ANALIZË: Shtatë milionë euro për zhvillim rajonal – si ndahet kulaçi shtetëror i Maqedonisë së Veriut?

 

Gjithsej 6,9 milionë euro këtë vit janë planifikuar të harxhohen për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal në vend. Paratë janë të dedikuara për tetë rajonet planifikuese, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.Vetëm për financimin e projekteve në nivel të rajoneve planifikuese janë ndarë pothuajse 5 milionë euro. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe ose 17,3% e ndihmës shtetërore për zhvillim të barabartë rajonal është e dedikuar për rajonin planifikues Verilindor.

Shkuan: Aneta Dodevska

Rritje ekonomike në nivel rajonal, infrastrukturë bashkëkohore, nxitje e konkurrencës, shfrytëzim dhe nxitje e bazës teknike-teknologjike dhe potencialit të kapaciteteve industriale, shfrytëzim optimal i resurseve natyrore dhe potencialeve energjetike të rajoneve planifikuese, mbrojtje e mjedisit jetësor – e gjatë është lista e prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë për zhvillim rajonal të rajoneve planifikuese. Për çdo vit ndahen shuma milionëshe në euro për t’u arritur këto qëllime – por cilat janë efektet, si ndahen paratë dhe cilat janë projektet? Në vend janë definuar tetë rajone planifikuese: i Shkupit, Juglindor, Lindor, i Pellagonisë, i Vardarit, Jugperëndimor, i Pollogut, Verilindor dhe secili prej tyre i ka karakteristikat e veta ekonomike, sociale dhe demografike, të cilat edhe përdoren për mënyrën e ndarjes së parave buxhetore. Me Programin për zhvillim të barabartë rajonal për vitin 2019 janë planifikuar mjete në vlerë prej 6.910.569 eurosh.

KU SHPENZOHEN PARATË

Pothuajse 68% e kësaj shume është e dedikuar për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese. Ja se për çka harxhohet buxheti i përgjithshëm:

  • Secili nga rajonet planifikuese nëpërmjet zërit (linjës) buxhetor – Financim i aktiviteteve dhe i detyrave të qendrave për zhvillimin e rajoneve planifikuese, fiton nga 20 mijë euro.
  • Rreth 15.000 euro janë planifikuar për pagesën e borxheve të mbetura nga viti 2018,
  • Për pjesëmarrje të pakthyeshme në financimin e projekteve për zhvillimin e zonave me nevoja të veçanta zhvillimore (vise kodrinore-malore, përmendore të kulturës, vise që kamë ngecur në zhvillim, zona me pasuri kulturore dhe natyrore të mbrojtura me ligj) janë ndarë 1,3 milionë euro. Përndryshe, është interesante se si zona me nevoja të veçanta zhvillimore në vend janë regjistruar 1.164 vende ose 66,5% e numrit të përgjithshëm të vendbanimeve në vend, por ato përfshijnë vetëm 21% të popullsisë.
  • Për targetimin e zhvillimit të fshatrave dhe projektet specifike në mjediset rurale nëpërmjet programit vjetor janë ndarë 670.000 euro.
  • Për pagesën e mjeteve për pagesën e kontributeve për sigurim pensional-invalidor dhe shëndetësor për personat që e kanë fituar të drejtën e pagesës do të ndahen 32.000 euro.
  • Pjesa më e madhe e parave apo rreth 5 milionë euro do të shkojnë për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese.

Sipas të dhënave deri te të cilat erdhi “Portalb”-i, pjesa më e madhe e mjeteve të dedikuara për zhvillimin e rajoneve do të shkojnë në rajonin Verilindor. Ja si duket ndarja e ndihmës shtetërore me përqindje sipas rajoneve:

 

“Në qoftë se konstatohet shpenzim joadekuat i mjeteve që do të ndahen, Qendrat për zhvillimin e rajoneve planifikuese duhet ato t’i kthejnë në buxhetin e Republikës së Maqedonisë“ – thuhet në vendimin për ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese.

MË SË PAKU SHPENZOHET PËR ZHVILLIM TEKNOLOGJIK

Të dhënat nga Plani aksional për zbatimin e Strategjisë për zhvillim rajonal 2016-2018 , tregojnë se në këtë periudhë të analizuar janë nënshkruar kontrata për implementimin e 230 projekteve zhvillimore në vlerë të përgjithshme prej 4 milionë eurosh. Prej tyre, për zhvillimin e infrastrukturës bashkëkohore në rajonet malore janë harxhuar 2,2 milionë euro,  për nxitjen e zhvillimit ekonomik 1,5 milionë euro, ndërsa për shfrytëzimin e potencialit inovativ dhe nxitjen e zhvillimit teknik-teknologjik, 32.000 euro.

Përndryshe, rajoni më i madh sipas sipërfaqes është rajoni i Pellagonisë, mirëpo ai ka dendësi më të vogël të popullsisë, ndërsa sipas sipërfaqes më i vogël është rajoni i Shkupit, por në të njëjtën kohë ai ka dendësi të theksuar të popullsisë prej 319 banorëve në metër katror. Sipas numrit të komunave të përfshira, udhëheq rajoni i Shkupit me 17 komuna, rajoni Lindor përfshin 11 , ndërsa rajoni Juglindor 10 komuna. Numër më të vogël të komunave ka rajoni Verilindor, edhe atë gjashtë komuna.

Indekset zhvillimore të rajoneve planifikuese (shkalla e zhvillimit social-ekonomik) tregojnë se rajoni planifikues i Shkupit karakterizohet me shkallë të zhvillimit mbi mesataren, rajoni planifikues Juglindor dhe Lindor janë në nivel të mesatares, ndërsa të gjitha rajonet e tjera janë nën mesataren e vendit. Dallimi ndërmjet rajonit planifikues të Shkupit dhe rajonit planifikues më pak të zhvilluar, atij Verilindor, është jashtëzakonisht i madh. Rajoni i Pollogut karakterizohet me zhvillim demografik mbi mesataren, mirëpo me zhvillim të ulët ekonomik-social.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.