BE-ja kritikon, Maqedonia e Veriut me 1000 deponi të egra dhe dhjetëra deponi komunale ilegale

Hedhje e mbeturinave, foto: Qyteti i Shkupit

Plotësimi i ‘Agjendës së gjelbër’ është një hap shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Në raportin e fundit të progresit të publikuar nga Komisioni Evropian vendi jonë mori një sërë kritikash sa i përket mjedisit dhe ekologjisë. Institucionet shtetërore duhet të përmirësojnë  koordinimin ndër-sektorial, të rrisin fondet për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe të ndërmarrin hapa serioze në menaxhimin e mbeturinave, shkruan Portalb.mk.  

Menaxhimi i duhur i mbeturinave është pjesë e detyrimeve që vendi ynë duhet të përmbushë përmes kapitullit 27 për mjedisin jetësor, si parakusht për t’u bërë anëtar i plotë i BE-së. Por, ky hap është shumë larg realizimit në Maqedoninë e Veriut. Raporti tërhoqi vëmendjen në zvarritjen e miratimit të dy dokumenteve strategjike në mbrojtjen e natyrës.

“Maqedonia e Veriut ka një far niveli përgatitjeje në këtë fushë. Është arritur përparim i kufizuar në mbrojtjen e natyrës dhe ndryshimet klimatike. Megjithatë, zbatimi në të gjithë sektorët mbetet një çështje shqetësuese. Vendi inkurajohet të rrisë ndjeshëm ambiciet në lidhje me tranzicionin e gjelbër, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Për çështjet horizontale, kapaciteti administrativ në të gjitha nivelet mbetet i dobët, me burime të pamjaftueshme financiare për të zbatuar dhe zbatuar legjislacionin ekzistues. Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve (2021-2031) dhe
Plani për Parandalimin e Mbetjeve (2021-2027) pritet të miratohet.”, theksohet në Raportin e Progresit të publikuar në tetor të vitit 2021.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), pa dashur të tregojnë se cilët janë arsyet e zvarritjes së këtyre dy dokumenteve strategjike, për Portalb.mk bëjnë të ditur se njëri dokument e ka kaluar fazën e miratimit ndërsa tjetri vazhdon të jetë në pritje për miratim.

“Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve (2021-2031) është miratuar në shtator 2021. Plani për parandalimin e mbetjeve (2021-2027) është hartuar dhe për momentin do të inicohet një procedurë e vlerësimit strategjik për planin, në përputhje me Ligjin për Mjedisin. Pas përfundimit të kësaj procedure do të miratohet plani. Në kuadër të Vlerësimit Strategjik të Planit do të mbahet një dëgjim publik”, deklaroi Ana Karanfilova udhëheqëse e sektorit për menaxhimin e mbeturinave, MMPJH.

Më tej Raporti thekson se shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk u zbatuan kështu që vitin ardhshëm, vendi duhet në veçanti duhet të fokusohet në:

  • përmirësimin e koordinimit ndër-sektorial dhe rritjen e burimeve financiare për reduktimin e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar;
  • të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve;
Mbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Mbeturinat në Lumin Shkumbin Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Menaxhimi i mbetjeve është një sfidë e madhe për RMV-në të mbushur me deponi ilegale

Edhe pse vlerësohen si kancer i natyrës në vendin tonë raportohet të ketë rreth 1 000 deponi të egra, megjithatë jo-zyrtarisht pretendohet se numri i deponive të egra është shumë më i lartë se 1 000 . Ndërkohë, ka 57 deponi komunale, të cilat edhe pse funksionojnë si deponi legale, nuk janë në përputhje me ligjin kombëtar për menaxhim të sigurt të mbetjeve. Maqedonia e Veriut në të gjithë territorin e saj ka vetëm 1 deponi që është në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe menaxhohet relativisht mirë. Bëhet fjalë për deponinë “Drisla”, e cila i shërben rajonit të Shkupit, me rreth 590 000 banorë dhe merr afërsisht 180 000 ton mbeturina në vit.

Sipas Planit Kombëtar (2021-2030) deri në vitin 2030, në vend do të ndërtohen gjashtë deponi rajonale, si dhe deponitë ekzistuese dhe deponitë e mbeturinave (deponitë ilegale) do të mbyllen. Megjithatë, ndërtimi i deponive rajonale me standarde evropiane duket ende larg realizimit final.

“Po, Qeveria ka dorëzuar kërkesë për kredi në BERZH për ndërtimin e sistemeve rajonale për 5 rajone planore (Jugperëndim, Pellagoni, Juglindor, Vardar dhe Pollog), ndërsa për Lindjen dhe Verilindjen është dhënë grant nga programi IPA”, tha Ana Karanfilova.

Kjo problematikë serioze e mjedisit jetësor nuk u anashkalua as në Raportin e Progresit për vendin tonë. Për sa i përket menaxhimit të mbetjeve, BE-ja kritikoi Maqedoninë se ka kapacitete të dobëta administrative si dhe zbatim të ulët dhe bashkëpunimi i kufizuar ndër-sektorial.

“Deponitë ilegale vazhdojnë të përfaqësojnë një çështje të rëndësishme mjedisore ndërkohë krijimi i sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve vazhdon të përballet me vonesa”, theksohet mes tjerash në Raport.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të grumbulluara në RMV në vitin 2020 është 630 086 tonë ndërsa sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të krijuara është 913.033 ton. Krahasuar me vitin 2019, sasia totale e mbetjeve komunale të grumbulluara në vitin 2020 është ulur me 0,4%. Sasia vjetore e mbetjeve komunale të gjeneruara për frymë në vitin 2020 është 452 kg për person, që është 1.0% më pak se e njëjta sasi në vitin 2019.

Gjenerimi i mbetjeve komunale në RMV dhe sasia vjetore për kokë banori/ Burimi: Enti Shtetëror i Statistikave

Shumica e mbeturinave përfundojnë në deponi të egra, vetëm një përqindje e vogël riciklohet

Sipas një raporti të publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit sistemi i menaxhimit të mbeturinave në Maqedoninë e Veriut sot karakterizohet nga një shkallë mjaft e ulët e riciklimit. Sistemi kryesor për grumbullimin e mbeturinave në Maqedoninë e Veriut përbëhet nga pikat e sjelljes me kontejnerë për grumbullimin e mbeturinave. Rregullimi i menaxhimit të mbetjeve është përgjegjësi e Komunave, por në vitin 2019 vetëm 78 % e popullsisë mbulohej nga shërbimet e grumbullimit të mbetjeve.

Shkalla e riciklimit është shumë e ulët në 0,3 %, dhe kompostimi/tretja ra nga 0,4 % në 2015 në 0 % në 2019. Sa i përket performancës së menaxhimit të mbetjeve, në të dhënat e Entit Shtetëror vërehet niveli shumë i ulët i riciklimit edhe gjatë vitit 2020. Sipas llojeve të mbeturinave, sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara janë mbeturinat e përziera komunale – 525 745 ton ose 83,4%. Gjatë vitit 2020 vetëm 2-3% e mbetjeve komunale u mblodhën për riciklim, kryesisht nga mbledhësit informalë të mbetjeve, të cilët mbledhin mbetjet nga vendgrumbullimet dhe koshët dhe më pas ia shesin industrisë së riciklimit. Prandaj, ka nevojë për veprime intensive nga shteti, autoritetet lokale dhe sektori i biznesit për të përmirësuar në këtë fushë.

Llojet e mbetjeve komunale për vitin 2022 / Burimi: Enti Shtetëror i Statistikave

Shkalla e ulët e riciklimit në vendin tonë në Raportin e Progresit vlerësohet si situatë e rëndë dhe kërkohet nga autoritetet që sa më shpjet të zhvillojë një strategji për menaxhimin e mbetjeve.

Riciklimi mbetet në nivele jashtëzakonisht të ulëta në Maqedoninë e Veriut. Sipas ekspertëve dhe vëzhguesve, vendi duhet të zhvillojë shpejt një strategji për menaxhimin e mbetjeve. Statistikat konfirmojnë situatën e rëndë: ndërkohë që sasia totale e mbetjeve të grumbulluara në vend ka ardhur vazhdimisht në rritje, riciklimi po shkon në drejtim të kundërt. Në vitin 2017 Maqedonia e Veriut gjeneroi 787,000 ton mbeturina, nga të cilat vetëm 0.6% u ricikluan. Në vitin 2018, mbetjet u rritën në 855,000 tonë, me një normë riciklimi 0.5%. Në vitin 2019, mbetjet arritën në 916,000 tonë, ndërsa kapaciteti i riciklimit ra në vetëm 0.3%”, alarmon Raporti i Progresit.

Iko Bradaroski nga “Pakomak”, një kompani jo-fitimprurëse e riciklimit të ambalazheve nga produktet e përdorura, thotë për Portalb.mk se numri i të mirave nga procesi i riciklimit është shumë i madh si për njerëzit ashtu edhe për natyrën.

Përfitimi më i madh është kursimi i burimeve natyrore, ujit pyjor, tokës dhe ajrit. Kursehet  energji sepse nevojitet 30% më pak energji për t’u ricikluar sesa të bëhet nga natyra, por gjithashtu kursen vajin nga i cili prodhohet plastika. Ndërmarrjet Komunale nga njëra anë do të kishin një burim shtesë financimi dhe nga ana tjetër do të transportonin më pak mbeturina nëpër deponi (kryesisht jo sipas standardeve)”, tha Iko Bradaroski.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë barrën e keq-menaxhimit të mbetjeve e hedhin te pushteti lokal.

“Fatkeqësisht, Komunat e kanë të vështirë t’i pranojnë këto reforma dhe kanë pak ose aspak angazhim për të krijuar një sistem parësor të përzgjedhjes së mbetjeve. E para në këtë aktivitet është komuna e Prilepit, pastaj Shkupi dhe Kumanova, por fatkeqësisht nuk mjafton”, deklaroi Ana Karanfilova.

Nga ana tjetër nga kompania e riciklimit “Pakomak” vlerësojnë se edhe përkundur kontributit që e japin kompanitë private pa pasur bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe atij qendror nuk mundet të ketë zgjidhje të qëndrueshme kur bëhet fjalë për menaxhimin e mbetjeve.

“Nga viti 2011 deri në vitin 2021 në Maqedoni ka progres të dukshëm në fushën e mbeturinave, por ende nuk është i mjaftueshëm! Ka plane për ta zgjidhur në mënyrë sistematike, por ka pengesa të vazhdueshme mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Pa bashkëpunim mes tyre, është e vështirë të ndërmerren dhe të krijohen zgjidhje sistematike. Pakomak bashkëpunon me mbi 40 Komuna dhe me qytetin e Shkupit. Në to jetojnë mbi 70% e popullsisë në vend, në këto komuna ne kemi vendosur mbi 3200 kontejnerë të ndryshëm dhe mbi 12 000 kosha për amvisëri individuale. Kjo përbën 1/3 e numrit të përgjithshëm të kontejnerëve të mbetjeve komunale të instaluara nga ndërmarrjet komunale në vend, kështu që kemi rritur infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve me 30%. Përmes sistemit Pakomak mblidhen mesatarisht 25 mijë ton mbetje ambalazhi, kryesisht letër, plastikë dhe qelq. Pakomak financohet plotësisht nga nga vet bizneset. Më shumë se 600 kompani janë anëtarë të sistemit tonë dhe i paguajnë Pakomak-ut për të mbledhur dhe ricikluar mbetjet e tyre të paketimit”, u shpreh Iko Bradaroski.

Në mungesë të një kornize të rregulluar ligjore ka shumë kompani “riciklimi” që gjenerojnë të ardhura pa bërë asnjë punë konkrete në terren. Ky problem duhet të zgjidhet sa më shpjet nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

Në fushën e mbetjeve të ambalazhimit, prej kohësh tolerohen operatorë kolektivë të cilët të cilët në fakt  nuk punojnë në terren, pra nuk vendosin kontejnerë apo kosha, ose nuk bëjnë asnjë aktivitet për ndërgjegjësimin e qytetarëve për nevojën e riciklimit të mbetjeve! Mbase qytetarët dhe bizneset as nuk e dinë që ekzistojnë ato kompani, por ato grumbullojnë mjaftë para dhe i zgjatin lejen e punës pa asnjë rezultat rezultat! Besojmë se Ministria e Mjedisit do t’i japë fund kësaj praktike këtë vit dhe do të marrë përsipër të sjellë brenda kornizës ligjore të gjitha kompanitë që deri më tani kanë shmangur pagesën e dëmshpërblimit për mbetjet e tyre të ambalazhimit. Kjo do të rrisë fondin real të mjeteve për investime më të mëdha në infrastrukturën e përzgjedhjes së mbetjeve”, shtoi Iko Bradaroski nga “Pakomak”.

BE-ja promovon veprim të fortë klimatik, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit. Ligji i BE-së përmban dispozita që adresojnë ndryshimet klimatike, cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës, ndotjen industriale, kimikatet, zhurmën dhe mbrojtjen civile. Vendet e BE-së madje dominojnë listën e vendeve botërore për shkallën më të lartë të riciklimit të mbeturinave. Gjermania është vendi i parë në botë për shkallën më të lartë të riciklimit me 51.6%, e ndjekur nga shteti i saj fqinjë Austria me 53.8%.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.