ANALIZË: Shtrenjtohen ushqimi dhe nafta – a po i afrohet vala e rritjes së çmimeve Maqedonisë? (Infografik)

Фото: portalb.mk

Çmimet e karburanteve në vend tashmë po kthehen në nivelet para krizës së koronës, ushqimi, gjegjësisht drithi dhe gruri tashmë janë me çmime më të larta në tregjet botërore, e po ashtu edhe hekuri dhe metalet e tjerë po bëhen më të shtrenjtë. Trendet në tregjet botërore tregojnë se pas krizës pason një valë e rritjes së çmimeve. Statistikat e brendshme tashmë kanë regjistruar një rritje të çmimeve të shitjes me pakicë prej 1.6%. Në janar, jetesa u bë më e shtrenjtë – u regjistruan shpenzime më të larta për ushqim, karburante, energji elektrike, alkool, pije, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Çmimet u rritën për 1.6% – jetesa “më e shtrenjtë” për 1000 denarë…

Muaji i parë i vitit në shenjë të rritjes së çmimeve – çmime më të larta të produkteve bujqësore dhe industriale, të ushqimit, pijeve, shërbimeve, regjistruan matjet e reja statistikore. Në janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet me pakicë u rritën për 1.6%.

Qytetarët thonë se megjithëse jo përmes “derës së madhe”, megjithatë çmimet e produkteve të caktuara po rriten “në heshtje”.

“Po, çmimet janë rritur. Ja, në barnatore, bedoksini kushtonte 40 denarë, e tani është rreth 150 denarë. Bleva pika për sytë, i pagova 215 denarë, e më parë ato kushtonin rreth 100 deri në 120 denarë” – thotë një grua nga Shkupi.

Matjet në muajin e parë të vitit, përveç që treguan inflacion prej 1.6%, siç pritej treguan një rritje në shpenzimeve të jetesës – për 1.9% më të larta krahasuar me janarin e vitit 2020.  Më së shumti, matje për 8% u rritën shpenzimet për alkoolin dhe duhanin, ndërsa për 4.4% u rritën shpenzimet për faturat, banimin, karburantet. Mirëpo, një rritje më e konsiderueshme u regjistrua edhe te ushqimet për 2.3% – shpenzimet që më shumti e “shterin” buxhetin e familjes. Shpenzimet për vajra dhe tëlyen u rritën për 13%, për frutat 3.5%, për perimet 3.3%, ndërsa për energjinë elektrike, gazin dhe karburantet kostot u rritën për 5.3%.

Analizat e tregjeve botërore tregojnë se viti 2021, i cili duhet të jetë një vit i rimëkëmbjes ekonomike, është nën “kërcënimin” e një vale të rritjes së çmimeve. Kështu, nafta në tregjet botërore tashmë ka një trend të rritjes së çmimit dhe pritjet janë se do të rriten edhe çmimet e produkteve strategjike bujqësore – drithit dhe grurit.

“Vlerësimet e fundit për çmimet e produkteve primare ushqimore tregojnë se korrigjim të rritjes së çmimeve për vitin 2020 dhe 2021. Rritja më e lartë e çmimit të grurit në këto dy vite është kryesisht për shkak të pritjeve për prodhim më të ulët të grurit në nivel global, si dhe për shkak të njoftimeve për vendosjen e një tatimi për eksport nga Rusia (në periudhën 15.2 – 30.6.2021) – thuhet në njërin nga raportet më të fundit të Bankës Popullore dhe shtohet:

“Çmimi i misrit në vitin 2021 parashikohet të jetë më i lartë se sa që ishte parashikuar në tetor. Rishikime të tilla të çmimit të misrit janë rezultat i shqetësimeve në lidhje me furnizimin nga Amerika e Jugut për shkak të thatësirës së zgjatur, si dhe pritjeve për kërkesë më të lartë, kryesisht nga Kina. Në të njëjtën kohë, parashikimet për rezerva më të ulëta dhe dollari i dobët janë faktorë shtesë për rritjen e çmimeve të grurit”.

Parashikimet treguan një trend të rritjes së çmimeve që tashmë po përhapet edhe në vendin tonë dhe reflektohet në jetën e përditshme. Sipas të dhënave nga LSM-ja – shpenzimet e jetesës po rriten. Në dhjetor, ishin të nevojshme 548 euro për të mbuluar shpenzimet bazë mujore, që është për gati 1000 denarë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2019.

Përmbledhur – madje 74% e shpenzimeve janë vetëm për ushqim dhe fatura, pastaj rreth 7% janë për higjienën dhe transportin, ndërsa 2% janë për ruajtjen e shëndetit. Rroga mesatare neto në vend është 448 euro me një tendencë rritjeje gjatë vitit të kaluar.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.