BE nuk planifikon të heq pasaportën jeshile të vaksinimit më 20 tetor

Në rrjetet sociale vazhdon dezinformimi dhe hutimi i opinionit publik. Shqetësues vazhdon të mbetet dhe interaksioni i lartë në postimet që përhapin dezinformata. Përmbajtja që recensojmë pretendon se “BE ka vendosur të heq pasaportën e vaksinimit dhe me këtë rast nuk do ketë nevojë të vaksinohen ata të cilët akoma nuk janë vaksinuar”.

Përmbajtja që përhap dezinformim mban titullin “Kush E Hëngri, E Hëngri”, Konspiracionisti Alfred Cako Ndërron Mendje: Pas 20 Tetorit Merr Fund… Titulli në fjalë është shpërndarë në rrjetin social “Facebook” nga një profil me emrin “Shqipëria” dhe në vetëm pak ditë postimi ka marr mbi 600 pëlqime, mbi 180 komente dhe është shpërndarë mbi 70 herë nga përdorues tjerë në “Facebook”.

Pra, përmbajtja bazohet në komentet e konspiracionistit të njohur për publikun Alfred Cako. Figura e Cakos ka qenë shumë dominante në media gjatë kësaj periudhe, kryesisht për teoritë konspirative dhe fushatën anti-vaksinim, ka nga ata që nuk i marrin parasysh komentet e këtij presoni jo-kompetent për çështjet në fjalë por ka edhe shumë nga ata që e besojnë dhe manipulohen nga komentet e tij. Alfred Cako është një figurë kontroverse nga Shqipëria komentet e të cilit nuk bazohen në fakte dhe hulumtime shkencore. Dezinformatat e Cakos kanë evoluar varësisht se si ka rrjedhur situata me COVID 19. Aktualisht komentet e tij kanë të bëjnë me procesin e vaksinimit për tu mbrojtur nga COVID19.

Në përmbajtjen që recensojmë Cako pretendon se: “Mbas dates 20 tetor ka shume gjasa qe BE të heqe pashaporten jeshile. Kush e hengri cpimin, e hengri”. Megjithatë, për momentin nga autoritetet relevante nuk ka ndonjë informacion zyrtar se BE po pretendon të ndërmerr një hap të tillë. Ndërkohë, Cako nuk harron të përsërisë teorinë absurde se përmes vaksinimit njerëzve po ju futën çipa në organizëm.

Çfarë është pasaporta jeshile?

Certifikata evropiane e udhëtimit COVID-19 është krijuar nga Bashkimi Evropian si një përpjekje për të rivendosur lirinë e udhëtimit, e cila është kufizuar për më shumë se një vit, pra që nga përhapja e pandemisë në të gjithë bllokun. Përmes certifikatës, Komisioni Evropian synon të heqë kufizimet e udhëtimit si ndalimet e hyrjes, detyrimin e karantinës dhe testimin. COVID19 Pasaporta ose Certifikata e Vaksinës është një dokument që mund t’i jepet një udhëtar në formë letre ose dixhitale.

Në varësi të statusit të udhëtarit, ekzistojnë tre lloje të pasaportave të BE-së për COVID-19.

Pasaporta e vaksinimit
Certifikata e testit
Certifikata e rimëkëmbjes

Pasaporta e BE -së për Vaksinimin kundër COVID lëshohet për të gjithë ata persona që janë vaksinuar kundër COVID19, me një nga katër vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë, të cilat janë:

Comirnaty (BioNTech, Pfizer)
Moderna
Vaxzevria (Vaksina e mëparshme COVID-19 AstraZeneca, Oksford)
Janssen (Johnson & Johnson)

Komisioni gjithashtu ka lejuar Shtetet Anëtare të lëshojnë certifikata për udhëtarët e vaksinuar me vaksina të ndryshme nga ato të miratuara nga EMA. Sidoqoftë, vendimi i takon secilit Shtet Anëtar individual nëse ata duan të lejojnë hyrjen për ata të vaksinuar me vaksina të tilla apo jo.

E ri-përsërisim: Në organizëm nuk mundet të futën çipa përmes vaksinës

Ekspertët thonë se nuk ka asnjë mundësi që në përmbajtjen e vaksinës të futet ndonjë material teknologjik.  Dr.Wilbur Chen, shkencëtar i sëmundjeve infektive në Qendrën e Universitetit të Maryland për Zhvillimin e Vaksinave dhe Shëndetin Global, tha për Polifact se ideja e një vaksine që përmban teknologjinë RFID është absurde.

“Edhe versioni më i vogël i mikroçipave është shumë i madh për të depërtuar në gjilpërën e një vaksine. Mikroçipat që përdoren zakonisht për ti gjurmuar kafshët shtëpiake janë të vogla sa një kokërr orizi, ose në fjalë tjera janë të mëdha sa një kokërr orizi. Asnjë nga gjilpërat e vaksinimit që përdorim nuk ka diametër të tillë që të lejojë të kalojë qoftë edhe një kokërr orizi”, u shpreh Dr.Wilbur Chen.

Vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për parandalimin e sëmundjeve. Vaksina i ndihmon sistemit imunitar që ti njoh dhe ti luftojë patogjenët (faktorët që shkaktojnë sëmundje) si viruset ose bakteret. Është i pavërtetë dhe absurd pretendimi i Alfred Cakos se përmes vaksinave njerëzve po ju futen çipa në trup. Pikë së pari, nuk është hera e parë që populli në mbarë botën vaksinohet për të mbrojtur nga një sëmundje. Dimë historikisht se njerëzit ndër vite janë përballur me pandemi të ndryshme dhe vaksina ka qenë zgjidhje. Më pas, imunizimi është një histori globale e suksesit për shëndetin dhe zhvillimin, duke shpëtuar miliona jetë çdo vit. Vaksinat zvogëlojnë rrezikun e marrjes së një sëmundjeje duke punuar me mbrojtjet natyrore të trupit tuaj për të krijuar mbrojtje.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari