ANALIZË: Shumë prioritete dhe probleme, pak para – si ndahen mjetet për zhvillimin rajonal?

Фото: pexels.com

 

Nga ndërtimi i rrugëve dhe i shkollave deri te mbështetja për investitorët vendas dhe të huaj dhe zhvillimi i turizmit. Projektet e shumta janë paraparë si synim për financim në Strategjinë për zhvillimin e barabartë rajonal. Tetë rajonet planifikuese në vend presin para nga niveli qendror përmes disa burimeve – ndërsa institucione kyçe dhe kompetente për zbatimin e Programit dhe Strategjisë për zhvillimin rajonal janë Ministria për Vetëqeverisje Lokale dhe Byroja për zhvillimin rajonal, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Disa nga ekonomistët dhe kryetarët e komunave që i konsultoi Portalbi thonë se paratë nga buxheti i shtetit janë të mirëseardhura për zhvillimin lokal, por sa realisht përmbushen qëllimet e parapara?

PARATË PËR ZHVILLIM RAJONAL- SHPESH “VIKTIMË” E REBALANCIT TË BUXHETIT..

Këtë vit, nëpërmjet Byrosë për zhvillim të barabartë rajonal, janë paraparë mjete në vlerë prej 3 milion eurosh. Nëpërmjet zërit (linjës) buxhetor “Zhvillim i barabartë rajonal” të Ministrisë për Vetëqeverisjes Lokale janë ndarë pothuajse 4 milion euro, ose shuma e përgjithshme për zhvillim rajonal përmes këtyre dy burimeve arrin në pothuajse 7 milion euro. Paratë ndahen sipas kërkesës, gjegjësisht me aplikimin e autoriteteve lokale të tetë rajoneve planifikuese përmes kritereve të përcaktuara. Disa nga kryetarët e komunave thonë se mjetet janë të mirëseardhura, por të pamjaftueshme për të arritur efekte më të dukshme.

“Paratë të cilat nëpërmjet pushtetit qendror vijnë te pushteti  lokal gjithmonë janë të mirëseardhura, por shtrohet pyetja se sa me të vërtetë me ato mjete të dedikuara ndihmohet zhvillimi në nivel lokal. Si komunë vitin e kaluar për ndërtimin e rrugës prej 1.9 kilometrash fituam mjete përmes Programit për zhvillim rajonal në lartësi prej 5 milionë denarësh, ndërsa ne si komunë morëm pjesë me dhjetë milionë denarë ose një raport prej 2: 1. Këtë vit na janë miratuar ndërmjet 50 mijë dhe 60 mijë euro për blerjen e një automjeti të ri komunal për nevojat e komunës”, komentoi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Kjo komunë është pjesë e rajonit planifikues të Pollogut, në të cilin, sipas Strategjisë për zhvillim të barabartë rajonal, janë përcaktuar prioritete të shumta.

Në rajonin planifikues të Pollogut, si qëllime afatmesme janë paraparë: përmirësimi  rritjes ekonomike dhe zhvillimit përmes mbështetjes së investimeve vendase dhe të huaja, përmirësimi i konkurrencës, zhvillimi i qëndrueshëm rural bujqësor, infrastruktura moderne dhe bashkëkohore, ngritja e shkallës së zhvillimit social – thuhet ndër të tjera në strategji.

Disa ekonomistë potencojnë dy segmente kur bëhet fjalë për ndihmën shtetërore për zhvillim lokal.

Dy gjëra janë të rëndësishme – për çfarë shume të mjeteve flasim, gjegjësisht a mund të bëjnë ato ndryshime dhe siç synohet – të sigurohet zhvillim ekonomik në nivel lokal dhe a shfrytëzohen plotësisht këto para të dedikuara. Jemi dëshmitarë se me rebalancin e buxhetit qendror, ndodh që shkurtohen zërat (linjat) buxhetorë që janë të dedikuar për zhvillim rajonal, e në fund të vitit buxhetor edhe mjetet e planifikuara – të mbeten të pashfrytëzuara– komenton një ekonomist dhe menaxher nga rajoni i Pollogut.

Në vitin 2018, në buxhet, përmes Byrosë për zhvillim të barabartë rajonal janë ndarë 1.9 milion euro, ndërsa përmes Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale 3.4 milion euro, por me rebalancin e buxhetit, paratë nga ky zë (linjë) i ministrisë u zvogëluan në 3.2 milion euro.

Një nga synimet e Programit për zhvillim të barabartë rajonal janë fshatrat, gjegjësisht vendet rurale me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik dhe social.

Me Vendimin për ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e fshatrave në vitin 2018, ndahen 27.933.360 denarë (pothuajse 455 000 euro) të siguruara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018. Nëse konstatohet shpenzim joadekuat i mjeteve që do të ndahen, njësitë e vetëqeverisjes lokale duhet t’i kthejnë ato në buxhet – thuhet në Vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore.

Kryetari i komunës së Gostivari, Taravari, thotë se pikërisht fshatrat, gjegjësisht vendet me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik duhet të jenë prioritet në projektet e autoriteteve lokale.

Buxheti i përgjithshëm për zhvillimin e barabartë rajonal nuk mund t’i përmbushë nevojat e nivelit lokal. Në fakt, me paratë që ndahen përmes këtij programi nuk mund të flasim për zhvillim serioz ekonomike dhe investime. Për shembull, në rajonin e Pollogut ka nëntë komuna që përfshijnë zona rurale dhe është e pamundur me këto para të financohen prioritetet në të gjitha komunat– shpjegon kryetari Taravari, dhe shton se në rajonin e Pollogut i kushtohet vëmendje përfaqësimit të barabartë të të gjitha komunave, por mbi të gjitha përparësi u jepet vendbanimeve rurale që janë në kompetencë të atyre komunave.

Të dhënat nga Llogaritë përfundimtare të viteve buxhetore, tregojnë se në vitin 2017, përmes Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, për zhvillimin e përgjithsëm të barabartë rajonal janë ndarë 2.1 milion euro dhe janë shpenzuar 2.0 milion euro. Në buxhetin e vitit 2016, ishin planifikuar 1.6 milion euro, të cilat ishin realizuar pothuajse të gjitha. Sipas rregullativës ligjore, me qëllim të stimulimit të zhvillimit të barabartë rajonal, nga buxheti në vit ndahen mjete në lartësi prej së paku 1% të PBB-së, prej të cilave 70% duhet të shkojnë për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese, 20% për zonat me nevoja të veçanta zhvillimore dhe 10% për financimin e projekteve për zhvillimin e fshatrave.

Të dhënat nga Plani aksional për zbatimin e Strategjisë për zhvillim rajonal 2016-2018 tregojnë se në këtë periudhë të analizuar janë lidhur kontrata për zbatimin e 230 projekteve zhvillimore në vlerë të përgjithshme prej 4 milion eurosh. Prej tyre, për zhvillimin e infrastrukturës moderne dhe bashkëkohore në rajonet planifikuese janë shpenzuar 2.2 milion euro, për stimulimin e zhvillimit ekonomik prej 1.5 milion euro, ndërsa për shfrytëzimin e potencialit novator dhe stimulimin e zhvillimit teknik-teknologjik, 32 000 euro.

Ndryshe, gjithsej 6,9 milionë euro këtë vit janë planifikuar të harxhohen për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal në vend. Paratë janë të dedikuara për tetë rajonet planifikuese. Vetëm për financimin e projekteve në nivel të rajoneve planifikuese janë ndarë pothuajse 5 milionë euroPothuajse 68% e kësaj shume është e dedikuar për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese. Sipas të dhënave deri te të cilat erdhi “Portalb”-i, pjesa më e madhe e mjeteve të dedikuara për zhvillimin e rajoneve do të shkojnë në rajonin Verilindor. Ja si duket ndarja e ndihmës shtetërore me përqindje sipas rajoneve:

Për më shumë shiheni hartën e mëposhtme interaktive:

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.