Artikull që nis me manipulim, e përfundon me shtrembërim
Qeveria Teknike në Maqedoninë e Veriut dhe ndryshimet kuadrovike që parashihen me të, nuk janë vendim i kryeministrit aktual Zoran Zaev, por ato parashihen me Marrëveshjen e Pëzhinos së vitit 2015. Nga këtu, nëse BDI-ja në Qeverinë teknike nuk udhëheqë me ministritë aktuale, nuk është se Zaevi e ka larguar nga Qeveria liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, siç thuhet në artikullin që e recensojmë.

Linku deri te artikulli: “Zaevi mund ta largojë edhe Ahmetin nga Qeveria, ja kush shkruan?!”
Data e publikimit: 18.12.2019
Data e recensionit: 22.12.2019
Recensuese: Fatbardha Curri
Titull manipulues
Manipulimi nga media ka nisur që në titull, duke bërë që te publiku të nxisë përshtypjen se, është Zaevi ai që do ta largojë Ahmetin nga Qeveria. Megjithatë, media nuk ka bërë të ditur, se edhe nëse Ahmeti humb ndonjë ministri, ashtu parasheh Marrëveshja e Përzhinos.
“Zoran Zaev me largimin e tij nga posti i kryeministrit mund ti faleminderohet edhe ministrave të BDI-së, duke i larguar nga postet ministrore në Qeverinë teknike. Kjo bëhet e ditur nga portali Plusinfo, e cila paralajmëron këtë skenarë, përcjell INA. Sipas këtyre paralajmërimeve, vendet e ministrave të BDI-së do të plotësohen nga kuadro të PDSH-së dhe Alternativës, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës. Plusinfo citon edhe një deklaratë të dhënë mbrëmë nga deputeti i BDI-së, Artan Grubi i cili nënvizoi se koalicioni funksionon në kushte normale”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
Por, duke e parë se në artikullin që e recensojmë, për burim merret media tjetër, vlerësojmë se transmetimi i informacionit nuk është bërë në mënyrën e duhur, ngaqë titulli nuk korrespondon me artikullin. Kjo mund të shihet me përfshirjen e informacionit për raportet mes LSDM-së dhe BDI-së, të cilat u luhatën pas mijëra amendamenteve që BDI-ja i dorëzoi për Kodin Zgjedhor e kurse LSDM-ja ishte kundër tyre.
“Për raportet brenda koalicionit qeveritar, LSDM-ja do të diskutojë deri në fund të javës dhe më pas do të jetë më e qartë nëse formimi i qeverisë teknike e cila do t’i zbatojë zgjedhjet do të thotë edhe ndërprerje e bashkëpunimit mes LSDM-së dhe BDI-së”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
Nga këtu vlerësojmë se media ka përdorur konceptin e manipulimit “Thirrje të mundësisë”. Me këtë koncept media është përpjekur të krijojë përshtypjen te publiku, se për shkak të raporteve të luhatura mund të ndodh edhe përjashtimi i Ahmetit nga Qeveria.
Informacion shtrembërues
Këto raste, kur mediat situatat politike i paraqesin sipas interesit të njërës palë, siç ndodh në artikullin që e recensuam, doracaku i KriThinkut i vlerëson si shtrembëruese.
“Shtrembërimi (SPIN) – shtrembërimi, gjegjësisht spinimi është një teknikë propagandistike që përfshin paraqitjen e tregimit sipas interesit të njërës prej palëve, së cilës i përgjigjet”, thuhet në Doracak.
Për lexuesit: Kujdes nga tituj që nxisin klikime
Qëllimi i titujve sensacional është të manipulohet publikut. Titujt e tillë përpilohen për të tërhequr sa më shumë klikime që të jetë e mundur për lajmin, ndërsa manipulon me vetëdije që të joshë lexuesin për të klikuar në lajme dhe për të lexuar informacionet. Megjithatë, ju nuk duhet të harroni, se në vend se të informoheni, me tituj dhe artikuj të tillë ju mund të dezinformoheni.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari