Apasievi në ‘fenerin’ e zbehur të antifashizmit
Pavarësisht që Apasievi është i pranishëm në manifestimet e Ditës së Fitores në Moskë, siç thuhet në postim, “me ftesë të kryetarit të Partisë Komuniste të Federatës Ruse (KPRF), Dr. Gennady Zyuganov”, me të cilin ndajnë bindje të ngjashme ideologjike, Rusia e sotme është më së paku e aftë të jetë “feneri” i luftës kundër revizionizmit historik dhe mbrojtjes së vlerave të luftës antifashiste.
Kryetari i partisë E Majta, Dimitar Apasiev, është një nga politikanët e rrallë nga kontinenti evropian – përveç presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrit sllovak Robert Fico dhe presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik – që këto ditë ishte pjesëmarës në ceremonitë me rastin e 80-vjetorit të fitores kundër fashizmit në Moskë, ku ngjarja qendrore është parada ushtarake në Sheshin e Kuq.
E Majta dje (08.05.2025) në faqen zyrtare të partisë në Facebook publikoi se Apasiev mbajti një fjalim në Parkun e Fitores në Moskë, në kuadër të shënimit të 80-vjetorit jubilar të fitores kundër fashizmit, ku theksoi se E Majta lufton kundër revizionizmit historik dhe mbron vlerat e luftës antifashiste.
Gjyshërit tanë, partizanët nga Jugosllavia, luftuan krah për krah me popujt e Bashkimit Sovjetik kundër armikut të përbashkët. Në luftën kundër fashizmit ishim të bashkuar, dhe ai solidaritet është themeli i lidhjes sonë historike, të cilën kemi për detyrë ta ruajmë. Në kontekstin e paqëndrueshmërisë ndërkombëtare të sotme, është veçanërisht e rëndësishme të ruhet e vërteta historike dhe t’u kundërvihemi përpjekjeve për revizionizëm historik. Fitorja e vitit 1945 është fitore e antifashizmit dhe fitore e njerëzimit. Detyra jonë është ta përcjellim këtë të vërtetë te brezat e ardhshëm, të forcojmë paqen e bazuar në respekt, barazi dhe solidaritet ndërmjet popujve, thuhet në postimin e partisë E Majta.
“Vërtetmatësi” ka shkruar tashmë për dezinformimet proruse që gjatë tre viteve të fundit e kanë përdorur Luftën e Dytë Botërore si justifikim për pushtimin ushtarak rus të Ukrainës dhe për “denazifikimin” e saj. Shpeshherë, në këto dezinformime nxirren paralele me ngjarjet historike nga periudha para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si përpjekje për të manipuluar në favor të vet dhe për qëllime të veta.
Apasievi në fjalimin e tij thotë se “në luftën kundër fashizmit ishim të bashkuar dhe ai solidaritet është themeli i lidhjes sonë historike që kemi për detyrë ta ruajmë”. Pavarësisht se fjalime të tilla kanë shpesh karakter festiv dhe solemn, faktet historike tregojnë se në luftën kundër fashizmit nuk ka pasur gjithmonë një dimension unifikues, as një lidhje historike që kemi qenë të detyruar ta ruajmë.
Propaganda aktuale proruse, të kujtojmë, shpërndan narrativa se Bashkimi Sovjetik e çliroi Poloninë në shtator të vitit 1939, duke mos pranuar faktin se në të vërtetë e ndau atë me Gjermaninë naziste, me të cilën bashkëpunoi deri në fillimin e luftës mes tyre në qershor të vitit 1941.
Nga ana tjetër, në kujtesën institucionale të Maqedonisë së Veriut – jo vetëm si shtet pasardhës i RSFJ-së, por edhe si pjesëmarrëse aktive në politikën e jashtme të Federatës Jugosllave nga viti 1944 deri më 1991 – një vend të rëndësishëm zë viti 1948 dhe prishja e marrëdhënieve midis Jugosllavisë së Titos dhe doktrinës politike të Bashkimit Sovjetik të Stalinit, pikërisht me atë vend me të cilin Apasievi apelon se duhet ta ruajmë lidhjen historike.
Narrativës nga arsenali i dezinformatave proruse, sipas së cilës Bashkimi Sovjetik e ka fituar praktikisht vetë fitoren kundër “Evropës naziste të bashkuar” – përkundër fakteve historike se Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca e Lirë luajtën një rol vendimtar në fitoren kundër Gjermanisë naziste, duke i ofruar në të njëjtën kohë mbështetje të fuqishme logjistike Bashkimit Sovjetik – kohët e fundit i është bashkangjitur edhe pretendimi se kujtesa historike po shkatërrohet sistematikisht, veçanërisht në Ukrainë dhe vendet Baltike.
Paqëndrueshmëria ndërkombëtare bashkëkohore, që Apasievi e thekson në fjalimin e tij, gjatë tre viteve të fundit është cënuar pikërisht nga nikoqiri i tij, i cili më 22 shkurt 2022 nisi një pushtim të plotë ushtarak kundër Ukrainës. Lideri i E Majta thotë se duhet “ta forcojmë paqen e bazuar në respekt, barazi dhe solidaritet ndërmjet popujve”, ndërsa këtë e thotë pikërisht në epiqendrën e një shteti që e përdor kujtimin e Ditës së Fitores si justifikim për të arsyetuar pushtimin ushtarak të një vendi fqinj dhe për ta “denazifikuar” atë.
Pavarësisht që Apasievi është i pranishëm në manifestimet e Ditës së Fitores në Moskë, siç thuhet në postim, “me ftesë të kryetarit të Partisë Komuniste të Federatës Ruse (KPRF), Dr. Gennady Zyuganov”, me të cilin ndan bindje të ngjashme ideologjike, Rusia e sotme është ndër vendet më pak të përshtatshme për të qenë “feneri” i luftës kundër revizionizmit historik dhe mbrojtjes së vlerave të luftës antifashiste.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari