ANALIZË: Reportazh nga Greqia – çmimet e ushqimit, benzinës, pagesave rrugore, restoranteve!
Serbët, hungarezët, gjermanët janë turistët më të shpeshtë në këtë sezon veror në Greqinë fqinje. Në disa vendpushime bregdetare, sipas hotelierëve dhe tregtarëve grekë, këtë vit ka një numër më të vogël të turistëve në krahasim me vitin e kaluar, por nikoqirët thonë se vala e arritjes së turistëve pritet së shpejti. Cilat janë çmimet në marketet më të mëdha dhe më të vogla ushqimore, sa kushton benzina dhe pagesat rrugore?
Drekë modeste në restorant prej 25 euro në 30 euro?
“Çmimet në restorante, taverna nuk kanë ndryshuar dukshëm nga viti i kaluar. Mysafirët më të shpeshtë në muajin e parë të sezonit të verës vijnë nga Serbia, Hungaria, Gjermania” – thotë një punonjës i një taverne greke në vendpushimin turistik Nea Vrasna, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Çmimet e ushqimit në restorante ndryshojnë varësisht nga lokacioni, por dhe atraktiviteti i vendpushimit. Kështu për shembull, në tavernë giroja e popullarizuar greke shitet prej 2.5 deri në 3.0 euro, birra prej 300 ml kushton prej 3 euro e më lartë, një porcion pomfrit kushton 4.5 euro, ndërsa porcioni i njohur “bifteki” kushton 6 euro. Sallata e famshme greke në restorante shitet prej 5 deri në 6 euro, ndërsa në vendet atraktive kushton edhe më shumë.
Një pjesë e hotelierëve në vendpushimin turistik Stavros thonë se krahasuar me qershorin e kaluar, këtë vit ka më pak turistë.
“Tani kemi më pak mysafirë, mendoj se një pjesë e aranzhmaneve janë anuluar për shkak të vërshimeve të vitit të kaluar, e po ashtu edhe koha e ndryshueshme është njëra arsyet për numrin e zvogëluar të turistëve. Sa për turistët grekë, ata të vendit, ata duan të pushojnë. Zgjedhjet e parakohshme të shpallura në Greqi nuk ndikojnë ndjeshëm në turizmin vendas” – thotë pronari i një restoranti me buzëqeshje dhe shton:
“Grekët së pari duan të lahen në det e pastaj të votojnë (First swim than vote)”.
Pronari më tutje shpjegon se zgjedhjet e parakohshme nuk do të kenë ndikim negativ në turizëm, pasi në Greqi, zakonisht gjysma e elektoratit nuk voton, pavarësisht nga rrethanat. Se turistët vendas janë të rëndësishëm për numrin e përgjithshëm të turistëve tregojnë fundjavët kur ka një rritje të turistëve grekë në vendpushimet turistike – vijnë vetëm për fundjavë dhe ikin.
Edhe një pjesë e tregtarëve në Stavros thonë se ky qershor kishte një qarkullim më të vogël në krahasim me vitin e kaluar për shkak të numrit më të vogël të turistëve.
“Unë mendoj se një nga arsyet për numrin e zvogëluar të turistëve është koha e paqëndrueshme dhe parashikimet se ndoshta edhe kjo verë do të jetë me shi. Një arsye tjetër janë aranzhmanet për pushimet verore që i ofron Turqia, atje më të shpeshtë janë mysafirët nga Rusia dhe gjithë Balkani, sepse ofrohen çmime tërheqëse. Vetë turqit të cilët tradicionalisht vinin në ishujt grekë tani janë më të paktë sepse me rënien e vlerës së lirës turke, pushimet në Greqi për ta janë bërë më të shtrenjta” – vë në dukje pronari i një dyqani grek.
Një pjesë e tregtarëve në Stavrosi besojnë se është ende herët për ta vlerësuar këtë sezon si më të dobët, duke pasur parasysh faktin se piku i verës ende nuk ka ardhur dhe potencojnë se çdo sezon në këtë vend hapen nga 40 shtretër të rinj për turistët, përcjellë Portalb.mk.
Çmimet e ushqimit në markete…
Çmimet e ushqimeve në dyqane sipas disa punonjësve janë zvogëluar krahasuar me sezonin e kaluar, ndërsa si arsye theksohet tatimi i zvogëluar nga 23% në 13% për disa lloje të produkteve, transmeton Portalb.mk.
“Me zvogëlimin e tatimit nga 23% në 13% për disa produkte, edhe ne i kemi ulur çmimet e çokollatës, karameleve, produkteve konditore, krem-çokollatës, produkteve të brumit. Tani kemi, për shembull, 300 gram krem-çokollatë greke, e cila më parë kushtonte 2 euro, ndërsa tani shitet për 0,99 euro” – shpjegon shitësi i një marketi të vogël.
Në dyqane, çmimi i pijeve joalkoolike, atyre të gazuara dhe pa gaz, shkon nga 0.63 euro deri në 0.80 euro ose një pije joalkoolike prej 300 mililitrash mund të blihet për 0.63 euro, 0.65 euro, 0.79 euro deri në 0.80 euro. Në dyqane, çmimi i birrës vendase dhe asaj të importuar nuk dallon dukshëm, dhe kështu birra prej 500 ml kushton 1.25 euro ose 1.39 euro me kaucion. Qumështi me çokollatë prej 500 ml në marketet më të mësha shitet për 1.70 euro, ndërsa kosi prej 200 mg kushton rreth 1.20 euro.
Produktet e brumit prej 100 gramë deri në 200 gramë shiten nga 0.44 euro deri në 0.70 euro varësish nga përbërja, ndërsa sarmat e njohura greke pa yndyrë nga gjethet e dafinës prej 280 gramë shiten nga 1.54 euro marketet më të mëdha deri në 1.60 euro në dyqanet më të vogla. Një litër vaj ulliri shitet me çmim prej 3.99 euro e më lartë.
Pagesat rrugore, çmimet e benzinës…
Vetëm në magjistralen Egnatia e cila e lidh lindjen dhe perëndimin e Greqisë, gjegjësisht prej kufirit turk deri në atë shqiptar, ka një numër të madh të pagesave rrugore, por megjithatë pjesa e re e autostradës e cila ka shumë tunele ende është pa pagesë rrugore. Një pjesë e grekëve me të cilët biseduam na thanë se së shpejti Qeveria e Greqisë planifikon të vendosë vende të reja të pagesave rrugore.
Çmimet e pagesave rrugore ndryshojnë në varësi nga lloji i automjetit dhe vendndodhja, kështu që për pagesë rrugore mund të paguani taksat nga 1.20 euro deri në 2.40 euro për një automobil që qarkullon në këtë rrugë.
Pagesat më të shtrenjta janë në autostradën e Egjeut që çon në vendet e popullarizuara për pushime, siç janë Leptokaria dhe Pelasgia, të cilat janë shumë të vizituara nga shtetasit tanë. Në këtë rrugë çmimet e pagesave rrugore arrijnë edhe deri në 4 euro.
Në Greqi, pagesa e taksës rrugore nuk është e automatizuar, e po ashtu pagesa nuk mund të bëhet me kartë bankare. Benzina edhe këtë verë ka “çmim evropian”. Kjo p.sh. një litër eurosuper 95 shitet për 1.64 euro, benzina 100 ( Action) kushton 1.85 euro, ndërsa çmimi i dizelit është 1.36 euro për litër.
Për shkak të çmimeve të larta, grekët janë vizitorë të shpeshtë në pompat e benzinës që ndodhen në qytetet kufitare të vendit tonë, e këtë e konfirmojnë edhe hotelierët tanë.
“Grekët janë mysafirë të shpeshtë në kafenetë tona, nuk kursejnë për ushqim, vijnë edhe në institucionet private shëndetësore, sidomos i shfrytëzojnë shërbimet e dentistëve dhe shpesh vijnë për të mbushur benzinë”, thotë një hotelier nga Dojrani.
Greqia është njëri nga destinacionet më tërheqëse për turistët nga Maqedonia – më shumë se 1 milion qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut e vizituan atë vitin e kaluar.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari