Asambleja e Përgjithshme e OKB-së si poligon ushtarak: Perëndimi për paqe, Rusia për kombe të përçara

Foto e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: Mojnsen, CC BY-SA, Commons 4.

Beteja me narrativat proruse këto ditë është zhvendosur në godinën e OKB-së, ku nga 22 deri më 30 shtator 2025 u mbajtë sesioni jubilar i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme. Tema e sesionit të sivjetshëm është mjaft domethënëse për momentin aktual në botë – “Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejta të njeriut”.

 

Shkruan: Stojan Sinadinov

Federata Ruse këto ditë po përpiqet me të gjitha forcat të mbrojë pozicionin e saj në skenën botërore, më saktë në sallat dhe korridoret e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme. Kjo nuk po i shkon lehtë, gjë që dëshmohet edhe nga fjalori nervoz i përfaqësuesit rus në Kombet e Bashkuara.

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit janë ngritur në nivelin më të lartë që nga fillimi i pushtimit të plotë ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, pasi më 19 shtator tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe qëndruan aty 12 minuta. Edhe pse Moska, tashmë tradicionalisht, mohoi se kishte shkelur hapësirën ajrore të një vendi anëtar të NATO-s, Aleanca dhe Bashkimi Evropian reaguan ashpër ndaj “provokimeve” të reja ruse.

Beteja me narrativat proruse u zhvendos në godinën e OKB-së, ku nga 22 deri më 30 shtator 2025 u mbajtë sesioni jubilar i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme. Tema e sesionit të sivjetshëm ishte mjaft domethënëse për momentin aktual në botë – “Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejta të njeriut”.

 

A e zemëruan “migët” rusë Trumpin?

Shkelja e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët rusë “MiG-31” shkaktoi ndoshta qëndrimin më të ashpër të Donald Trump-it ndaj Rusisë që kur është në krye të Shtëpisë së Bardhë, duke deklaruar se vendet anëtare të NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë nëse ata shkelin hapësirën e tyre ajrore. Njëkohësisht, ai shprehu mbështetje më të madhe për shanset e Ukrainës që ta fitojë luftën.

Putini dhe Rusia janë në probleme të mëdha ekonomike, tani është koha që Ukraina të veprojë. Në çdo rast, u uroj gjithçka të mirë të dy vendeve. Ne do të vazhdojmë t’i furnizojmë me armë NATO-n, që NATO të veprojë siç e sheh të arsyeshme. Suksese për të gjithë!, tha Trump. 

Ky qëndrim i ashpër i Trump-it shkaktoi një përgjigje të vakët, madje edhe pajtuese nga Moska, gjë që mund të lexohet midis rreshtave në deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, për mediat ruse, i cili përpiqet të minimizojë termin “tigër prej letre”.

Rusia nuk është aspak tigër, megjithatë Rusia më shumë lidhet me arushën, dhe arusha prej letre nuk ekziston, ndërsa Rusia është një arushë e vërtetë. Putini vazhdimisht dhe me emocione të ndryshme e ka përshkruar arushën tonë. Nuk ka asgjë prej letre në këtë, tha Peskov, sipas asaj që transmeton “Sputnik” rus në gjuhën serbe. 

Një ditë më vonë qëndrimi i Kremlinit u zbut edhe më shumë ndaj retorikës që vinte nga SHBA, kështu që Peskov deklaroi se ajo nuk është në kundërshtim me dëshirën e tyre të shpallur për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Jo, nuk është në kundërshtim. Po shohim një retorikë të ndryshme që vjen nga Uashingtoni. Për momentin, supozojmë se Uashingtoni ruan vullnetin politik, dhe presidenti (Donald) Trump e mban vullnetin politik për të vazhduar përpjekjet për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë, transmeton “Russia Today” në gjuhën serbe, duke iu referuar deklaratës së Peskov.

Dhe ndërsa bota analizon mundësitë e pasojave pas një ndryshimi tjetër të papritur të qëndrimit të Trump-it për përfundimin e luftës në Ukrainë – i cili në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme tha se SHBA-të janë “plotësisht të gatshme të vendosin një rundë shumë të fortë tarifash të fuqishme” nëse Rusia nuk është “e gatshme të arrijë një marrëveshje për ndalimin e luftës” – është interesante të analizohen narrativat që përfaqësuesit rusë po promovojnë në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

 

“Arusha prej letre” kërcënon Europën

Pas vërejtjes së drejtpërdrejtë nga Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe sigurie e BE-së, se “këtu në këtë sallë është e pranishme një shtet që aktivisht përpiqet të minojë vlerat dhe parimet për të cilat vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara janë angazhuar të respektojnë”, pasi nuk mund të ishte rastësi që të shkelte hapësirën ajrore evropiane tre herë brenda dy javësh, dhe më pas nga Margus Tsahkna, ministri i jashtëm i Estonisë, i cili tregoi fotografi nga afër të avionëve rusë, duke theksuar se të gjithë “mbajnë raketa dhe ishin luftarakisht të gatshëm”, si dhe qëndrimit të qartë të ambasadorit të ri amerikan në OKB, Mike Waltz, se “SHBA dhe aleatët e saj do të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, pasoi një përgjigje nervoze nga zëvendësi i përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në OKB, Dmitri Polianski.

Diplomati rus, me një fjalor ofendues të pa dëgjuar më parë nga ajo foltore, i drejtuar kryesisht ndaj evropianëve, në stilin e “votabautizmit” – një strategji propagandistike e përgjigjes ndaj akuzave me kundër-akuzë, në vend që të ofronte shpjegim ose mbrojtje ndaj akuzës origjinale – i akuzoi ata se po shpërndajnë “urrejtje primitive” ndaj Rusisë.

 

Duke pretenduar se “ka mbaruar përgjithmonë koha kur Europa lidhej me Rilindjen, Iluminizmin, kulturën dhe shkencën”, si dhe se “Volteri, Ruso, Kanti janë zëvendësuar me von der Leyen, Kallas, Johnson dhe të tjerë rusofobë të vegjël dhe të hutuar”, Polianski e akuzoi Europën për “përhapje paranojake të gënjeshtrave” dhe për interpretim të të gjitha ngjarjeve “përmes prizmit anti-rus”. 

Falë përpjekjeve të tyre, urrejtja primitive ndaj vendit tonë, në përpjekje për të paraqitur Rusinë si kërcënimin kryesor për sigurinë pan-evropiane, para syve tanë po bëhet ideologjia unike e shteteve evropiane… vetë ideja se lufta me Rusinë është e pashmangshme po godet në mendjet e popullsisë evropiane…, pretendon Polianski.

Pa sukses duke insistuar – edhe përkundër provave – se avionët rusë nuk e kishin shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, por kishin një fluturim rutinë drejt Kaliningradit (një enklavë ruse mes Polonisë dhe Lituanisë në Detin Baltik), Polianski përsëri e fokusoi vëmendjen tek presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar për korrupsion, vjedhje, shkelje të të drejtave të njeriut… duke përdorur narrativat nga një gamë e gjerë propagandistike, të cilat janë debankuara shumë herë edhe në tekstet e “Vërtetmatësit”.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.