Ashtu siç filloi, ashtu edhe përfundon pjesa e parë e fushatës – me shpifje, etiketime dhe fyerje
Këtë rrjedhë të fushatës e diktojnë edhe liderët e dy partive më të mëdha parlamentare, VMRO-DPMNE dhe LSDM, dhe ajo filloi që në fillim të pjesës zyrtare me etiketime dhe shpifje, madje edhe ndaj vetë sloganeve.
Shkruan: Teofil Blazhevski
Fushata për zgjedhjet lokale, raundi i parë i së cilës është caktuar për të dielën (19.10.2025), është e pazakontë në kuptimin që të gjitha partitë më të mëdha parlamentare i shohin këto zgjedhje si një referendum për të treguar se kush ka më shumë vlerë për të udhëhequr më tej shtetin në nivel qendror, dhe jo si 81 referendume të ndara për të treguar se kush ofron program më cilësor dhe më të realizueshëm për udhëheqjen e komunave dhe të Qytetit të Shkupit.
Në këtë kuptim, në mediat, në pjesën e programeve informative, dominojnë mesazhet e liderëve të partive politike në vend të kandidatëve për kryetarë komunash, të cilët i dërgojnë ato nga çdo tubim parazgjedhor apo nga çdo paraqitje e tyre në media. Këtë e tregon edhe ndjekja e deklaratave të liderëve të dy partive më të mëdha parlamentare në bllokun maqedonas – VMRO-DPMNE dhe LSDM, Hristijan Mickoski dhe Venko Filipçe, të cilët flasin për tema kombëtare, tema që lidhen me pushtetin qendror, duke përdorur shpesh edhe gjuhë fyese ndaj kundërshtarit politik, gjë që më pas e arsyetojnë duke thënë se pala tjetër e ka filluar e para (shih këtu dhe këtu).
Mickoski: Votoni për ne sepse shtëpia e tyre janë bizneset, tenderët dhe fabrikat e marihuanës
Shtëpia e tyre, për të cilën po luftojnë, janë bizneset, tenderët, marrëveshjet “sy më sy”, fabrikat e marihuanës, dëshira për të përfituar në mënyrë të pandershme dhe kriminale. Ata e dinë se me çdo votë më shumë, me çdo mbështetje më shumë për ne, ata janë të mbaruar dhe kështu e shohin në sy fundin e tyre politik. E fundi politik do të thotë edhe përballje me atë që më së shumti i frikësohen, drejtësinë. Të gjitha këto për të cilat po ju flas, të dashurit e mi, mund t’i keni parë si në një film gjatë këtyre dy javëve e gjysmë të fushatës për raundin e parë të këtyre zgjedhjeve lokale. Është plotësisht e qartë se me një opsion ecim përpara, ndërsa me tjetrën kthehemi prapa. Kujtohuni vetëm për ato 7 vite kur në pushtet ishin LSDM dhe BDI. Me një zgjidhje luftoni për lagjen tuaj, për komunën tuaj dhe për të ardhmen e përbashkët, ndërsa me tjetrën luftoni për interesat e tyre personale. (Mickoski në Berovë).
Një variant të ngjashëm të kësaj teme pati edhe në Dellçevë:
Dua t’i kushtoj vëmendje një paradoksi që po ndodh, duke e parë fushatën e kundërshtarëve tanë. E dëgjoj Venkon teksa thotë se në këtë shtet po ndodhka një “cunam”, nga keq në më keq… Ku ishin ata para një viti e gjysmë, ata bashkë me BDI-në ishin në pushtet shtatë vjet. Ne nuk e filluam nga dritaret, fasada apo çatia e shtëpisë sonë, e filluam nga themelet. Ata ndryshuan emrin, kushtetutën, sollën inflacion dyshifror, përfituan nga tenderët, madje edhe nga vaksinat bënin fitime. Premtuan se do t’i sillnin Facebook-un dhe Google-in, por investimi i vetëm ishte ai në fabrikat e marihuanës…
A është i vetëdijshëm ky njeri se nëse dëgjohen fjalimet dhe paraqitjet e Venkos kur ata ishin në pushtet dhe tani që janë në opozitë, bëhet fjalë për dy botë krejtësisht të ndryshme… “Venko në pushtet dhe Venko në opozitë janë të ndryshëm për 180 gradë, pra tani është Venko kundër Venkos.” Problemi është se ata mendojnë se me këto paraqitje do ta vazhdojnë të njëjtën këngë dhe mendojnë se populli ka kujtesë të shkurtër, por nuk është kështu. (Mickoski në Dellçevë).
Filipçe: Qeveri e paaftë dhe jokompetente, prandaj votoni për ne – Hristijan, të përçmojnë
Me këtë qeveri të paaftë të VMRO-DPMNE-së, ngadalë por sigurt po zhduken investimet e huaja nga Maqedonia”… Shtrohet pyetja: ku u zhdukën investitorët e huaj? Pse e humbën besimin ndaj shtetit? Përgjigjja është e qartë – ata e dinë se shtetin e udhëheq një qeveri pa vizion, pa interes për zhvillim, pa kapacitet për reforma dhe për të ardhme evropiane… Kjo është pasojë e paaftësisë dhe e mospërgjegjshmërisë së qeverisë së Mickoskit. Prandaj, më 19 tetor qytetarët do të dërgojnë një mesazh të fortë: Mjaft me gënjeshtra dhe premtime boshe. Është koha për numrin 5 – për zhvillim, stabilitet dhe për një Maqedoni evropiane. (Filipçe në Mavrovë-Rostushë).
Ose një ditë më parë në Manastir:
…Kjo qeveri nuk i zgjidh problemet e njerëzve, por i injoron ata. Kjo qeveri shkel mbi solidaritetin, njerëzillëkun, demokracinë, përparimin dhe drejtësinë. Dhe kjo na dhemb. Na dhemb sepse shohim se kjo nuk është Maqedonia që e meritojmë. As Manastiri siç e imagjinojmë… Le të kthejmë Maqedoninë në duart e popullit të saj. Këto nuk janë vetëm zgjedhje lokale. Kjo është një çështje e vlerave… (Filipçe në Manastir)
Ose tri ditë më parë nga Jegunovci:
Mickoski dje thotë se LSDM ka urrejtje patologjike ndaj VMRO-DPMNE-së. Mickoski flet për urrejtje – ndërsa vetë është burim i urrejtjes. Gjatë gjithë vitit ofendon, poshtëron dhe ndan popullin… Askush nuk të urren ty, Mickoski – por të përçmojnë. Të përçmojnë për të gjitha gënjeshtrat dhe manipulimet pa turp që i shërben gjithmonë kur përballet me dështim ose me të vërtetën që të dhemb. Të përçmojnë ata që i mashtrove me gënjeshtra për të ardhur në pushtet, e pastaj nuk realizove asgjë. Të përçmojnë të gjithë ata që besuan se je njeri i popullit, por doli se je kryeministri më arrogant që ka pasur Maqedonia. (Filipçe nga Jegunovci).
ODIHR ka vlerësuar mirë kontekstin politik
Ky zhvillim i fushatës, i cili shpesh vlerësohet si fushatë e zezë, dhe i cili është përforcuar edhe me një fjalor më të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, zhvillohet brenda skenës politike ku edhe shumë para fushatës zyrtare zgjedhore, në retorikën politike dominonin çështjet kombëtare si identiteti, gjuha, të drejtat e pakicave, etj. Në fakt, në Raportin e Përkohshëm që përgatiti misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR për periudhën 5 shtator – 1 tetor, i publikuar më 3 tetor, në pjesën “Histori dhe kontekst politik” thuhet:
Mjedisi politik vazhdon të jetë i polarizuar, përfshirë edhe nga linja etnike. Në diskursin publik dominojnë çështjet lidhur me identitetin kombëtar dhe të drejtat e komuniteteve etnike, si dhe debatet mbi ndryshimet e pazgjidhura kushtetuese dhe reformat e nevojshme për përparim në negociatat për antarësim në Bashkimi Evropian (BE). Për më tepër, çështjet ligjore që kanë rëndësi për komunitetet etnike, si sfidimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve që është në shqyrtim para Gjykatës Kushtetuese, si dhe përfaqësimi i drejtë i individëve që i përkasin të gjitha komuniteteve në institucionet publike dhe në fusha të tjera të jetës publike, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ambientit të këtyre zgjedhjeve.
Në këtë pjesë përmendet se edhe tragjedia në Koçan ka kontribuar në perceptimin negativ ndaj institucioneve, gjë që gjithashtu mund të vërehej gjatë pjesës së parë të fushatës zgjedhore dhe në fjalimet e liderëve të partive politike.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari