ANALIZË: Skenar i (pa)arritshëm – 6.1% rritje në çdo tremujor për të arritur rritjen vjetore prej 4.1%!

pxhere.com

Edhe me buxhetin e rebalancuar, qeveria ka projektuar një skenar optimist për rritjen e ekonomisë këtë vit, edhe atë më të lartë se 4%. Përderisa të dhënat për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se ekonomia është ende në minus, ndërsa investimet bruto janë në “rënie të lirë”, qeveria është e bindur se Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet, investimet do të ristartohen, papunësia do të bjerë. Çfarë thonë ekonomistët në analizën javore ekonomike të Portalb.mk?

Qeveria pret një triumf ekonomik, kurse opozita katastrofë ekonomike…

Në tre muajt e parë të këtij viti – rënia e ekonomisë për 1.9%. Investimet bruto në minus me 16.6%. Këto të dhëna negative priten për shkak të vazhdimit të krizës shëndetësore edhe në muajt e parë të këtij viti – por sipas qeverisë ato nuk do të lënë në hije parashikimin se në këtë vit 2021 do të regjistrojmë përqindje të rritjes së PBB-së prej 4.1% – që është parashikuar edhe në buxhetin e ri të rebalancuar.

Sipas disa analistëve, ekonomia në tre tremujorët e ardhshëm të këtij viti duhet të ketë rritje pej 6.1%, me rreziqe (faktorë) sezonalë të përjashtuar për t’u arritur parashikimi për rritjen e PBB-së prej 6.1%.  Si do të ndodhë kjo? Pa investime të forta dhe të parashikuara realisht – ekonomia nuk do të ecë përpara, komentojnë ekonomistët. Vetëm me një cikël agresiv investimesh do të arrihen përqindjet e rritjes më të larta se 5% që parashikohet për vitet në vijim.

“Sistematikisht, përqindja e lartë e rritjes ekonomike mbi 5% është e arritshme, por vetëm me përqindje të rritur të investimeve, duke përfshirë edhe investime cilësore të shtetit. Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme sepse rrallë flasim ose i llogarisim efektet shumëzuese të investimeve publike. “Një përqindje e tillë e rritjes do të jetë e qëndrueshme nëse mbështetet nga reforma të fuqishme strukturore, nga të cilat më thelbësore janë ato që lidhen me kapitalin njerëzor, gjegjësisht arsimin dhe cilësinë e institucioneve që duhet të sigurojnë sundimin e ligjit” – thotë profesori universitetar, Marjan Petreski.

Përderisa të dhënat për investimet deri më tani janë dëshpëruese, e poashtu ka rënie të investimeve të huaja direkte dhe rënie të investimeve bruto në përgjithësi, qeveria ka paralajmëruar një bum investimesh prej disa miliardë eurosh. Sipas qeverisë, kjo do të jetë lokomotiva për progresin ekonomik.

“Investimet do të luajnë një rol të rëndësishëm në intensifikimin gradual të ekonomisë.” Rritja reale e investimeve bruto është parashikuar në 8% në vitin 2021, në kushte të rritjes së pritur edhe të investimeve publike edhe të atyre private” – tha kryeministri Zoran Zaev në prezantimin e rebalancit të buxhetit.

Projektime ambicioze dhe parazgjedhore për rritjen ekonomike në një situatë kur treguesit për investimet e huaja janë katastrofale – komenton Gordana Dimitrieska Koçoska nga VMRO-DPMNE-ja.

“Së pari, PBB-ja edhe më tej mbetet e projektuar lartë, ose do të thosha vetëm një dëshirë e pushtetit. Përqindja mesatare e rritjes për periudhën 2017-2019 është 2.4% (do të thotë pa krizë) dhe nuk ka asnjë arsye për të pritur një dyfishim të rritjes. Shkalla e rritjes prej 5% siç parashikohet në Strategjinë Fiskale, së pari kërkon shumë punë e jo ngasje të motoçikletave gjatë fundjavës, dhe së dyti, kërkon investime.  Përqindje të larta të rritjes së PBB-së kishte edhe në vitin 2006, 2007 dhe 2008, por atëherë edhe investimet bruto ishin të larta dhe kishim një mjedis ekonomik krejtësisht të ndryshëm, me një politikë të qëndrueshme tatimore dhe besim të investitorëve te qeveria.  Për këtë periudhë është veçanërisht e rëndësishme që investimet ishin në mjete themelore, të cilat janë bazë për një rritje afatgjatë dhe të qëndrueshme. “Fatkeqësisht, vitet e fundit kemi një rritje të rezervave nga të cilat nuk mund të presim një të ardhme më të qëndrueshme” – thotë Koçoska.

Përkundër opozitës, qeveria është e bindur se këtë vit ekonomia hyn në një periudhë të rimëkëmbjeje pas Kovidit. Të ardhurat e buxhetit pritet të rriten për 4.7%, por gjithashtu pritet të rriten edhe shpenzimet për 8.6%.  Deficiti buxhetor thellohet në 6,5%. Në buxhetin e ri të rebalancuar parashikohet rënie e papunësisë dhe rritje e punësimit.

Sipas analizave të fundit të BPM-së, ekonomia po hyn në një zonë rimëkëmbjeje – por ende me rreziqe të pranishme.

“Në periudhën afatmesme, pritet rimëkëmbja e mëtejshme e ekonomisë, me një përqindje të rritjes prej 3,9% në vitin 2022 dhe 4% në vitin 2023. “Rreziqet rreth skenarit bazë vazhdojnë të vlerësohen me trend të theksuar në rënie” – thonë nga Banka Popullore.

Sipas FMN-së, këtë vit ekonomia e Maqedonisë do të ketë rritje prej 3,5%

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.