ANALIZË: Rritje e reduktuar ekonomike, inflacion i rritur, shkallë më e ulët e punësimit, çfarë thuhet në Strategjinë e Rishikuar Fiskale në RMV?  

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka devijuar nga parashikimet e saj fillestare ekonomike, rritja e PBB-së do të jetë më e ulët këtë vit dhe vitin tjetër, inflacioni do të jetë më i lartë, ndërsa deficiti tregtar do të thellohet. Strategjia e Rishikuar Fiskale 2026-2030 sjell parashikime të reja për vitet e ardhshme. Ky dokument, që është pjesë e paketës buxhetore, i vendos objektivat ekonomike sipas të cilave duhet të udhëhiqen politikat ekonomike, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk

Këtë vit dhe në vitin 2026, rritje ekonomike nën 4%, inflacion nga 3,9% në 2,5%… 

Ky vit, i cili tashmë po mbaron, do të përfundojë me rritje ekonomike për 3,5% më të ulët se sa ishte planifikuar më parë, në nivelin prej 3,7%. Përqindja e rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm është përshtatur duke u ulur nga 4% në 3,8%.   

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërkohë që rritja ekonomike po rishikohet në linjë rënëse, inflacioni do të jetë më i lartë, këtë vit do ta mbyllim me inflacion prej 3,9%, që është një nivel dukshëm më i lartë se parashikimi prej 2,8%. Vitin e ardhshëm, na pret një inflacion prej 2,5%, që është gjithashtu një nivel më i lartë se parashikimi i inflacionit prej 2%.  

“Rritja ekonomike pritet të nxitet nga kërkesa e brendshme, me një kontribut pozitiv si nga konsumi ashtu edhe nga investimet, ndërsa eksportet neto pritet të kenë një kontribut negativ. Devijime për vitin 2025 ka edhe në përqindjen e inflacionit, e cila është rishikuar me tendencë rritjeje, e po ashtu edhe përqindja e inflacionit për vitin 2026 është rishikuar me tendencë rritjeje, ndërsa përqindje e pritura në periudhën afatmesme 2027-2030 mbeten të njëjta” – thuhet në Strategjinë e Rishikuar Fiskale 2026-2030.  

Me tendencë rritjeje janë korrigjuar edhe vlerësimet për nivelin e rrogave dhe papunësinë, gjegjësisht këtë vit rritja nominale e rrogës neto do të jetë 10%, ndërsa vitin tjetër ky ritëm do të ngadalësohet në 6,5%. Shkalla e papunësisë po përmirësohet minimalisht, nga 11,2% këtë vit në 10,1% vitin e ardhshëm, ndërsa shkalla e punësimit këtë vit do të jetë 46,6%, që është më e ulët se 47%, sa ishte parashikuar fillimisht. Vitin e ardhshëm shkalla mesatare e punësimit do të jetë 47,3%.  Devijime më të theksuara ka në bilancin e llogarisë rrjedhëse, gjegjësisht në deficitin tregtar. Këtë vit, deficiti do të arrijë në 4%, që është pothuajse dyfishi i parashikimit fillestar prej 2,2%. Vitin e ardhshëm deficiti i llogarisë rrjedhëse do të jetë 3,8% krahasuar me parashikimin fillestar prej 2,1%.            

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kredi të reja dhe politika tatimore…  

Në fillim të vitit të ardhshëm pritet një eurobond i ri, siç është njoftuar nga Qeveria, në vlerë prej 950 milionë eurosh. Vitin e ardhshëm deficiti buxhetor është planifikuar në një nivel prej 3,5%. Ministria paralajmëron marrjen e kredive si në tregjet e brendshme ashtu edhe ato të jashtme, përveç eurobondit të paralajmëruar.  

“Huamarrja në tregun e brendshëm do të realizohet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë të qeverisë ose kredive të brendshme. Ministria do të vazhdojë të emetojë obligacione qeveritare me afate më të gjata maturimi, duke e zvogëluar kështu rrezikun e rifinancimit të borxhit” – thuhet në dokumentin buxhetor.    

Nuk paralajmërohet ndryshim në politikën tatimore në vitin 2026, por krahasuar me vlerësimet e mëparshme të të ardhurave buxhetore nga tatimet, ka një korrigjim, kështu që të ardhurat totale tatimore janë rritur për 1%, një rënie prej madje 18,9% ka në zërin “të ardhura të tjera tatimore”, kurse për 0,4% është ulur edhe parashikimi për të ardhurat në bazë të TVSH-së. Nga ana tjetër, shteti pret një rritje të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe akcizat.  

Buxheti i vitit 2026 tashmë është miratuar në Parlament, ndërsa në procedurë parlamentare tashmë është edhe Strategjia e re, e Rishikuar Fiskale 2026-2030.  

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.