ANALIZË: Viti 2018 – çka do të sjellë për biznesin dhe për qytetarët?

Qeveria e re paralajmëroi konsolidim të financave publike, projektoi edhe nivel të zvogëluar të deficitit buxhetor. Foto: printsceen Portalb

 Shpenzim i kujdesshëm i parave shtetërore, menaxhim i kujdesshëm i borxhit publik, kreditim më i madh i kompanive, çlirim i biznesit nga presioni i politikës, zbatim i ligjeve pa qasje selektive. Këto janë vetëm një pjesë e prioriteteve, që sipas ekonomistëve duhet të jenë jo vetëm pjesë e agjendës ekonomike, por edhe të asaj politike, që të arrihen rezultate pozitive ekonomike në vitin e ri 2018, shkruan analiza javore e Portalb.mk. Një pjesë e ekspertëve konsiderojnë se infrastruktura duhet të jetë një nga segmentet kyçe ku duhet të fokusohet qeveria. A do të arrihet në vitin 2018 niveli i dëshiruar i PBB-së prej më shumë se 3 për qind?

RROGA MË TË LARAT, DEFICIT MË TË VOGËL BUXHETOR…

Në vitin e ri, një pjesë e të punësuarve në sektorin publik do të marrin rroga më të larta. Në ARM të ardhurat mujore do të rriten për 10%, ndërsa në polici dhe në shëndetësi për 5%. Kjo parashihet me buxhetin e ri. Mu në vitin 2018 do të shpenzohet edhe buxheti më i madh deri tani prej 3,44 miliardë eurosh, i përgatitur së bashku me planet ambicioze për investime kapitale dhe për zvogëlimin e deficitit buxhetor. Një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se ajo që është vënë në letër duhet të përmbushet, veçanërisht në pjesën e financave publike dhe marrjes së huave të reja.

Gjatë vitit 2017 nuk kishte mundësi të priten përmirësime të drejtpërdrejta ekonomike, periudha kohore për efekte pozitive ishte shumë e shkurtër, mirëpo çfarë do lloj dështimi dhe mosrealizimi i projektimeve për vitin 2018, nuk do të mund të arsyetohet. Nuk do të duhej të kishte asnjë problem që të realizohet rritja e projektuar prej 3,2%, veçanërisht nëse merret parasysh se kjo përqindje e projektuar do të krahasohet me vitin që kaloi dhe në të cilën pothuajse edhe nuk kishte asnjë aktivitet konkret ekonomik – thotë për Portalb.mk ekonomisti Arben Halili.

Qeveria e re paralajmëroi konsolidim të financave publike, projektoi edhe nivel të zvogëluar të deficitit buxhetor. Një pjesë e ekonomistëve thonë se realizimi i këtyre parashikimeve do të varet edhe nga faktorët e brendshëm edhe nga ata të jashtëm.

Sikurse ambienti i brendshëm, ashtu edhe ai ndërkombëtar është dinamik dhe vështirë i parashikueshëm, që në fund tregon se ndonjëherë nuk është mirë që me saktësi ta parashohim rritjen e aktivitetit ekonomik – kuptohet përpjekjet duhet të jenë që vlerësimet për rritjen ekonomike që prezantohen nga krijuesit e politikave dhe që paraqesin themele të buxhetit të jenë reale dhe ta marrin parasysh numrin më të madh të rreziqeve dhe të sfidave me të cilat përballet ekonomia. Në këtë drejtim shumë më e rëndësishme është që të detektohen pikat kyçe dhe përshtatjet e nevojshme strukturore që do të sigurojnë përqindje të qëndrueshme dhe dukshëm më të larta të rritjes ekonomike në afat të mesëm (jo vetëm në afat të shkurtër) dhe këtu duhet të jetë fokusi kryesor – thotë për Portalb profesori universitar Borçe Trenovski.


INVESTIME NË 2018…

Pasi u bë e qartë se viti i kaluar 2017 do të numërohet në grupin e viteve “të humbura për investime”, tani, sipas ekonomistëve, në vend të lartë të prioriteteve në agjendë duhet të jetë pikërisht politika investuese. Në buxhetin e sivjetmë janë ndarë 400 milionë euro për shpenzime kapitale, që është për 5,7% më shumë në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar.

Në këto suaza është planifikuar intensifikim i të gjitha aktiviteteve të infrastrukturës rrugore dhe asaj hekurudhore, infrastrukturës komunale dhe energjetike, investime në shëndetësi, arsim dhe mbrojtjen e fëmijëve, e veçanërisht janë rritur mjetet për mbrojtje dhe gazifikim – sqaroi ministri për financa Dragan Tevdovski, duke i arsyetuar shpenzimet e reja buxhetore.

Edhe një pjesë e ekonomistëve i potencojnë projektet prioritare infrastrukturore.

Infrastruktura do të jetë e rëndësishme për ekonominë në vitin 2018. Përmirësimi i qasjes në vendkalimet kufitare, veçanërisht me Kosovën dhe Shqipërinë, ku nga të dyja palët tashmë kemi hapa konkrete – të dyja vendet afrohen me autostrada drejt kufijve të Maqedonisë, Kosova drejt vendkalimit kufitar Bllacë, ndërsa Shqipëria tashmë paralajmëroi realizim të investimit në autostradën “Rruga e Arbërit”, e cila do të dalë në kufirin në Dibër, ndërsa nga e Maqedonisë tani për tani nuk shihet ndonjë hap konkret për t’u lidhur me këto rrugë – thotë për Portalb ekonomisti Arben Halili.

Një pjesë e ekspertëve thonë se duhet të pritet fillimi i vitit ekonomik 2018, pasi prioritetet janë përcaktuar, mbetet të shihet se sa nga e gjithë kjo do të realizohet.

Përveç shpresës se me ndryshimin e pushtetit gjërat do të fillojnë të shkojnë në drejtim pozitiv, se pushteti i ardhshëm do të dijë t’i projektojë dhe t’i realizojë projektet që janë prioritete programore, dhe e gjithë kjo të kontribuojë për rritje dhe zhvillim më të shpejtë ekonomik. Mirëpo, deri tani, këto janë vetëm pritje pa ndonjë bazë reale. Koncepti i kursimit pa asnjë projekt konkret në funksion të zhvillimit nuk është opsioni më i mirë. Konsideroj se kursimi, gjegjësisht zvogëlimi i marrjes së huave në kushte të këtilla nuk do të jetë produktiv. Në kushte kur ballafaqohemi me krizë politike, kur ekonomia e vendit është pothuajse pa asnjë akumulim, dhe përballet me të ashtuquajturën distancë kohore në zbatimin e njohurive dhe të teknologjive të reja, kur investitorët e huaj janë të përmbajtur për investime të reja, të promovohet kursimi dhe zvogëlimi i marrjes së huave është qasje krejtësisht e gabuar – thotë profesori universitar, Semi Bislimi.

Në vitin 2018, sipas guvernatorit Dimitar Bogov, pritet rritje e investimeve, e mbështetur edhe nga investimet e huaja dhe ato publike, së bashku me përmirësimin e ambientit për investuesit e vendit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.