ANALIZË: Rajoni i Pollogut, një pjesë e banorëve ende “ecin” nëpër rrugë të paasfaltuar!

“Gjendja e disa prej rrugëve rajonale nuk është në përputhje, jo vetëm me kërkesat për zhvillimin ekonomik, por edhe me standardet për zhvillim të sigurt të trafik të sigurt. Në Rajonin planifikues të Pollogut, rrjeti lokal rrugor është në gjendje të keqe”- kjo është shkruar në Programin për zhvillimin e rajonit planifikues të Pollogut 2015-2019. Në dokument janë shënuar disa projekte strategjike dhe prioritete që duhet të sjellin zhvillim në rajonin e Pollogut, e me këtë një jetë më të mirë për banorët e kësaj pjese të vendit. “Portalb“-i së pari kërkoi përgjigje nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planifikues të Pollogut, cilat projekte janë realizuar vitet e fundit me fonde të siguruara kryesisht nga paratë e shtetit?

Nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planifikues të Pollogut, u përgjigjën se në periudhën nga viti 2017 deri në fund të vitit 2019 ka më shumë projekte në listë, ndërsa në mesin e tyre për sa i përket infrastrukturës gjenden këto:

  •  Rekonstruimi i rrugës lokale Tetovë-Brodec, (rruga për në banjë) (pjesa në drejtim të banjës) 317.000 euro
  • -Rehabilitimi i rrugës lokale nga fshati Sushiçki most deri te deponia Rusino, komuna e Gostivarit 425.000 euro
  • -Rekkonstruimi i rrugës lokale f. Jazhincë – lidhja me rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë 75.000 euro
  • – Hapja dhe ndërtimi i rrugës alternative nga magjistrala Gostivar – Kërçovë deri te deponia Rusino, Komuna e Gostivarit 74.000 euro
  • – Projekti themelor për rekonstruimin dhe rehabilitimin e rrugës 1 në f. Miletinë 79.000 euro.

“Portalb”-i i kërkoi Qendrës për Zhvillimin e Rajonit të Pollogut që ta shohë dokumentin strategjik “Programi për zhvillimin e rajonit të Pollogut”, i cili i përcakton projektet prioritare, me qëllim që të bëjë krahasim të asaj që është shënuar si projekt prioritar dhe asaj që është në terren. Ata nuk na e dorëzuan që ta shohim dokumentin.

U përgjigjën shkurt:

“Strategjia e fundit për zhvillimin e rajonit të planifikimit të Pollogut është: Programi për zhvillim të Rajonit Planifikues të Pollogut 2015-2019, i cili është përpiluar duke i përfshirë të gjitha palët më të rëndësishme në rajon, komunat:  Bogovinë, Brvenicë, Vrapçisht, Gostivar, Zhelinë, Jegunovcë, Mavrovë Rostushë, Tearcë, Tetovë si dhe biznes sektorin, OJQ-të, etj. Në vijim është përpilimi i Programit për zhvillim të Rajonit Planifikues të Pollogut 2020-2024”.

Megjithatë, “Portalb”-i arriti ta shohë Programin për zhvillimin e rajonit planifikues të Pollogut, ku janë shënuar disa rrugë rajonale dhe magjistrale, si prioritare për ndërtim, ndërsa disa prej tyre, edhe pse janë planifikuar deri në vitin 2019, nuk përjashtohet mundësia që ato të gjenden dhe në Programin e ri për 4 vitet e ardhshme.

Në Programi aktual 2015-2019 si prioritet në infrastrukturë përmenden projektet vijuese:

Modernizimi i rrjetit ekzistues të rrugëve “A” dhe ndërtimi i rrugëve të reja (magjistralet kryesore), pastaj seksioni “A2″ që përfshin rrugët  Tetovë-Gostivar, Gostivar-Kërçovë, Gostivar-Dibër. Modernizimi i rrugëve ekzistuese dhe ndërtimi i rrugëve të reja rajonale:  Tetovë-Jazhincë, Tetovë-Pirok-Gostivar, Tetovë-Kodër e Diellit, Tetovë Brvenicë-Çegran-Gostivar, Përshevcë-Jegunovcë-Radushë, Mavrovi Anovi-Mavrovë, Zhelinë-Shemshovë-Jegunovcë. Modernizimi i rrugëve ekzistuese dhe ndërtimi i rrugëve të reja lokale”

Pikërisht rrugët lokale që marrin pjesë me 82% në strukturën e rrugëve në rajonin e Pollogut janë “më problematiket” dhe janë në pritje të ndërtimit, rehabilitimit dhe rikonstruimit. Në rajonin e Pollogut, sipas të dhënave nga Programi, ka ende pjesë që funksionojnë në rrugë të paasfaltuar, edhe atë Srbinovë – Papradisht – Tuin (Osllomej, Kërçovë), Jegunovcë – Orashë e Poshtme – Radushë, Galiçnik – Selcë – Llazaropole – Gari.

Të dhënat për rajonin e Pollogut në lidhje me cilësinë e rrugëve lokale nuk janë optimiste: 56% janë të asfaltuara, 14% janë prej toke, 11 janë të shtruara me makadam, 10% janë rrugë lokale jomesatare dhe 9% janë të shtruara me katrorë betoni.

“Në vitet e fundit, me përdorimin e fondeve të veta, si dhe fondeve nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, disa nga rrugët lokale janë rikonstruktuar dhe modernizuar (4.5%)”, thuhet në Programin për Zhvillimin e Rajonit të Pollogut.

A i kanë ndjerë banorët e rajonit të Pollogut efektet e projekteve të deritanishme?

“Portalb” i bëri pyetje Qendrës për Zhvillimin e Rajonit të Pollogut – Cili ka qenë roli juaj në zhvillimin e deritanishëm në aspektin ekonomik, infrastrukturor dhe turistik të këtij rajoni?

Ata na u përgjigjën shkurtimisht:

“Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planifikues të Pollogut e stimulon zhvillimin ekonomik përmes krijimit të infrastrukturës themelore, po ashtu edhe përmes menaxhimit me ujë të pijshëm, menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbeturinave të forta në nivel rajonal.”

Sipas Programit, autoritetet lokale në rajonin e Pollogut, të cilët bashkërisht i përcaktojnë projektet prioritare, janë zotuar të intensifikojnë aktivitetet dhe të rrisin mbështetjen në përgatitjen e dokumentacionit teknik të planeve urbanistike për vendbanimet e populluara dhe ato jashtë qytetit, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Për këtë vit, është planifikuar vetëm rehabilitimi i rrugës lokale nga fshati “Sushiçki Most” deri në deponinë Rusino, Komuna e Gostivarit – faza e tretë, për të cilën do të shpenzohen 404.000 euro, si dhe përgatitja e planeve urbanistike në Vrapçisht dhe Bogovinë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .