Analizë: Si është shitur dhe tjetërsuar toka ndërtimore shtetërore – gjetjet e revizionit!

Foto: pixabay.com

 

Qindra mijëra euro dëmshpërblime duhet të paguajnë komunat për shkak të ndërprerjes së njëanshme të kontratave për shitblerjen e tokës ndërtimore, shitje e parcelave gjatë fushatave zgjedhore, aktpadi, ndërrime të shpeshta të PDU-ve, këto janë një pjesë e gjetjeve në raportin e revizionit me titull “Efektiviteti i politikave dhe masave gjatë menaxhimit të tokës ndërtimore” me qëllim që të jepet përgjigje në pyetjen se a mundësojnë politikat dhe masat ekzistuese menaxhim efikas të tokës ndërtimore në vend, shkruhet në analizën javore të Portalb.mk

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

 

NDRYSHIME TË SHPESHTA TË DOKUMENTEVE TË PLANIFIKIMIT ME PËRFSHIRJE TË VONUAR TË PUBLIKUT…

Megjithëse është përcaktuar ligjërisht se në sa vite bëhet planifikimi hapësinor, nuk janë definuar afate në të cilat mund, gjegjësisht nuk mundet të bëhet ndryshimi i dokumenteve që rezultojnë nga planifikimi hapësinor.

Ndryshimi i dokumentacionit ekzistues, gjegjësisht miratimi i dokumentacionit të ri urbanistik-planifikues  është bërë pa përgatitur analizë profesionale për nevojën për ndryshim dhe plotësim të planeve ose të një pjese të tyre. Kjo situatë krijon mundësinë që planet të ndryshohen më shpesh, edhe pse planifikimi bëhet për një periudhë më të gjatë kohore – thuhet në mes tjerash në raportin e revizionit.

Revizorët më tej theksojnë se ndryshimet e shpeshta të Planeve detale urbanistike krijojnë rreziqe për personat fizikë – investitorë.

PDU-të ndryshohen vazhdimisht, sipas nevojës për pjesë parciale. Ndryshimet në PDU janë të shpeshta pasi që është paraparë me ligj që ato të financohen nga personat fizikë me kërkesë të tyre. Ndryshimet e shpeshta në PDU-të ekzistuese paraqesin rrezik për t’iu nënshtruar plotësisht interesave të parashtruesve të kërkesave – personave fizikë, me çka shkelen parimet e zhvillimit të balancuar hapësinor, rregullimin dhe shfrytëzimit racional të hapësirës, si dhe kushtet për jetë dhe punë humane të qytetarëve

Revizorët gjetën lëshime edhe në procedurën për miratimin dhe modifikimin e dokumentacionit të planifikimit, gjegjësisht përkujtojnë për obligimin për të bërë prezantim publik dhe anketë publike për ndryshimet e propozuara të planit urbanistik në afatet e përcaktuara saktësisht.

Anketa publike realizohet në fazë shumë të vonshme të miratimit të PDU-ve, më saktësisht ajo realizohet gjatë përgatitjes së propozimit përfundimtar të PDU-së. Në këtë rast, nuk mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët e interesuar dhe të prekur, sepse ekziston rreziku që të mos jenë informuar brenda afatit të paraparë prej tri ditëve të punës para fillimit të anketës publike, me çka do të shkelej transparenca dhe parimi që procedura të jetë publike – theksojnë revizorët.

Revizorët e potencojnë edhe moratoriumin për ndërtim, të cilin e shpalli komuna Qendër në territorin e saj. Është bërë analizë e 32 pjesëve parciale, nga gjithsej 33 në nivel të komunës Qendër.

Me këtë rast, është konstatuar se ato nuk janë në përputhje me DPU-në e Qytetit të Shkupit, që është miratuar në vitin 2012, ndërsa dhe DPU e Komunës Qendër është nga viti 2009.

Planet nuk korrespondojnë me parametrat e përcaktuara me DPU-në e Qytetit të Shkupit, gjegjësisht i tejkalojnë parametrat për disa herë, ka legalizim të objekteve ku DPU-të janë ndryshuar shumë shpesh, duke e prishur në këtë mënyrë hapësirën publike. Parcelat që janë në pronësi të Republikës së Maqedonisë, e që përdoren si parqe të rregulluara, planifikohen si tokë ndërtimi. Nuk ka përmbajtje të planifikuara me karakter publik – institucione publike dhe sipërfaqe publike që do të ishin në interes të qytetarëve – thekson revizori dhe konstaton se vendimi për ta ndaluar zbatimin e PDU-së realizohet ngadalë, gjegjësisht deri tani është shtyrë katër herë.

 

SHITJA E TOKËS NDËRTIMORE SHTETËRORE… 

Pas kontrollimit të dokumenteve, revizorët theksuan një sërë dobësish, lëshimesh dhe mospërputhjesh me dispozitat ligjore në pjesën e tjetërsimit të tokës ndërtimore përmes ankandeve publike në emër të komunave, të cilat i kanë marrë kompetencat për menaxhim me to, që në rastin e revizionit janë komunat e Ilindenit, Manastirit dhe Petrovecit.

Revizioni konstatoi se shpeshherë në tokën e  tjetërsuar  ndërtimore ka objekte, si p.sh. largpërçues, rampa dhe të ngjashme, që e pengojnë fillimin e ndërtimit, e me këtë i prolongojnë edhe procedurat e tjera të ndërtimit. Vërejtje ka edhe për komunat:

Njësitë e vetëqeverisjes lokale shpeshherë nuk i ofrojnë kushtet e nevojshme infrastrukturore (në përputhje me rregulloren ligjore), me çka pamundësohet ndërtimi i objekteve të parapara në parcelën ndërtimore.

Revizioni zbulon se komunat duhet të paguajnë qindra mijëra euro si dëmshpërblim për shkak të ndërprerjes së kontratave.
Kështu, në komunën e Manastirit, në procedurë gjyqësore për ndërprerjen e njëanshme të kontratës për shkak të mos-përmbushjes së detyrimeve kontraktuale gjenden 23 kontrata të lidhura në periudhën ndërmjet viteve 2011 dhe 2012.

Për shkak të ndërprerjes së njëanshme të kontratave, komuna e Manastirit duhet të paguajë gjithsej 24,904,000 denarë (405,000 euro), që për pasojë ka shpenzime të paplanifikuara në buxhetin komunal, si dhe mos-përmbushje të qëllimeve për të cilat është tjetërsuar toka ndërtimore – thekson revizori.

Revizioni zbulon edhe padi që rrjedhin nga shitja e tokës ndërtimore në pronësi të Republikës së Maqedonisë gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2006, ndërsa paditë i ka parashtruar blerësi i tokës në të cilën është planifikuar të ndërtohen 3 objekte hoteliere, njofton Portalb.mk. Por, kjo është pamundësuar për shkak të ndryshimit të PDU-së.

 Në tetor të vitit 2006, blerësi ka paguar mjete në vlerë prej rreth 2.2 milionë eurosh për ndërtimin e tre komplekseve hotelierike në komunën Qendër – shpjegohet në raportin e revizionit.

I gjithë rasti ka përfunduar në gjykatë. Me rekomandimin e institucioneve kompetente se në gjatë fushatës zgjedhore nuk lejohet shitja e tokës shtetërore, kontrata me blerësin është ndërprerë. Më vonë, pas disa vitesh, blerësi e fiton rastin gjyqësor dhe shteti duhet t’i kthejë paratë. Sipas revizorëve në këtë rast janë dëmtuar si buxheti ashtu edhe blerësi.

Në lidhje me gjetjet e raportit të revizionit, ka ardhur një përgjigje me vërejtje në lidhje me pjesën që ka të bëjë me komunën Qendër. Për një pjesë të konkluzioneve të paraqitura, Komuna Qendër kërkon të bëhet rishqyrtim, ndërsa një pjesë i hedh poshtë për shkak se nuk janë marrë parasysh procedurat dhe vendimet, që janë të rëndësishme për kompletimin e raportit. Revizorët nuk e kanë pranuar pjesën më të madhe të vërejtjeve të Komunës Qendër.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.