ANALIZË: Recesioni po “troket në derë” – a do të hyjë në ekonomi?

Ekspertët ndërkombëtarë dhe institucionet financiare e kanë ndezur alarmin – viti 2020 do të jetë vit i mbijetesës ekonomike, ndërsa me recesion do të përballen edhe ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Në pritje të të dhënave të muajit mars për gjendjen e arkës së buxhetit – është e qartë se në vendin tonë simptomat e para të Kovid 19 do të vërehen që në mars, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Qeveria thotë se janë përgatitur tre skenarë me të cilat do të “shpëtohet” ekonomia, opozita akuzon se masat janë konfuze dhe të paqarta. Ekonomistët thonë se pozicionet e tanishme të buxhetit janë të paqëndrueshme dhe se nevojitet rebalanc urgjent.

Shkruan: Aneta Dodevska 

RECENSIONI DO TË JETË I PASHMANGSHËM APO ËSHTË E MUNDUR “FITORJA” …

Që nga viti 2000, ekonomia e Maqedonisë në disa raste është përballur në recesion, konkretisht në vitin 2001 rënia e PBB-së ishte 3.1%, në vitin 2009 në nivelin -0.4% dhe në vitin 2012 kjo rënie ishte -0.5% dhe që atëherë ekonomia ka qenë në një zonë pozitive. Analizat nga institucionet kryesore ndërkombëtare tregojnë se disa ekonomi evropiane pashmangshmërisht do të përballen me recesion.

Kështu analiza për pasojat ekonomike të koronavirusit që e bëri  Instituti Ekonomik në Vjenë tregon se recesioni i kërcënon të gjitha vendet e Evropës Qendrore, Jugore dhe Lindore, por ekonomitë që nuk kanë borxhe të tepërta dhe kanë vend për huazime të reja, me të cilat do ta zbusin ndikimin do të kenë gjithashtu shans për ta tejkaluar sa më mirë këtë krizë.

Vendet me hapësirë më të madhe fiskale për t’i stimuluar ekonomitë e tyre dhe me sistem efikas shëndetësor do të jenë në gjendje ta përballojnë më mirë rënien e pashmangshme ekonomike – thuhet në mes tjerash në analizë.

Disa ekspertë të vendit vlerësojnë se ekonomia jonë do të përballet me rënie, mirëpo sa do të jetë ajo – do të varet nga masat që do t’i ndërmarrë Qeveria.

Në kushte të krizës globale të shkaktuar nga koronavirusi, situata ekonomike jo vetëm që nuk mund të jetë e mirë, por aq më pak premton njëfarë shprese për rritje dhe zhvillim ekonomik. Implikimet negative të krizës së pari do të manifestohen me ulje të shkallës së rritjes ekonomike, që do të thotë ulje të ofertës së mallrave dhe shërbimeve me origjinë vendase, rritje të eksportit, kryesisht të mallrave të konsumit të gjerë, ulje të porosive nga partnerët të huaj, ulje të investimeve të huaja, ulje të sasisë së dërgesave nga emigrantët tanë, dhe e gjithë kjo do të ndikojë negativisht në llogarinë rrjedhëse dhe financiare. Nëse kjo situatë zgjat më shumë, me siguri do të përballemi me recesion, me deficit të bilancit të pagesave (i cili do të duhet të mbulohet me hua shtesë ose me shkrirje të rezervave devizore) – thotë profesori Semi Bislimi për “Portalb”-in.

ИМАМЕ ЛИ ВИСТИНСКО СЦЕНАРИО ЗА БОРБА СО ЕКОНОМСКАТА КРИЗА A KEMI SKENAR TË MIRËFILLTË PËR TA LUFTUAR KRIZËN EKONOMIKE…

Ajo që është vlerësuar deri më tani si pozitive dhe imune ndaj krizës ekonomike që po troket në derë është stabiliteti i kursit të këmbimit të denarit, thonë ekonomistët. Sipas të dhënave të BPRM-së, rezervat e këmbimit valutor aktualisht janë në një nivel më të lartë se 3 miliardë euro – një sasi shumë më e lartë sesa në krizën e vitit 2008. Por, mbetet pyetja kryesore – si do t’i kryejë shteti obligimet e tij në kushte kur pritet të ketë rënie të të ardhurave.

Profesori universitar dhe një nga ish-ministrat e financave, Nikolla Popovski, konsideron se rebalanci i buxhetit është i nevojshëm për ta përcaktuar gjendjen reale dhe për t’i specifikuar paratë që do të rialokohen dhe shkurtohen.

Situata në sektorin monetar dhe bankar në Maqedoni është tradicionalisht e mirë për shkak të vazhdimësisë afatgjate të zbatimit të politikave konservatore, të cilat janë një nga shtyllat e stabilitetit tonë makroekonomik. Shkalla e inflacionit është e ulët dhe e pranueshme, kursi i këmbimit të denarit është i qëndrueshëm dhe i mbështetur nga niveli i rezervave devizore që është i lartë dhe mbi nivelin e paraparë katërmujor të importit në vend. Ndër të tjera, jam i bindur se për këtë nevojitet një ribilanc shumë i shpejtë i buxhetit për vitin 2020.  Të gjithë e kemit të qartë se lëvizja e ekonomisë do të jetë shumë e ngjashme me atë të epidemisë, por në proporcion të kundërt, gjegjësisht, sa më shumë që rritet epidemia, aq më shpejt do të ulet aktiviteti ekonomik dhe anasjelltas. Kjo është arsyeja pse ne, por edhe tërë bota, tani kemi vetëm një detyrë të rëndësishme, ta drejtojmë ekonominë në luftën kundër epidemisë dhe ta përshtatim atë që të jetë në përputhje me interesin publik. Kjo mund të ketë një çmim të lartë në formën e një recesioni të mundshëm më të thellë dhe rritje të papunësisë tashmë të lartë në vend, por tani ky është një qëllim dytësor në krahasim me të parin – mposhtja e epidemisë dhe pandemisë që duket se është shumë rezistente. Për arritjen e këtij qëllimi, qeveria ka rol vendimtar – thotë profesori Popovski

 

ИСТА ЦЕЛ , РАЗЛИЧЕН КОНЦЕПТ – ВЛАСТА И ОПОЗИЦИЈАТА НА СПРОТИСТАВЕНИ СТРАНИ QËLLIMI I NJËJTË, KONCEPTE TË NDRYSHME – QEVERIA DHE OPOZITA NË ANË TË KUNDËRTA…

Vendi po përgatitet për më të keqen, mirëpo ndërmerren hapa për të ndodhur më e mira, tha ministrja e financave, Nina Angellovska.

Ne kemi tre skenarë bazë: i favorshmi, i pafavorshmi dhe më i pafavorshmi. Në skenarin e parë – të favorshmin, parashikohet një rënie prej 20 përqind në anën e të ardhurave totale të buxhetit të konsoliduar në krahasim me atë që është parashikuar. Kjo do të nënkuptojë ulje të të ardhurave prej rreth 700 milion eurosh, gjegjësisht për aq do të rritej deficiti dhe nevojat për financim. Në skenarin e dytë – të pafavorshëm, rënia e të ardhurave buxhetore do të ishte rreth 30 përqind, me ç’rast nevojat do të rriteshin për rreth një miliardë euro. Dhe në rastin e tretë, më të pafavorshëm, nëse të ardhurat binin për 40 përqind, nevojat shtesë do të ishin rreth 1.3 miliardë euro – tha ministrja e financave, Nina Angellovska.

Qeveria në disa raste ka njoftuar masa që synojnë sektorin privat së bashku me qytetarët që do të mbesin pa punë gjatë kësaj periudhe krize. Sipas opozitës, pakot e njoftuara deri më tani janë konfuze dhe të paqarta.

Tashmë është e qartë për të gjithë se masat janë të vonuara, ndërsa ekonomia dhe qytetarët janë të ekspozuar në mënyrë të panevojshme ndaj situatave të paparashikueshme. Më lejoni t’ju kujtoj se që në fillim të marsit, ne i rekomanduam Qeverisë që të përgatisë me urgjencë një plan për t’u përballë me recesionin e pritur. Me përjashtim të punonjësve të sektorit publik, të paktën në fillim të përpjekjeve për menaxhimin e krizave, nuk ka asnjë qytetar apo ndërmarrje në Maqedoni që e kupton nëse, kur dhe në çfarë mënyre do të ndihmohen me ndonjërën nga masat e propozuara nga Qeveria. Është me të vërtetë e paqartë se si, pas kaq shumë kohe, qeveria i ka lejuar vetes të propozojë masa që janë të paqarta dhe konfuze, si për shembull rreth përfshirjes së subjekteve, me arsyetimin se ato do të shpjegohen më tej në dekretet me forcë të ligjit që do të pasojnë – konsideron profesori universitar, Trajko Sllaveski, anëtar i KE-së të VMRO-DPMNE-së.

Simptomat e para buxhetore të koronavirusit do të shfaqen në prill – në fillim të tremujorit të dytë ekonomik, në të cilin hyhet në gjendje të jashtëzakonshme, në të cilën sektorët e parë – turizmi dhe hoteleria – u vunë nën dry, ndërsa një pjesë e punëtorëve nga disa prej më kapaciteteve më të mëdha janë dërguar në pushim të detyrueshëm.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.