ANALIZË: Reforma tatimore – “taksa të reja” për punonjësit me honorar

Фото: Image by Dmitriy from Pixabay

Me reformën e paralajmëruar tatimore synohen disa pozicione tatimore – tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi fitimin, TVSH-ja, futja e tatimit të gjelbër. Një nga zgjidhjet që do të shkaktojë reagime të mëdha është koncepti i ri i “taksimit” të punonjësve me honorar, punonjësve me kontratë në vepër. Ja cilat janë pikëpamjet e ekspertëve për këtë zgjidhje, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Taksimi i punonjësve me honorar…

Të paguhen kontributet për punonjësit e angazhuar me honorar. Edhe me rregullativën ekzistuese paguhet tatim personal prej 10%, por me propozim-konceptin tatimor propozohet pagesa e kontributeve sociale për honoraret – kosto e re për kompanitë.

Eksperti i tatimeve Pavle Gacov thotë: “Edhe kësaj radhe reagim më të madh do të shkaktojë përllogaritja e planifikuar e kontributeve sociale për honoraret, gjegjësisht kompensimet në bazë të kontratës në vepër.

Kjo masë më së shumti do t’i prekë shfrytëzuesit e buxhetit të cilët kanë numrin më të madh të personave të punësuar me kontratë në vepër. Gjithsesi, “përshtatja” i referohet transferimit të mjeteve nga buxheti në buxhetet e fondeve përkatëse, të cilat edhe ashtu plotësohen me dotacione nga buxheti. Në këtë kontekst, është e nevojshme të bëhet dallimi midis personave të punësuar që tashmë kanë krijuar marrëdhënie pune, nga ata që nuk kanë krijuar marrëdhënie pune dhe nuk kanë sigurim social”.

Sipas ekonomistit Arben Halili ekziston rreziku i një situate të taksimit të dyfishtë, gjegjësisht dy kompani të ndryshme që paguajnë kontribute sociale për të njëjtin person që është angazhuar me honorar.

“Personalisht jam kundër taksimit të dyfishtë, gjegjësisht sa i përket pagesës së kontributeve shëndetësore edhe për të punësuarit me honorar, për personat e angazhuar me kontratë në vepër, për dy arsye: nëse një person tashmë është i punësuar dhe paguan kontribute në vendin e punës ku është i punësuar, ai nuk ka absolutisht nevojë të paguajë kontribute për ndonjë angazhim ad-hoc” – thotë Halili dhe thekson edhe një problem tjetër me të cilin do të përballen kompanitë:

“Ka kompani që kanë nevojë për punësime të reja. Është më se korrekte që personave që angazhohen për herë të parë t’u ofrohet kontratë në vepër për një muaj apo tre muaj, për të parë nëse personi i angazhuar do t’i përshtatet punës së re apo a do të jetë punëdhënësi i kënaqur me angazhimin e tij. Për atë periudhë kohore pagesa e tatimit personal mendoj se është më se e detyrueshme, por nuk shoh nevojë për të paguar kontribute të tjera. Sigurisht që është në interesin e punëtorëve që çdo ditë dhe çdo orë të vlerësohet si stazh pune, por nëse flasim për këtë, atëherë le të fillojmë nga vetë shteti. Sa persona janë të punësuar në institucione të ndryshme shtetërore me kontratë në vepër, e për të cilët nuk paguhen aspak kontribute? Sa persona janë të angazhuar në të gjitha komunat me kontratë në vepër, të cilët punojnë prej vitesh, e nuk paguhet asnjë kontribut dhe do të largohen nga puna me ndryshimin e parë të qeverisë?”.

Sipas profesorit universitar Semi Bislimi duhet pasur kujdes kur flitet për tatimet për punëtorët e angazhuar me honorar – të bëhet dallim nëse janë të papunë apo të punësuar.

“Futjen e masës për pagesën e kontributeve sociale për punonjësit me honorar e konsideroj masë të mirë, sepse një pjesë e madhe e tyre nuk kanë asnjë sigurim social. Implikimet negative të një mase të tillë janë se kompanitë vendase do të ekspozohen ndaj shpenzimeve shtesë, edhe atë në kushte kur përballen me rritje të çmimeve të të gjithë faktorëve të prodhimit. Kompanitë tona nuk kanë aftësi për t’i absorbuar goditjet e çmimeve, me rritje të prodhimit për njësi kohe (faktor produktiviteti) për faktin se niveli i ulët i investimeve krijoi të ashtuquajturën distancë kohore në aplikimin e njohurive dhe teknologjive të reja”.

Deri më tani ka pasur tentativa për të “taksuar” personat e angazhuar me honorar, me kontratë në vepër, por reagimet e publikut kanë qenë të ashpra dhe paralajmërimet kanë qenë në drejtimin se ky model, në vend të rritjes së të ardhurave buxhetore dhe ofrimit të sigurisë sociale, vetëm do ta stimulojë “punën në të zezë”.

Në analizën e radhës, “Portalb”-i do të analizojë se çfarë do të sjellë për ekonominë reforma e paralajmëruar – nëse do të reduktohet vetëm në mbledhjen e të ardhurave buxhetore dhe cili është qëndrimi i biznesit në lidhje me konceptin e paralajmëruar.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.