ANALIZË: Shpenzimet kapitale në RMV ngecin, për gjysmë viti vetëm 26% realizim (Infografik)
Shtatë ministri shpenzuan më pak se 10% të shumës vjetore për shpenzime kapitale për gjysmë viti. Realizim më të lartë prej 99,5% ka në Ministrinë e për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, por bëhet fjalë për një buxhet prej rreth 9.000 eurosh. “Motori” i investimeve publike janë ministritë që kanë buxhete milionëshe për këtë qëllim – vetëm një ministri nga ky grup arriti të realizojë mbi 50% të planit, e disa nuk arritën të realizojnë as një të tretën, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Renditja: Sa para shpenzuan ministritë për investime publike…
Një krahasim i të dhënave nga Ministria e Financave i bërë nga Portalb tregon se në gjysmën e parë të vitit ekonomik, madje shtatë ministri shpenzuan më pak se 10% të parave për shpenzime kapitale: Ministria e Drejtësisë me realizim prej 0,42%, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me 1,68%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme me 3,60%, Ministria e Mjedisit Jetësor me 4,42%, Ministria e Energjetikës pati një realizim prej 5,27%, Ministria e Digjitalizimit 5,9% dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës me 6,1%.
Nga ana tjetër, disa nga ministritë me shuma “simbolike” për investime publike shpenzuan një pjesë më të madhe të mjeteve për këtë qëllim për gjysmë viti, dhe ky grup përfshin Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, e cila i shpenzoi pothuajse të gjitha 8.000 eurot e planifikuara për të gjithë vitin.
Disa nga ministritë që disponojnë me buxhete më të mëdha zhvillimore patën përqindje realizimi të shpenzimeve kapitale më të larta se 40%, por disa të tjera nuk shpenzuan as një të tretën e shumës së planifikuar vjetore. Ministria e Mbrojtjes, e cila ka në dispozicion një shumë më të lartë për shpenzime kapitale, për 6 muaj shpenzoi 50,37% të mjeteve të planifikuara vjetore për këtë qëllim. Realizimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme është 39,4%, në Ministrinë e Bujqësisë 26,62% ndërsa në Ministrinë e Transportit, 26,55%.

Në grupin e ministrive me buxhete më të mëdha, të cilat llogariten në dhjetëra milionë euro, janë edhe Ministria e Arsimit, e cila pati një realizim prej 21,2% për gjysmë viti, Ministria e Politikës Sociale ka shpenzuar 17,32%, Ministria e Financave – funksionet e shtetit 17,25%, ndërsa Ministria e Shëndetësisë, 13,60%. Ministria e Mjedisit Jetësor, e cila gjithashtu ka një buxhet prej dhjetëra milionë eurosh për investime publike, për gjashtë muaj realizoi vetëm 4,42%, që është njëra nga përqindjet të ulëta midis të gjitha ministrive.
Të dhënat e reja gjysmëvjetore që mbulojnë 85 institucione, agjenci, ministri dhe përdorues të tjerë të buxhetit, tregojnë se vetëm 12 prej tyre arritën të realizojnë mbi 50% të shumës totale vjetore për shpenzime kapitale. Edhe me rebalancin e buxhetit, Qeveria e mbajti planin ambicioz të shpenzimeve kapitale në nivelin prej 780,5 milionë eurosh. Të dhënat e përmbledhura tregojnë se në gjashtë muajt e parë janë shpenzuar 204,8 milionë euro, ndërsa në gjysmën e dytë të këtij viti, për investime publike duhet të shpenzohen 575,6 milionë euro të tjera.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari