Arratisja e ish-pushtetarit të fuqishëm maqedonas në Hungari shkakton lumë dezinformatash

Сликата преработена од страна на македонскиот сатиричар Александар Дојранлиев

Kjo fotografi e përpunuar nga satiristi maqedonas Alekandar Dojranliev në të cilën është paraqitur ish-kryeministri Nikolla Gruevski, që kishte qëndrime kundër emigrantëve, i veshur si refugjat në kufirin hungarez u bë “meme” e popullarizuar. Publikuar me leje.

Duke publikuar informacione të pakonfirmuara, të pakontrolluara dhe mashtruese për arratisjen e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski në Hungari për t’iu shmangur dënimit me 2 vjet burg, shumë media në Ballkan ndihmuan në krijimin e konfuzionit dhe mosbesimit në radhët e publikut të gjerë. Burimi kryesor i konfuzionit ishin artikujt që ripublikoheshin nga ana e mediave maqedonase, hungareze, serbe dhe shqiptare, pa bërë asnjë verifikim bazë gazetaresk.

Sipas Balkan Insight, tani dihet se Gruevski ka kaluar ilegalisht nga Maqedonia në Shqipëri dhe pastaj është transportuar në vetura diplomatike nëpër Mal të Zi dhe Serbi për në Hungari nga punonjësit e ambasadave hungareze në këto vende.

Fluturimi me kompaninë ajrore që nuk ekziston?

Një nga dezinformatat më me ndikim erdhi nga gazeta serbe “Politika”, e cila më parë ka qenë me reputacion, dhe e cila më 15 nëntor publikoi një artikull që pretendonte se Gruevski kishte “ikur” nëpërmjet një fluturimi të kompanisë ajrore hungareze “Malev” nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, në Budapest. Në mënyrë që i konvenon qeverisë serbe, e cila ka lidhje të ngushta me popullistët maqedonas dhe hungarezë të përfshirë në këtë operacion, storja e “Politikës” nuk e përmendi Serbinë kur e përshkroi rrugën që e ka kaluar i arratisuri.

Përderisa shumë media ballkanike e ripublikuan këtë storje pa e ndryshuar fare, vetëm disa prej tyre e morën hapin e jashtëzakonshëm për t’i vlerësuar dhe për t’i zbërthyer këto informacione. Për shembull, agjencia e lajmeve Meta nga Maqedonia vuri në dukje se kompania ajrore hungareze “Malev” kishte pushuar së funksionuari në vitin 2012.

Ilustrim nga verifikimi i fakteve të artikullit të “Politikës”, “Ekskluzive: Gruevski u arratis nëpërmjet Shqipërisë” nga Raskrikavanje.rs, i përdorur me leje. Në artikull ka edhe pohime të vërteta (ai me të vërtetë ishte në Shqipëri) edhe pohime të rreme (ai fluturoi, në vend që të thuhet se kaloi me veturë nëpër Serbi) për ta tërhequr vëmendjen e publikut.

Ueb-faqja serbe për verifikimin e fakteve, Raskrikavanje.rs, e shtjelloi edhe më tutje artikullin e “Politikës”, duke raportuar se fluturimi i vetëm nga Tirana në Budapest nga cila do qoftë kompani ajrore më 13 nëntor ishte vonë në mbrëmje, edhe atë fluturimi i kompanisë me kosto të ulët Wizz Air. Pasi që Gruevski kishte njoftuar në Facebook se atë ditë rreth orës 13:10 ishte në Budapest, është e pamundur që ai ta merrte fluturimin e Wizz Air ose cilin do qoftë fluturim tjetër nga Tirana.

Artikulli në fjalë është hequr nga ueb-faqja e “Politikës” pa asnjë shpjegim. Megjithatë, ueb-faqja nga Maqedonia  “Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike” – CriThink ka ruajtur një fotografi të faqes së artikullit të “Politikës”, si pjesë e verifikimit të fakteve nga ana e tyre. Përveç analizimit të informacionit të publikuar në storje, CritThink vuri në dukje se autori anonim i artikullit mashtrues nuk kishte cituar asnjë burim për t’i mbështetur pretendimet e tij.

Për asnjë informacion në artikull, ose për asnjë pohim nuk tregohet se prej ku vijnë ato ose kush i ka dhënë informacionet. Nuk ka referencë as në burimet anonime – qoftë zyrtare apo jozyrtare, gjë që e shton dyshimin se ajo që është publikuar, në fakt nuk është e vërtetë.

A u arratis Gruevski duke u maskuar si grua?

Një dezinformatë tjetër e popullarizuar ishte pretendimi i publikuar gjerësisht se Gruevski i ka kaluar kufijtë i veshur si grua. Ky pohim frymëzoi “meme” të shumta, ndoshta si hakmarrje ndaj shfrytëzimit të mizogjenisë dhe homofobisë si armë nga regjimi i tij dhe përdorimit të propagandës kundër LGBTI-së për të fituar mbështetje.

 

Burimi i këtij pohimi ishte një intervistë e 14 nëntorit nga profesori i mirënjohur i drejtësisë nga Maqedonia, Vllado Kambovski, në ueb-faqen me reputacion, SDK.mk. Në një kohë kur detajet e rastit ende ishin të panjohura, Kambovski spekuloi se çdo gjë ishte e mundur, madje edhe diçka e padëgjuar, që një politikan konservator “maço” të veshë rroba të grave për t’iu shmangur ligjit.

Heroi dhe patrioti i madh Nikolla Gruevski, i cili ndoshta u fsheh në rroba grash dhe iku nga Maqedonia, kreu një shkelje të dyfishtë, përveç veprës penale për të cilën u dënua me burg prej dy vitesh, të cilin duhej ta vuajë… Ai me ikjen e betonoi fajin e tij.

Disa media hungareze, këtë vërejtje të paanalizuar më thellë e kuptuan fjalë për fjale dhe publikuan artikuj me tituj senzacionalistë, ku thuhej se Gruevski me të vërtetë i kishte kaluar kufijtë i veshur si grua, duke e përmendur ueb-faqen “SDK.mk” si burim të informacionit.

Për t’i komplikuar gjërat edhe më tej, disa media maqedonase i shtuan dezinformatat nga këto burime me tituj të tillë si “Mediat hungareze: Gruevski e kaloi kufirin i veshur si grua”. Këto media u mbështetën aq shumë në këto burime të dorës së tretë sa që nuk arritën ta kuptojnë se kjo thashetheme, në fakt, burimin e kishte në vendin e tyre.

Regjimi i Gruevskit, i cili ishte në pushtet në Maqedoni nga viti 2006 deri në vitin 2017, investoi shumë në propagandë dhe dezinformata. Një pjesë e madhe e kësaj infrastrukture, duke i përfshirë edhe disa nga aleatët e tyre mediatikë, ende ekziston dhe vazhdon të manipulojë informacionet që shpesh kalon në senzacionalizëm  dhe pasaktësi, duke udhëtuar para e mbrapa nëpër kufijtë e rajonit.

Gazetarët dhe projektet për verifikimin e fakteve ndoshta punojnë me shumë mund për t’i zbërthyer ato, por vërshimi i pretendimeve të rreme dhe i kundërpretendimeve në kuadër të sferës së përgjithshme mediatike e shkatërron besimin në gazetari si një nga shtyllat e demokracisë për publikun, gjë që i fut ato edhe më tepër në apati politike.

Портрет на Goran Rizaov

Shkroi Goran Rizaov

 

Marrë nga Global Voices me leje të agjencionit.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.