Analizë: Revizion në komunën e Kisella Vodës – nën thjerrë shpenzimet e parave komunale

Foto: pexels.com

 

Përmes Agjencisë për punësime të përkohshme për çdo muaj janë angazhuar prej 32 deri në 34 persona në komunën e Kisella Vodës, për të cilët në vitin 2017 janë shpenzuar 173.000 euro. Nën thjerrën e Revizorit shtetëror – arka e buxhetit komunal, e cila në vitin u rrit për më shumë se 120% , shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Raportet financiare të përfshira me revizionin, siç thuhet, janë përgjegjësi e udhëheqjes, gjegjësisht e kryetarëve të komunave, Biljana Beliçanec-Aleksiq, kryetare e komunës prej prillit të vitit 2012 deri në fund të tetorit të vitit 2017 dhe Filip Temellkovski, kryetar i komunës prej 1 nëntorit të vitit 2017.

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

 

PUNËSIME TË PËRKOHSHME, FINANCIMI I ORGANIZATAVE JOQEVERITARE, LLOGARI NË RESTORANTE…

Me persona të angazhuar përkohësisht përmes Agjencisë për punësime të përkohshme janë plotësuar vende pune në administratën komunale, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për punonjësit në sektorin publik dhe Ligjin për agjencitë për punësime të përkohshme. Në vitin 2017, për pagesën e punonjësve të përkohshëm, komuna e Kisella Vodës ka paguar 173.000 euro – thuhet në raportin e revizionit ku potencohet për çdo muaj në këtë mënyrë janë angazhuar prej 32 deri në 34 persona.

Punësimet e përkohshme në administratën komunale që nuk janë në përputhje me kornizën e paraparë ligjore për punësime tregojnë se ka transparencë të zvogëluar gjatë punësimeve, subjektivitet gjatë përzgjedhjes së personave dhe pozitë e privilegjuar për ta në procedurën për angazhimin e tyre  – shkruan në raportin e revizionit.

Ata rekomandojnë që punësimet e këtilla të përkohshme të kryhen në përputhje me dispozitat ligjore – vetëm në rastet kur përkohësisht mungon ndonjë punëtor, në rast të ngarkesës së shtuar të përkohshme të punës, punës sezonale, punës në ndonjë projekt dhe në raste të tjera të parapara nga legjislacioni.

Gjatë vitit 2017, organizatave joqeveritare u janë transferuar 1.500 euro, edhe atë  një shoqërie kulturore-artistike, një shoqatë qytetare dhe një klubi sportiv për financimin e projekteve në fushën e kulturës, sportit dhe mbrojtjes sociale, për të cilat revizorët nuk kanë mundur të binden se mjetet janë harxhuar për qëllimin e dedikuar dhe në mënyrë ligjore, për më shumë arsye, duke përfshirë mosekzistimin e aktit mbi mënyrën, procedurën dhe kriteret për financimin e programeve të tilla, mjetet janë paguar në bazë të kërkesave individuale, pa shpalljen e thirrjes, ndërsa organizatat që i kanë marrë mjetet nuk kanë dorëzuar raport për projektet dhe programet e realizuara.

Kjo mënyrë e ndarjes së mjeteve nga buxhetet komunale dhe mospasja e qasjes së plotë në shpenzimin e tyre nga shoqatat dhe klubet sportive krijon rrezik nga subjektiviteti në vendimmarrje, zvogëlim të transparencës dhe përdorim joadekuat të parave – vë në dukje revizori.

Në fund të vitit 2017, komuna e Kisella Vodës ka miratuar Rregullore për rregullimin e kushteve dhe kritereve për këtë segment të ndarjes së mjeteve buxhetore, ndërsa në fillim të vitit 2018 janë shpallur edhe thirrje për ndarjen e mejteve materiale për klubet sportive, shoqatat, institucionet sportive, siç kanë rekomanduar revizorët shtetërorë, transmeton Portalb.mk Në lidhje me këtë ka reaguar komuna e Kisella Vodës, e cila ka informuar se Rregullorja është miratuar nga Këshilli komunal, dhe pas kësaj kjo vërejtje u pranua pjesërisht nga revizori.

E ngjashme është edhe situata me ndarjen e parave për nxënësit e talentuar, për të cilët në vitin 2017 janë shpenzuar gati 19.000 euro.

Revizioni nuk mund të sigurojë bindje për përdorimin e mjeteve sipas qëllimit të dedikuar dhe ligjit” – shkruan në raport, pas së cilit ka qenë kryetari i komunës e jo Këshilli komunal që në vitin 2018, ka miratuar Procedurë për kushtet dhe kriteret për ndarjen e shpërblimeve nxënësit e talentuar. Revizorët rekomandojnë që dokumentet të miratohen edhe nga ana e Këshillit komunal. Edhe ndaj këtyre gjetje pati përgjigje nga komuna, e cila ka informuar se janë formuar grupe punuese për hartimin e rregulloreve, që do t’i zëvendësojnë procedurat dhe do të vihen në votim në Këshillin komunal.

Revizioni zbuloi se në vitin 2017 janë paraqitur shpenzime për reprezentim për shërbime hoteliere në vlerë prej 2.400 eurosh, për të cilat nuk është dhënë asnjë shpjegim për bazën e reprezentimit, gjegjësisht a jenë shpenzuar këto mjete për qëllime zyrtare.

Shpenzimet për reprezentim në bazë të shërbimeve hoteliere duhet të bazohen në dokumente të besueshme ku do të shënohet arsyeja dhe qëllimi për të cilin është ofruar shërbimi – thekson revizori shtetëror, transmeton Portalb.mk.

PROJEKTIME TË MËDHA BUXHETORE – REALIZIME TË DOBËTA…

Nën thjerrën e revizionit ishte edhe procesi i buxhetimit, me ç’rast revizorët kanë konstatuar dobësi edhe përkundër kontrolleve të brendshme të vendosura në komunë.

Nuk është siguruar transparencë dhe publicitet në procesin e hartimit dhe miratimit të buxhetit sepse nuk janë organizuar debate publike, tribuna – theksojnë, ndër të tjera, revizorët

Ato potencojnë se në vitin 2017 të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit, krahasuar me vitin 2016 janë rritur për 120.94%, ndërsa në fund të vitit, të ardhurat janë realizuar me 40% kurse shpenzimet me 36.80%.

Për vitin 2017, edhe përkundër faktit se të ardhurat dhe shpenzimet nuk u realizuan në masën e planifikuar nga kryetari i komunës Këshillit komunal nuk iu propozua rebalanc i buxhetit, por është bërë rishpërndarje e mjeteve buxhetore me vendime të ndara, thonë revizorët.

Komuna e Kisella Vodës ka dërguar vërejtje ndaj raportit, duke informuar se rebalanci i buxhetit nuk është bërë për shkak të aktiviteteve zgjedhore në lidhje me zgjedhjet lokale në vitin 2017 dhe afateve për konstituimin e këshillit të ri komunal. Këtë përgjigje revizorët e vlerësojnë si njoftim që tregon se revizioni e ka për detyrë t’i nxjerrë në pah dobësitë në planifikimin e buxheteve komunale.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.