve, duke rezultuar me mbyllje të tyre apo me shkëputje të kontratës së punonjësve medial.

Intervista u realizua nga Dren Gërguri

Si po e transformon COVID-19 gazetarinë në Kosovë?

Begolli: Roli i gazetarëve në informimin e publikut nuk ka qenë kurrë më kritik sepse misioni i tyre vazhdon të jetë ndër më thelbësorët në luftën globale kundër pandemisë COVID-19. Si në të gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë, gazetarët ndodhen nën presion të fortë financiar, fizik dhe psikologjik gjatë kësaj pandemie. Këto elemente janë shkaktuar nga kufizimet në kryerjen e punës si dhe dëmet në ekonominë e medieve gjë që pastaj ka ndikuar në transformimin e gazetarisë në vend.
Megjithë masat e shtuara (izolimi, orari i kufizuar i lëvizjes, ndryshimi i orareve me rotacion) për të gjithë qytetarët, gazetarët kanë qenë të obliguar të vazhdojnë të dalin në punë. Varësisht nga pozita në dhomën e lajmeve ata përpos raportimit për Covid-19, gjatë kësaj kohe kanë raportuar edhe për ndodhitë politike në vend; të dyja këto kanë ndodhur paralelisht, andaj edhe numri i gazetarëve në detyrë ka qenë i madh.
Sfidat me të cilat kolegët tanë gazetarë janë përballur nuk janë të pakta as gjatë terrenit, marrë parasysh kushtet në të cilat është dashur të raportojnë. Praktikat e përgatitjes së lajmit kanë ndryshuar sepse megjithatë çdo lëvizje ka qenë e kufizuar për palët e tjera.
Disa institucione kanë punuar me orare të shkurtuara, në ndërkohë që të tjera kanë qenë të mbyllura deri në afat të pacaktuar, andaj edhe kjo ua ka komplikuar gazetarëve kryerjen e punëve. Si rrjedhojë e kësaj situate, gazetarët janë fokusuar në teknologjitë digjitale për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e informacioneve.

Cilat mënyra/metoda digjitale po përdoren nga gazetarët për të komunikuar me burimet e tyre dhe a mendoni se ata, tani, janë më të hapur të komunikojnë duke shfrytëzuar mjetet digjitale në krahasim me periudhën para pandemisë?

Begolli: Gjatë pandemisë në përgjithësi janë përdorur rrjetet sociale si VIBER, WHATSAPP, FACEBOOK, INSTAGRAM, TWITTER, E-MAIL, ndërkaq për realizimin e intervistave janë përdorur edhe platformat SKYPE, ZOOM, JITSI MEET dhe GOOGLE MEET. Që me shfaqjen e rasteve të para të infektuara me COVID-19, përdorimi i këtyre rrjeteve sociale nga ana e gazetarëve është kthyer në praktikë të përditshme. Këto metoda janë përdorur nga terreni (lidhja direkte me studio) apo edhe me mysafirët të cilat nuk kanë pasur mundësi që të jenë fizikisht prezent në studio. Meqenëse gjatë pandemisë nuk ka pasur opsione të tjera më praktike, teknologjia ka mundësuar për audiencën qasjen e menjëhershme në informacion, në ndërkohë që sado e përdorshme ka qenë për gazetarët, jo gjithmonë ka qenë e lehtë.

Nga këndvështrimi juaj, institucionet dhe kompanitë a publikojnë më shumë të dhëna në internet në krahasim me më parë dhe a keni vënë re dallim në kualitetin e të dhënave dhe të informacioneve?

Begolli: Njoftimet e publikuara në rrjetet sociale gjatë kësaj periudhe të pandemisë kanë qenë me të shpeshta sesa më parë meqenëse kjo ka qenë mënyra e vetme e informimit të qytetarëve. Pra, ka pasur shumë platforma ku gazetarët kanë siguruar të dhënat nga institucionet. Mirëpo, sfidë e madhe për gazetarët ka qenë qasja në dokumentet publike, gjë që ka krijuar probleme të vazhdueshme për realizmin e hulumtimeve dhe analizave. Kur parashtrojnë pyetje për qasje në dokumentet zyrtare, shumë rrallë ndodh që të marrin përgjigje më atë se çfarë e kërkojnë, përgjigjet janë shumë të përgjithësuara e jo për detajet për ato se çfarë u interesojnë gazetarëve.

Cila është përshtypja juaj – besimi i audiencës në raportimin e medieve është rritur, është zvogëluar apo ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës së pandemisë?

Begolli: Duke qenë se gjatë kohës së pandemisë dhe izolimit mediet kanë qenë burimi i vetëm i informacionit – pa pasur qasje në jetën publike apo mundësi takimi me burime të tjera, interesimi për leximin, dëgjimin dhe shikimin e lajmeve ka qenë më i madh. Besimi mund të thuhet se ka mbetur i pandryshuar, meqenëse audienca është përballë me informata të reja gjatë gjithë kohës, por edhe me informata që kanë ndryshuar nga njëra tjetra. Pasë parasysh faktin se të gjithë janë përballur për herë të parë me diçka të këtillë, jo vetëm mediet në Kosovë, praktikat në informim dhe selektimin e informacioneve kanë qenë risi edhe për gazetarët. Përgjithësisht gazetarët i janë referuar aktorëve relevant të çështjes siç janë Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Organizata Botërore e Shëndetësisë e të tjera.

Si ka ndikuar COVID-19 në qëndrueshmërinë e mediave dhe sigurinë e punës së gazetarëve në Kosovë?

Begolli: Gjatë periudhës së pandemisë në Kosovë është ndaluar shtypi i gazetave në Kosovë (16 mars 2020); Epoka e Re, Koha Ditore, Zëri dhe Bota Sot. Gazetat ditore kanë kaluar në verzionin online, mirëpo kjo ka ndikuar në ekonominë e tyre për shkak të reklamave të pakta. Për këtë arsye edhe është mbyllur gazeta ZËRI, me ç’rast janë larguar nga puna rreth 22 punëtorë (përfshirë këtu dy gra shtatzëna).
Gjithashtu, meqenëse pandemia ka pasur impakt në gjendjen ekonomike të medieve ka raste ku gazetarët janë paguar pjesërisht nga mediumi dhe paga është kombinuar me të ardhurat nga Pakoja Emergjente e Qeverisë; gazetarët megjithëse kanë punuar (madje edhe jashtë orarit të tyre), janë paguar vetëm nga pakoj, apo ka edhe nga ato raste ku mediumet janë detyruar të largojnë nga puna gazetarët, qoftë vetëm me pushim pa pagesë, apo edhe me ndërprerje të kontratës. Covid-19 ka ndikuar në të gjitha sferat publike, por vlerësojmë se tek gazetarët ka pasur më shumë impakt, pasë parasysh faktin se hyjnë në top 5 profesionet më të rrezikuara gjatë pandemisë.

Cilat aspekte të punës dhe jetës së gazetarëve kanë qenë më të prekura gjatë periudhës së pandemisë?

Begolli: Jeta profesionale dhe personale e gazetarëve ka ndryshuar dhe është ndikuar direkt nga pandemia. Presioni financiar (ekonomia e medieve), përballja direkte me rrezikun, oraret jo-fleksibile, mungesa e kushteve elementare (pajisjeve mbrojtëse), si dhe barra e raportimit profesional dhe etik mbi pandeminë dhe njëherazi zhvillimeve politike, janë disa nga sfidat shoqëruese të gazetarëve. Ka nga ata gazetarë të cilët janë detyruar të marrin pushimin pa pagesë në pamundësi pagese nga ana e mediumit. Në anën tjetër, të gjithë gazetarët në detyrë kanë punuar në presion të faktit se mund të infektojnë familjarët e tyre në rast se infektohen vetë gjatë konferencave dhe raportimeve nga terreni.

Cilat metoda në luftën kundër dezinformatave praktikohen në mediet e Kosovës?

