ANALIZË: “Xhep i cekët” – kredi të thella në banka!

 

Qytetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë t’i kthejnë kreditë, veçanërisht kreditë konsumatore dhe ato banesore. Në bazë të të gjitha llojeve të kredive, në korrik familjet kanë pasur borxh prej 2.66 miliardë eurosh ndaj bankave.  Rritja e kredive jofunksionale të kompanive është me një ritëm të ngadalësuar, ndërsa ato kryesisht dominojnë te firmat në sektorin e tregtisë dhe të ndërtimit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Analizat tregojnë përqendrim të ekspozimit kreditor në amvisëritë që kanë rrogë më të ulët ose të njëjtë mesatare.  Pushteti monetar e ndjek me vëmendje miratimin e kredive konsumatore dhe nëse është e nevojshme paralajmërojnë se mund të ketë “shtrëngim”. 

 

Shkruan:  Aneta Dodevska

 

PËRQENDRIMI I BORXHIT TE FAMILJET ME TË ARDHURA TË ULËTA! 

Deri në 40% të kredive të miratuara për familjet janë të përqendruara te amvisëritë që kanë rrogë neto prej 400 eurosh, gjegjësisht te kreditë konsumatore dominojnë qytetarët me të ardhura në nivel të rrogës mesatare.

Kjo përqindje është edhe më e lartë te kreditë konsumatore dhe kreditë e dedikuara për financimin e konsumit të personave fizikë dhe është rreth 50%, ndërsa te kreditë banesore kjo përqindje është më e ulët (16.6%). Megjithatë, kjo kategori e huamarrësve kanë nivelin më të ulët të borxhit mesatar për familje – thuhet në raportin e fundit të BPM-së kushtuar sektorit bankar në vitin 2019.

Në fund të korrikut, në bazë të të gjitha llojeve të kredive familjet kanë pasur borxh prej 2.66 miliardë eurosh ndaj bankave. Analizat tregojnë se mbështetja kreditore e bankave ndaj kompanive është në rritje të vazhdueshme, që vlerësohet si e qëndrueshme, por megjithatë Banka Popullore i përmend edhe burimet e rreziqeve.

Te kreditimi i familjeve, dallohen dhe kombinohen disa tipare që potencialisht mund të paraqesin burim të ardhshëm të rrezikut kreditor: afatet kryesisht të gjata të kthimit të kredive, pjesëmarrja e lartë e kredive me komponentë valutore, përdorimi i përqindjeve të ndryshueshme të kamatave dhe prania e përqindjeve të kamatave që mund të përshtaten në kontratat për kredi, përqendrimi më i lartë i borxhit te familjet me të ardhura më të ulëta dhe lehtësimi i kërkesës për lartësinë e raportit midis obligimit mujor për kthimin e kredisë dhe të ardhurave të personave fizikë, para së gjithash te kreditë konsumatore – njoftojnë nga BPM-ja.

 

PËR RIKTHIM, MË PROBLEMATIKE KREDITË KONSUMUESE DHE BANESORE!

Pas një viti të tërë të trendit rënës – është regjistruar rritje e kredive të përgjithshme jofunksionale të sektorit privat që i përfshin amvisëritë dhe kompanitë. Përqindjet e zvogëluara të kamatës, por edhe sasia e zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme e kredive të shlyera jofunksionale janë arsyet kryesore për shkak të të cilave saldoja e borxheve problematike dhe kontestuese shënoi rritje.

Në nivel vjetor, kreditë jofunksionale të amvisërive u rritën për 7.6% ose 2.4 milionë euro më shumë në fillim të vitit 2019. Kjo situatë me qytetarët në mënyrë të pashmangshme u reflektua edhe në saldon e kredive të përgjithshme jofunksionale në nivel vjetor.

Kreditë jofunksionale të shoqërive jo-financiare shënuan rritje dyshifrore prej 12.2% (ose 23.2 milionë euro), që për herë të fundit u vërejt në tremujorin e parë të vitit 2015, ndërsa që nga futja e masës për shlyerjen e detyrueshme e deri në shkurt të vitit 2019, kreditë “e këqija” të këtij sektori kryesisht kishin dinamikë të rënies në nivel vjetor – thonë nga Banka Popullore.

Për sa i përket kredive për familjet, rreth 36% e kredive të rregullta konsumatore janë të pasigurta, rreth 20% e kredive të rregullta konsumatorëve janë të siguruara me garant dhe kambial.

Te firmat, madje 80% e kredive janë të destinuara në tre sektorë: industri, tregti me shumicë dhe pakicë dhe ndërtimtari. Kreditë në këto veprimtari janë të siguruara në 99.5% të rasteve, ndërsa pronarët e kompanive zakonisht për këtë ofrojnë pasuri të paluajtshme dhe sende të luajtshme, makineri, pajisje, depo, fabrika.

Bankierët thonë se në fund të këtij viti kalendarik kushtet e kreditimit, veçanërisht për familjet, kanë një tendencë të mëtejshme lehtësuese dhe se në muajt e ardhshëm pritet rritje e mëtejshme e kërkesave për kredi.

Rritje e kërkesës vërehet te të gjitha llojet e kredive për familje, veçanërisht te kreditë konsumatore. Rritja neto e kërkesës për kredi në sektorin e amvisërive në tremujorin e dytë është më e dobët në krahasim me pritjet e deklaruara më parë të bankave. Për tremujorin e tretë të vitit 2019, bankat presin një rritje neto të kërkesave për kredi për amvisëritë, që është më e moderuar sesa në anketën e mëparshme – thuhet në Anketën e fundit të publikuar për aktivitetin kreditor që i përfshin qëndrimet, vlerësimet dhe pritjet e bankierëve.

Rritja e kreditimit të përgjithshëm në nivel vjetor është 8.1%, ndërsa “lokomotiva” kryesore janë kreditë për familjet.

Nga pikëpamja sektoriale, rritja vjetore e kredive të përgjithshme në pjesën më të madhe është rezultat i kredive për amvisëritë, me një kontribut pozitiv edhe nga kreditë për ndërmarrjet. Rritja vjetore e kredive për amvisëritë në qershor arriti në 10.0% (9.8% në muajin e kaluar), me ç’rast edhe më tej rrjedh kryesisht nga kreditë konsumatore – theksojnë nga BPM-ja.

Pushteti monetar tha se e ndjek me vëmendje gjendjen me plasmanin e kredive.

Banka Popullore vazhdimisht i ndjek lëvizjet te kreditë konsumatore dhe është e gatshme të marrë masa adekuate nëse vlerëson se ka nevojë për t’i kufizuar rreziqet nga rritja dhe kushtet e lehtësuara të kredive konsumatore.

Në bazë të kredive konsumatore, në fund të korrikut, familjet kanë pasur borxh prej 2.23 milionë eurosh – për kreditë banesore 790 milionë euro, ndërsa për kartelat kreditore 195 milionë euro.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.