ANALIZË: Të gjitha zgjedhjet lokale – partitë sipas trajektores nga “kulmi” në “fund”!

Фото: portalb.mk

25 vjet pas zgjedhjeve të para lokale, në tetor në vend do të mbahen zgjedhjet e shtata me radhë. Gjeneza e cikleve zgjedhore tregon se zgjedhjet vendore janë një “arenë” për ndryshime rrënjësore. Deri më tani, partitë më të mëdha, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja kanë rezultat të barabartë të fitoreve në zgjedhje, 3:3. BDI për herë të parë në zgjedhjet lokale mori pjesë në vitin 2005 dhe që atëherë kjo parti ka arritur të ruajë dominimin e saj në nivel lokal mbi partitë e tjera në bllokun politik shqiptar. Portalb.mk i analizon rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve lokale.

Zgjedhjet lokale të 1996…

Zgjedhjet e para lokale pas pavarësisë u mbajtën në nëntor të vitit 1996. Ato u zbatuan në 123 komunat e atëhershme ekzistuese në vend, plus në qytetin e Shkupit. Ato karakterizohen me një numër të madh të ankesave të paraqitura, kryesisht për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Bogovinës, Bogdancit, Vrutokut, Tetovës, Bistricës.  Në këto zgjedhje, sipas vendeve të fituara për kryetar të komunës, LSDM-ja fitoi 50 kryetarë komunash, VMRO-DPMNE fitoi 30, kandidatët e PPD-së së atëhershme fituan në 20 komuna dhe PSM-ja në 10. Në këto zgjedhje lokale, u regjistrua edhe fitorja e një kandidati të pavarur. 855.390 qytetarë votuan atëherë për zgjedhje të kryetarëve të komunave ose pjesëmarrja në zgjedhje ishte 49,62%. Në këto zgjedhje, Risto Penov u bë kryetari i parë zyrtar i zgjedhur në zgjedhjet lokale – Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Zgjedhjet lokale në vitin 2000…

Në gjysmën e parë të shtatorit të vitit 2000, qytetarët votuan në zgjedhjet e reja lokale në 123 komuna dhe në qytetin e Shkupit. Të drejtë vote kishin 1.634.859 qytetarë. Në këto zgjedhje me kandidatët e tyre për kryetarë komunash dhe këshilla komunalë morën pjesë 28 parti, dy koalicione dhe 40 grupe zgjedhësish. Këto zgjedhje paraqitën hyrje në ndryshimin e pushtetit – VMRO-DPMNE-ja fitoi 59 kryetarë komunash, kurse LSDM-ja në krahasim me zgjedhjet e mëparshme lokale në vitin 2000 “ra” në 32 komuna të fituara, kurse PPD-ja u forcua me 32 komuna. Por, edhe pse VMRO-DPMNE-ja udhëhiqte me numrin e komunave të fituara, LSDM-ja arriti fitore në listat e këshilltarëve me 736 mandate të fituara këshilltarësh, shumë më tepër se VMRO-DPMNE-ja. Në këto zgjedhje, fituan dy kryetarë komunash që u kandiduan si të pavarur. Në këto zgjedhje, Risto Penov u rizgjodh kryetar i Qytetit të Shkupit dhe do të udhëheqë metropolin deri në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2005.

Zgjedhjet lokale të vitit 2005…

Më 13 dhe 27 mars, zgjedhjet lokale u mbajtën sipas një modeli të ri – i pari pas decentralizimit, gjegjësisht ndarjes së re territoriale në nivel shtetëror. Në këto zgjedhje, qytetarët votuan për kryetarë të 83 komunave dhe të qytetit të Shkupit. Në këto zgjedhje, për herë të parë, fuqinë politike e “mati” edhe BDI-ja, e cila fitoi menjëherë në komunat me popullsi kryesisht shqiptare, në Çair, Tearcë, Gostivar, Dibër, Strugë, Tetovë, Haraçinë, Bërvenicë, Vrapçisht, Zajas, Bogovinë, Likovë, dhe Osllomej.  Në këto zgjedhje lokale, LSDM-ja e “mori përsëri” pushtetin lokal me 36 vende të fituara për kryetar komunash, ndërsa VMRO-DPMNE-ja fitoi në 21 komuna. Në këto zgjedhje fituan 7 kandidatë të pavarur. Kryetari i Qytetit të Shkupit u zgjodh Trifun Kostovski, i cili në garën zgjedhore hyri si i pavarur.

Zgjedhjet lokale të vitit 2009…

Në mars të vitit 2009, së bashku me zgjedhjet presidenciale në vend, u mbajtën zgjedhjet e reja lokale. Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2005, LSDM-ja pësoi “debakël” duke fituar në vetëm shtatë komuna: Vraneshticë, Dibër, Karposh, Kumanovë, Novo Sellë, Strumicë dhe Ohër. Opozita aktuale e VMRO-DPMNE-së arriti kulmin në vitin 2009 me një fitore zgjedhore në 55 komuna.  BDI-ja fitoi në 14 komuna.  Në këto zgjedhje, VMRO-DPMNE-ja së bashku me Koce Trajanovskin fituan qytetin e Shkupit.

Zgjedhjet lokale të vitit 2013…

Në fund të marsit dhe fillim të prillit, u mbajtën zgjedhjet e pesta lokale në vend.  Ambienti politik ishte i elektrizuar dhe i polarizuar, veçanërisht pas ngjarjeve në Kuvend, të njohura si “e hëna e zezë”. Megjithatë, VMRO-DPMNE-ja korri fitore të thellë në këto zgjedhje në 56 komuna – një më shumë se në zgjedhjet lokale në vitin 2009. Për LSDM-në, këto zgjedhje paraqitën një “humbje politike”, me vetëm katër komuna të fituara, Kumanovën, Rankovcën, Strumicën dhe Qendrën. Në këto zgjedhje lokale, BDI-ja e ruan pushtetin në nivelin lokal në 14 komuna, gjegjësisht qytete. Koce Trajanovski e mori besimin për mandat të dytë si kryetar i Qytetit të Shkupit.

Zgjedhjet lokale të vitit 2017…

Zgjedhjet e gjashta lokale me radhë u mbajtën në tetor të vitit 2017 – qytetarët votojnë në 80 komuna, plus në qytetin e Shkupit. Lista të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunash parashtruan 19 parti dhe koalicione, si dhe 64 grupe zgjedhësish. Është interesante se madje 45 kandidatë korrën fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve. Në këto zgjedhje lokale, ka një ndryshim rrënjësor të ngjyrave “partiake” në nivelin lokal. LSDM-ja nga katër kryetarë komunash sa kishte në zgjedhjet e kaluara, fitoi 57 mandate të kryetarëve të komunave, ndërsa VMRO-DPMNE-ja nga 56 komuna arriti të fitojë në vetëm 5 komuna. Në këto zgjedhje BDI-ja humbi katër komuna në krahasim me zgjedhjet paraprake.  Kishte gjithsej 196 kandidatë për kryetarë komunash, 64 prej të cilëve ishin të pavarur. Petre Shilegov u zgjodh për të udhëhequr me qytetin e Shkupit në zgjedhjet lokale të viti 2017.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.