Avokati rus paraqitet si profesor i rrejshëm nga Shkupi, imazhi i tij përdoret për shitjen e një ilaçi për tensionin

 Fotografia e një avokati të njohur rus është keqpërdorur për të prezantuar një profesor të rrejshëm, “Miodrag Atanasovski të Klinikës Universitare në Shkup, shef i departamentit të kirurgjisë vaskulare”. Atanasovski nuk është as në listën e koduar të mjekëve specialistë që punojnë në institucione shëndetësore publike dhe private. Në postimin që përhapet në Facebook, atij i jepen performanca të mrekullueshme – ka kryer 1800 operacione të hapura të trurit, dhe pacienti më i ri që e operoi ishte vetëm 2 ditë i vjetër.

Një reklamë e trilluar plotësisht e mashtron publikun, duke prezantuar një ilaç që bën mrekulli për presionin e lartë të gjakut. Më tej ekziston deklaratë për efektivitetin e pretenduar të produktit, dhënë nga një “profesor” i trilluar nga Shkupi, për të cilin përdoret një fotografi, as më pak dhe as më shumë, por e avokatit të shquar rus Henry Reznik!.

Në tekstin reklamues manipulues që e recensojmë, i cili ilustrohet me Reznik, ai nuk paraqitet si një avokat i njohur rus, hetues i krimit dhe kriminolog, kryetar i presidiumit të Shoqatës së Moskës, tituj që në të vërtetë i përkasin atij. Në këtë tekst të sajuar, ai paraqitet si “profesor Miodrag Atanasovski nga Klinika Universitare në Shkup, Shef i Departamentit të Kirurgjisë Vaskulare”! Fotoja e rreme është vendosur për të rritur dhe optimizuar besueshmërinë e deklaratave të transmetuara në tekst, që t’i jepet “fytyrë” fjalës, gjegjësisht deklaratat të lidhen me një person.

Reklama është për një përbërje të quajtur “Detonik”, për të cilën në tekst pretendohet se zgjat jetën nga 12 në 17 vjet, është i padëmshëm si çaji, ka kaluar hulumtime në Japoni dhe Izrael, por edhe në Institutin e Kardiologjisë në Maqedoni.

Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut nuk ka Institut të Kardiologjisë. Ekziston vetëm një Klinikë Universitare e Kardiologjisë, në të cilën nuk ka profesor me emrin Miodrag Atanasovski. Treguesi i parë se nuk ka mjek me një emër të tillë, aq më pak profesor, është se motori i kërkimit Google nuk e gjen këtë emër dhe nuk jep ndonjë rezultat për të, përveç reklamës së diskutueshme që e recensojmë.

Përveç faktit që Google nuk e gjen profesorin inekzistent Atanasovski, ai gjithashtu nuk është në listën e mjekëve specialistë që punojnë në institucione shëndetësore publike dhe private. Shikoni listën e plotë këtu.

E rrallë, por këtij identiteti të rremë – profesorit inekzistent Atanasovski, i jepen aftësi të mrekullueshme. Sipas reklamës, ai kishte kryer 1,800 operacione të hapura të trurit dhe pacienti më i ri që e operoi ishte vetëm 2 ditë i vjetër.

Gjithashtu, për preparatin që reklamohet me emrin “Detonik”, rrejshëm pretendohet se i është dhënë ndihmë financiare nga shteti në mënyrë që të mund të prodhohet në sasi më të mëdha. Sidoqoftë, ky preparat nuk është i regjistruar në regjistrin e barnave, e as pajisjeve mjekësore të MALMED, agjencia zyrtare shtetërore për barna dhe pajisje mjekësore në Maqedoni.

Pa hyrë në faktin nëse produkti është efektiv apo jo, hulumtimi ynë mbi këtë tekst tregon se një foto me identitet të rremë, me referenca inekzistente për një farë Miodrag Atanasovski, janë përdorur për reklamimin e tij. Për më tepër, pretendohet se preparati ka marrë ndihmë shtetërore, gjë që nuk është e vërtetë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.