Begolli: Marrë parasysh faktin se misioni i AGK-së ndër të tjera është edhe promovimi i gazetarisë cilësore, kemi publikuar dy udhëzues për mbulimin medial të pandemisë dhe udhëzues tjerë lidhur me raportimet mbi temat e ndjeshme, si vetëvrasjet. Përmes deklaratave tona publike, kemi bërë thirrje që gazetarët dhe mediet të respektojnë rregullat etike në punën e tyre dhe të mos kontribuojnë në përhapjen e lajmeve të rreme dhe panikut në publik. Gjithashtu kemi dënuar raportimet joprofesionale gjatë kësaj kohe.
Por, pos Covid-19, edhe pandemia si fenomen ka qenë i ri për mediet, andaj edhe ka pasur raste dezinformimi, mirëpo institucionet përkatëse duke përdorur përpos mediet klasike, kanë përdorur edhe mediet e reja (rrjetet sociale) për të informuar saktësisht mbi atë se çfarë po ndodhë. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe ekspertë të pulmologjisë, infektologë e të tjerë, gjë që ka ndihmuar mediet të informojnë drejtë në shumicën e rasteve. Gjithashtu, AGK në bashkëpunim me UN WOMAN ka realizuar 2 trajnime online me gazetarët e nivelit lokal dhe qendror, me temën “Rreziku nga dezinformatat në kohë pandemie”.

 

A është intensiteti i dezinformatave i njëjtë tani, si para fillimit të pandemisë si dhe çfarë mendoni për llojin e dezinformatave të shpërndara gjatë kësaj periudhe?

Begolli: Meqenëse kjo është përvoja e parë e raportimit për një problematikë të kësaj natyre, nuk mund të themi që intensiteti është i njëjtë i informatave të gabuara. Gazetarët janë “bombarduar” me shumë informata, njëkohësisht dhe mosnjohuria rreth Covid-19 (jo vetëm nga gazetarët) si dhe kërkesa e madhe për më shumë informata nga ana e publikut, ka bërë që të publikohen lajme edhe të pavërteta. Kjo nuk mund të thuhet se është bërë qëllimshëm apo me ndonjë agjendë, përpos të plasimit të lajmit si të parët. Këto janë informata që zakonisht janë marrë nga mediet e tjera botërore dhe si të tilla janë përdorur edhe për audiencën tonë. Duke qenë se me kalimin e kohës janë “klasifikuar” burimet e informacionit edhe intensiteti i dezinformatave ka rënë.

Cilat kërcënime për lirinë e medieve janë shfaqur gjatë periudhës së pandemisë?

Begolli: Gjatë pandemisë (pra këtë fillimvit) në raport me periudhën e parë të vitit të kaluar, ka pasur ngritje të pengimeve në punë të gazetarëve. Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës kemi reaguar për 13 raste, në ndërkohë që raste të lidhura direkt me raportimin për dhe mbi pandeminë janë gjithsej 3 raste. Sulmet verbale dhe pengimi në kryerje të detyrës janë vetëm dy nga pengesat me të cilat janë përballur gazetarët, të cilët përpos presionit nga individë të caktuar (persona fizik apo ligjor) janë përballur edhe me presionin e pandemisë në vazhdimësi.
Fatkeqësisht, edhe pse kolegët tanë nga e tërë bota janë marrë ekskluzivisht me raportimin mbi pandeminë, kolegët tanë në Kosovë që në fillim të pandemisë janë përballur edhe me ndodhitë politike në vend, më konkretisht rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e Qeverisë së re. Nga kjo mund të konstatojmë se rritja e sulmeve të të gjitha natyrave ndaj gazetarëve është rritur edhe për këtë fakt. Si rrjedhojë oraret e punës kanë qenë të stërzgjatura dhe puna është realizuar në kushte të jashtëzakonshme.

A janë shënuar raste të sulmeve/fyerjeve/kërcënimeve ndaj gazetarëve që nga shfaqja e COVID-19, nëse po, për çfarë rastesh bëhet fjalë? A konsideroni që gjatë krizës së pandemisë ka rritje të sulmeve/fyerjeve/kërcënimeve në raport me vitin e kaluar?

Begolli: Janë shënuar disa raste të pengimit në kryerje të detyrës gjatë pandemisë dhe gjatë raportimit për pandeminë, fjala është për gazetarët Yllka Ahmetgjekaj (PERISKOPI), Tatjana Llazarevic (KOSSEV), Ekipi i gazetës BLIC. Presioni mbi gazetarët përpos nga raportimi për pandeminë dhe kushtet në të cilat kanë raportuar siç janë ora policore dhe oraret e ndryshme, është shtuar edhe gjatë raportimit për ngjarjet politike në vend gjatë periudhës së pandemisë. Numri i sulmeve ka shënuar ngritje gjatë kësaj periudhe të vitit, për dallim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .