Audio-regjistrime, tarallakë dhe provizione milionëshe

 

Një kronologji sistematike dhe e hollësishme e 14 „bombave” të publikuara deri më tani nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, në të cilën janë vendosur citime dhe informata kyçe për secilën prej tyre – dhe që kanë për qëllim të rikujtojnë, por edhe të shërbejnë si dokument për njoftim më të shpejtë me ngjarjet, të cilat paraqesin deri më tani krizën më të madhe politike në vendin tonë, e që përbëhen nga një numër i madh i veprimeve kriminale të kryera nga një grup i vetëm i njerëzve të dehur nga fuqia që kanë dhe që janë provë direkte për mekanizmin e politikave kriminale të aplikuara me qëllim që t’i jepet një goditje vdekjeprurëse demokracisë dhe institucioneve të saj në historinë e shkurtër të shtetit të pavarur të Maqedonisë. Përveç kësaj, është vendosur edhe skena në të cilën duhet të luhet epilogu i krizës politike, nëse ekziston një epilog i tillë.

Партиската говорница на СДСМ, Зоран Заев и неговите соработници - веќе познат мизансцен кој служи Македонија да ја осознае криминалната позадина во однесувањето  на власта и уште многу повеќе. Фото: СДСМ, видео клип скриншот
Foltorja partiake e LSDM-së, Zoran Zaevi dhe bashkëpunëtorët e tij – një mizanskenë tashmë e njohur që shërben që Maqedonia ta shikojë prapavijën kriminele në veprimet e Qeverisë dhe jo vetëm kaq. LSDM, video klip skrinshot

 

Shkruan: OliveraVojnovska

 

„Shefi shëtit me furgon dhe kërkon vende ndërtimi atraktive për „pesë pare” për të cilat ndihmësi i tij besnik duhet të angazhojë „tarallakë“ të ndryshëm. Ato nuk duhet të pyesin asgjë, por vetëm t’i mbyllin sytë kur të rikrijohen planet urbanistike me të cilat do të këputet një pjesë e malit, në të cilën pa pengesë do të relaksohet shefi pas misionit të mundimshëm patriotik. Këtë kënaqësi do t’ja mundësojnë off-shore kompani nga Belize, të cilat do t’i ndërtojnë tre vila madhështore dhe  hasienda, dhe gjithashtu do të ngrenë edhe mure rrethuese të lartë 6-7 metra që në çastet e tij të relaksit lideri të jetë larg syve të njerëzve të zakonshëm”….

 

Kjo nuk është skenë e ndonjë komedie koti, por vetëm një fragment i vogël i thriller-it politik të Maqedonisë, në të cilin masovikisht përgjohen mbi 20.000 qytetarë, ministri i policisë ka tefter për gjykatës, prokurorë, gazetarë, firmat „reketohen”, ndërsa të padëgjueshmit – marrin „goditje me çekan në kokë” ose kërcënime se „së bashku me familjet do të përfundojnë në hendek”! Dhe përderisa publiku mbetet i fataksur nga veprimet skandaloze të kryesisë së partisë në pushtet, në largësi jehon: „Alo kryeshef” dhe bën një miks të keq me „hitin” zgjedhor të ministres së policisë: „Le të zhduket ndonjë fletë”.

 

KRONOLOGJIA

Kjo mega aferë e cila deri më tani (30.03.2015) ka pasur 14 vazhdime dhe që rrezikon të lërë shenja të thella në shoqërinë e brishtë të Maqedonisë, „plasi” më nëntë shkurt (2015), dhjetë ditë pas shpërthimit të rastit „Puç“ (31.01.2014), në të cilin lideri i LSDM-së është i dyshuari i katërt. Megjithatë, kallëzimi penal nuk e pengoi Zaevin që ta shpërthejë „bombën” të paralajmëruar që moti. Detajet e para i zbardhi në konferencën për shtyp në selinë e partisë në Shkup (09.02.2015) ku theksoi  se me urdhër të „Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit”, është përgjuar e gjithë elita politike, gjyqësore, mediatike dhe e biznesit në Maqedoni si dhe diplomatë të huaj. Në listën e bisedave të përgjuara nuk janë vetëm bisedat telefonike të bëra midis dy kushërinjve! Nga ana tjetër, lideri i opozitës ka qenë i përgjuar pa ndërprerë plot katër vite.

 

Zaevi atëherë publikoi njëmbëdhjetë audio-regjistrime, mes të cilave edhe një bisedë të përgjuar telefonike për të cilën thotë se është mes ministrit të financave, Zoran Stavreski dhe ministres së punëve të brendshme, Gordana Jankullovska. Në të u dëgjuan diskualifikime personale për koordinatoren e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Sillvana Boneva (minuta 2,1 e videos). Për të Jankullovska thotë se „nuk kupton asgjë dhe se e ka kokën bosh”, ndërsa Stavreski e quan „shupak” dhe „budallaqe e rëndë të cilën duhet shkelur sa herë të jepet mundësia”, dhe vjen në përfundim se „nuk mbushet me mend sepse është në klimaks”!

 

Në periudhën e kaluar renditeshin „bomba” nga një – dy herë në javë dhe secila më e tmerrshme se paraprakja. Regjistrimet e publikuara nga „bomba” e dytë (15.02.2015), sipas LSDM-së, flasin për lidhjen direkte midis pushtetit dhe gjyqësorit. Shënimet e prezantuara të audio regjistrimeve, kinse, tregojnë se si janë rregulluar procedura në prokurori, vendime gjyqësore dhe ngritje në detyrë të gjykatësve të bindur ndaj partisë në pushtet.

 

АLO KRYESHEF“!

„Bomba” numër tre (20.02.2015), sipas Zaevit, dëshmon për atë se: „si pushteti e „ndreq” Ljube Boshkovskin”. Në selinë e partisë ai prezantoi më shumë audio regjistrime, të cilat kinse, tregojnë se arrestimi i Boshkovskit është proces i montuar politik dhe se Mijallkovi  e ka ditur paraprakisht se Boshkovski do të dënohet tetë vite. Mbulimin mediatik të ngjarjes Mijallkovi e rregullon me redaktorin e televizionit Sitell, Dragan Pavlloviq – Llatas („Alo kryeshef”: Ja q… nënën (Ljubes), ç‘të të them tani), si dhe me pronarin e Kanal5, Emill Stojmenovin, të cilët me kënaqësi dëgjojnë se ndaj çfarë nënçmimi ka qenë i ekspozuar Boshkovski.

Në bombën e katërt (25.02.2015) lideri i LSDM-së lajmëroi se pushteti ka përgjuar mbi njëqind gazetarë prej më shumë medieve, ndërsa për disa gazetarë janë bërë edhe dosje. Zaevi publikoi gjashtë  audio-regjistrime, të cilat e zbulojnë lidhjen Kryeministër-DSD-medie. Në një nga regjistrimet, sipas Zaevit, shefi i policisë sekrete, i pakënaqur nga orari i lajmeve në Sitell, i thotë Llatasit:

Unë ua bëj punët e pista, jua heq qafe Velian në mënyrën time, e dikush atje në ora nëntë (të mbrëmjes) jep program zbavitës.

Në bombën e katërt publiku për herë të parë në aferën „Përgjime” e dëgjoi edhe zërin e Gruevskit, i cili, kinse, kërkon nga ministri i transportit dhe lidhjeve, AKE të paguajë 500 mijë euro për filma dokumentarë.

Se kurdisjet kanë qenë metoda e preferuar e Gruevskit për të larë hesapet me të padëgjueshmit, sipas Zaevit, tregon edhe bomba e pestë (27.02.2015). Në këto biseda telefonike mund të dëgjohet se si, kinse, kryeministri e ka dirigjuar shkatërrimin e objektit „Kosmos” të Fijat Canoskit, i ka treguar ministrit Janakievski se si „ta rrafshojnë objektin me tokën”.

 

CIRKU „MEDRANO“ NË QENDËR

Bisedat telefonike (11), të cilat, kinse, zhvillohen midis ministrit të financave dhe ministres së punëve të brendshme, të zbardhura në bombën e gjashtë politike (02.03.2015), sipas Zaevit, zbulojnë se si pa pikë nikoqirllëku janë shpenzuar paratë e buxhetit për reklama dhe përmendore. Të dy ministrat në bisedat private mes veti pranojnë se janë duke ndjekur një politikë të çmendur:

Ne jemi të çmendur! Shpenzojmë për çokollatë, a nuk kemi bukë! (Stavreski)

Për Stavreskin, Gruevski është njeri „që ka humbur kontakt me realitetin”. Në një nga bisedat ai i ankohet Jankullovskës se kryeministri i është lajmëruar në mes të natës më kërkesë që ta mbarojë punën për një kredi prej 700 milionë euro:

Më erdhi në majë të hundës, me vinte ta kap telefonin dhe t’ia thyej kokën!

Më bombën e shtatë (06.03.2015), Zaevi i hapi çështjen për rregullshmërinë e raundeve të fundit zgjedhor. Në audio-regjistrimet, siç tha Zaevi, mund të dëgjohet se „si Jankullovska e pranon që në banesa me sipërfaqe prej 40 metra katrorë janë vendosur nga 50 njerëz prej Pusteci, të cilëve MPB u ka dhënë letra njoftimi”. Në bisedën telefonike, për të cilën lideri i LSDM-së potencoi se është mes saj dhe Martin Protogjerit, ajo madje edhe i përqesh njerëzit nga Pusteci:

Votimi në Qendër është si cirku Medrano, çmendinë. „Gjynafqarët” të kapur për dore votojnë dhe nuk hapin gojë.

Nga këto biseda kuptohet edhe se MPB ka qenë shndërruar në shtab zgjedhor të VMRO-DPMNE-së.

Në punë jemi të gjithë ne, tek ne kemi shtab… Ne në MPB, në VMRO-MPBO… për dallim nga institucionet tjera ne nuk ngurrojmë fare, për asgjë, i thotë Jankullovska Kirill Bozhinovskit.

 

Zaevi publikoi edhe bisedë telefonike në të cilën, kinse, Protogjer i kërrcënohet kryetarit të Federatës së futbollit, sepse ai nuk ka dashur të japë bileta falas për ndonjë ndeshje:

Majmuni i Federatës së futbollit me qëllim nuk jep bileta. Gruan, fëmijët, në hendek do i gjejë. Nënën e tyre komuniste. (Protogjer)

Bomba e tetë të cilën LSDM e publikoi më 10.03.2015 në Sallën Universale ngjalli një interesim të madh. LSDM akuzoi për vjedhje të materialit zgjedhor,  kinse, nën organizimin e ministrit Janakieski dhe numrit një të DSK-së.

 

Në një nga bisedat e përgjuara, Janakieski, kinse, i thotë ministrit të shëndetësisë Nikolla Todorov se do t’i bllokojnë ashensorët në Qendër.

Opozita më 12.03.2015 zbardhi një bombë të re – të nëntën me radhë të cilën e prezantoi kryetari i Qendrës, Andrej Zhernovski. Në një nga regjistrimet dëgjohet (prej në minutën 12,43 deri minutën 14,56 të videos) se si Jankullovska merret vesh për montim të përmendoreve në orën 6 të mëngjesit dhe si masovikisht të fshihen hard disqe në Komunë.

Në një regjistrim tjetër, kryeministri Gruevski, në lidhje me humbjen e VMRO-DPMNE-së në qendër, kinse, konstaton:

Raundin e parë, t’i kishim presparët, do të kishim mbaruar punë! (minuta 8,38 deri 8,42 e videos)

 

Në serinë e tretë të bisedave dëgjohet se si Gruevski, kinse, i thotë Janakieskit  të lejojë që „të vetët” të bëjnë sa më shumë fletëvotime të pavlefshme (minuta 10,18 deri 11,35 e videos) dhe jep udhëzime se si të parashtrohen më shumë ankesa (minuta 11,47 e videos) „që të fitojnë kohë e të rregullojnë punët në Qendër”.

 

FURGONI FAMOZ

Koha kur Zaevi e publikoi bombën e dhjetë (15.03.2015) përputhej me mbajtjen e tubimit të VMRO-DPMNE-së në Qendrën Sportive „Boris Trajkovski”. Gjashtë audio-regjistrimet, sipas Zaevit, konfirmojnë se kryeministri Gruevski ka qenë „i pandershëm dhe interesxhi”.

Ka shëtitur me një furgon të famshëm me disa bashkëpunëtorë nga pushteti ekzekutiv dhe ka biseduar me shifra që t’i kënaqë apetitet e tij megalomane. (Zaev)

Këto audio regjistrime tregojnë se pse me çdo kusht janë ndryshuar planet detale urbanistike në Komunën Qendër, si dhe kush qëndron pas off-shore kompanive që i paguajnë parcelat. Gruevski i thotë Janakieskit se i ka gjetur tokat ndërtimore për „pesë pare” dhe se ai duhet ta çojë punën deri në fund, sepse ka lloj lloj tarallakësh!

Një ditë më pas (17.03.2015) Gruevski u paraqit me demant, duke mohuar se disponon me pasuri në Vodno.

Bombën e njëmbëdhjetë LSDM e publikoi më 18.03.2015 në Strumicë, duke prezantuar audio regjistrime në të cilat funksionarë qeveritarë hapur flasin për reket, dënime të firmave, çrregullim të procesit zgjedhor … Në bisedën ndërmjet ministres Jankullovska dhe deputetit Sllave Goshev, ai propozon të „shkaktojnë incident” në një vendvotim në Strumicë që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet, dhe ministrja e këshillon : „le të zhduket ndonjë fletëvotim”.

 

GODITJA ME ÇEKAN

 

Bombën e dymbëdhjetë Zaevi e publikoi më 19.03.2015, ndërsa regjistrimet, sipas tij, dëshmojnë se tre veta – kryeministri, drejtori i DSK-së dhe ministrja e punëve të brendshme „e kanë kontrolluar të gjithë sistemin gjyqësor nëpërmjet rregullimit të kuadrove të vetë partiak për gjykatës dhe prokurorë”. Regjistrimi midis ministres Jankullovska dhe Mijallkovit flet për atë se si gjykatësit janë të shënuar me numra në tefter tek Jankullovska. Zaevi publikoi edhe biseda telefonike të drejtorit të DSK-së me kandidate për gjykatëse në atë kohë.

Lideri i LSDM-së zbardhi edhe bisedë për të cilën theksoi se është ndërmjet Jankullovskës dhe Stavreskit, në të cilën ministri do „t’ia nxijë jetën” një punonjësit të tij, sepse ka qenë i pabindur.

Është punëtor i mirë dhe njeri i ndershëm, por nëse do të tregojë forcë  do të marrë goditje me çekan, të shohë kujt i tregon forcë.

 

PARCELA NË VODNO DHE PROVIZIONE

Për serinë e bisedave telefonike të bombës së trembëdhjetë (23.03.2015), Zaevi thotë se zbulojnë se si Gruevski e demanton Gruevskin. Në to, kinse, mund të dëgjohet se:

Si Gruevski me precizitet merret vesh me Janakieskin ku dhe sa e madhe do të jetë parcela në Vodno, në emër të firmës në Belize, ku administrator ka qenë kumbari i tij (regjistrimi 1: Gruevski ka gënjyer për parcelat e tij në Vodno – (minuta 4,26 e videos)

 

Zaev thotë dhe se, „Gruevski i pranon Janakieskit se e ka gënjyer Fijat Canoskin se i kanë gjetur gabime në ndërtim”, ndërsa Janakieski propozon „t’i gjejnë parregullsi” që e gjithë barra të bie në kurriz të Canoskit: (regjistrimi 2: Gruevski e demanton Gruevskin – nga minuta 12,47 –  23,10 e videos)

 

Më 26.03.2015 Zaevi e publikoi bombën e 14 me biseda të përgjuara telefonike, të cilat, kinse, dëshmojnë se si kryeministri ka kurdisur tendera dhe ka marrë provizione milionëshe. Sipas tij, Gruevski është i përfshirë në skandal korruptiv me investim kinez për autostradat Shtip – Milladinovci dhe Kërçovë – Ohër. Ai thotë se nga regjistrimet mund të dëgjohet marrëveshje për provizionin prej më shumë se 25 milionë euro për të dy autostradat. Në njërin nga regjistrimet (biseda 11 midis Mile Janakieskit dhe Nikolla Gruevskit), kryeministri i thotë ministrit:

 

Do të pranojnë aq? Mos është shumë bre, a? Mos e teprojmë… Mhm. Provo me 15 të shohim si do të reagojnë, edhe hajde, paraqitu. (Gruevski)

Në bisedë tjetër të prezantuar nga LSDM, Gruevski, kinse, i ka bërë presion ministrit Janakieski të nënshkruajë për fasadë Barok për EVN-në dhe „City Gallery”-në duke e bindur atë se nuk mund të përgjigjet para ligjit nëse jep mendim si ministër, por do ta pësojë ndonjë nëpunëse nga Komuna Qendër.

Mendoj se nuk mund të shkojë njeri në burg për një mendim. (Gruevski)

 

NYJA POLITIKE E MAQEDONISË

Saga politike e Maqedonisë mori dimensione dramatike, pasi para më shumë se një muaj lideri i partisë më të madhe opozitare e zbardhi skandalin me përgjimin masiv të mijëra qytetarëve. Dhe çarja midis pushtetit dhe opozitës bëhet gjithnjë e më e thellë pas akuzave serioze për kriminalitet dhe korrupsion. Sa janë mundësitë për dalje nga ky qorsokak dhe a mund  të bëhet kjo me sa më pak pasoja për shtetin? Perceptimi më i shpeshtë është se epilogu nuk ka për të ndodhur për shpejt kohë , e as edhe shumë lehtë. Qeveria është „mbuluar” me vepra penale për të cilat nevojitet hetim gjyqësor i pavarur. Gjë që, nga ana tjetër, është e paimagjinueshme, veçanërisht, pas barrës që ra mbi gjyqësorin me publikimin e bombave nga përgjimi.

Lideri i LSDM-së, nga Salla Universale (09.03.2015) kërkoi dorëheqje të Qeverisë, të Prokurorit publik dhe udhëheqësisë së RTM-së. Ndërsa, në etapën e ardhshme të formohet qeveri kalimtare e cila do të organizojë zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Se Qeveria dhe Zvërlevski duhet të japin dorëheqje mendon edhe ish-Euroambasadori Ervan Fuere, gjë të cilën ai e tha në intervistë për 24Vesti. Megjithatë, kryeministri jo vetëm që nuk jep dorëheqje, por ai edhe i hedh poshtë bisedat si të montuara, të ngjitura. Nga tribuna partiake në QRS „Boris Trajkovski” në Shkup (16.03.2015) Gruevski porositi se formimi i qeverisë kalimtare është i mundur, por pa VMRO-DPMNE-në. Ndërsa, në seancën parlamentare (26.03.2015) kushtuar pyetjeve të deputetëve, ai u përgjigj se daljen nga kriza momentale e sheh tek procesi gjyqësor. Edhe prezantimi i Gruevskit në tubimin në Shtip (29.03.2015) nuk lë hapësirë për të besuar se së shpejti do të ndodhin ndryshime radikale në skenën politike. Kryeministri edhe atë herë tha qartë se ai nuk ka në plan t’i pranojë kërkesat e opozitës.

 

Në ndërkohë në partinë në pushtet u paraqitën disa rryma  – Forumi i patriotëve të lirë, i udhëhequr nga Profesori Jove Kekenovski dhe „Tresheja e Amsterdamit” në të cilën janë funksionarët e mëparshëm të qeverive të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Dimitrov, Vlladimir Llazareviq dhe Pero Dimshoski. Ato kanë një qëllim të përbashkët – reforma në parti dhe kthimin e saj në vlerat fillestare. Vetëm se, është herët të thuhet nëse kjo „treshe” dhe Forumi kanë kapacitet të bëjnë ndryshime serioze dhe ta demokratizojnë VMRO-DPMNE-në.

Është e vështirë të parashikohet se si dhe kur do të ndodhë zgjidhje e nyjës politike të Maqedonisë. Brukseli, nëpërmjet deputetëve në Parlamentin Evropian Ivo Vajlg, Edvard Kukan dhe Riçard Hovit, e filloi (30.03.2015) misionin ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Kjo përpjekje e parë për bisedime midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, e organizuar në ndërtesën e Europarlamentit, përfundoi pa sukses. Raundi i ardhshëm i bisedimeve është paralajmëruar të mbahet kah mesi i prillit, pas festës së Pashkëve, po në Bruksel. Qarqet politike dhe në përgjithësi publiku më i gjerë në Maqedoni nuk kishte pritje të mëdha nga bisedimet. Duke i ditur pozicionet diametralisht të kundërta të të dy partive, ishte e qartë se mundësitë për të ndodhur ndonjë progres dhe të arrihet marrëveshje janë pothuajse inekzistente. Elita politike e Maqedonisë, padyshim se do të duhet të bëjë përpjekje të mëdha dhe të sinqerta, por të tregojë edhe pjekuri për të dalë ngakriza. Zbardhja e aferës mund të hapë plagë të reja, por epilogu i saj do të luajë një rol të rëndësishëm në demokratizimin e shtetit.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.