ANALIZË: Qytetarët kanë të drejtë ta dijnë se si harxhohen paratë e tyre!

Shkruan: Aneta Dodevska

Jo vetëm qytetarët e komunave me popullatë dominante maqedonase, por edhe banorët e komunave me popullatë dominante shqiptare nuk kishin qasje të plotë në atë se si autoritetet lokale i kanë harxhuar paratë e tyre. Vetëm 23,7% e komunave rregullisht i publikojnë raportet e tyre tremujore për mbushjen dhe harxhimin e buxheteve komunale. Jotransparenca në harxhimin e parave të qytetarëve është e plotësuar edhe me mungesën e Llogarisë përfundimtare dhe Raportit vjetor për harxhimin e parave buxhetore, shkruan Portalb.mk. Në një situatë kur qeveria e promovon Maqedoninë si një nga vendet lidere në Ballkan për internet, dhe ka ministri për shoqëri informatike, një pjesë e komunave nuk kanë ueb-faqe funskionale, që është edhe një tregues për jotransparencën e autoriteteve lokale.

Si i harxhojnë paratë komunat?  

Alarmante janë të dhënat që u publikuan nga hulumtimi për transparencën buxhetore që e realizoi Qendra për analiza ekonomike. Propozim buxheti për këtë vit, si dokument i rëndësishëm për qytetarët, ka qenë në dispozicion në ueb-faqet e vetëm 9 komunave, ose te vetëm 11 për qind nga numri i përgjithshëm i komunave. Në 33 komuna ai është marrë pas kërkesës së parashtruar, ndërsa te 38 komunat e tjera aspak nuk ka qenë në dispozicion ose nuk është marrë.

Në rajonin e Shkupit, për shembull komuna e Haraçinës, Kisella Vodës, Sarajit, Çuçer Sandevës, Çairit, mundësojnë qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me shpenzimin e parave popullore vetëm me “kërkesë”. Komuna e Studeniçanit, sipas hulumtimit të QAE-s, nuk i publikon (ose fare nuk ekzistojnë) këto dokumente: Propozim-buxhetin, raportet tremujore, Llogarinë përfundimtare, Raportin vjetor për buxhetin. Edhe në nivel të shtetit, gjendja nuk është dukshëm më e mirë. Komuna e Dibrës, Pllasnicës, Çeshinovës-Obleshevës, Bërvenicës, publikojnë dokumente për shpenzimin e parave të qytetarëve vetëm me kërkesë, shkruan Portalb.mk.

Një nga dokumentet kryesore, që nuk publikohen e që janë të rëndësishëm për qasjen  e publikut janë raportet tremujore për atë se si janë harxhuar paratë e qytetarëve.

“Komunat rrallë herë i publikojnë raportet tremujore për ekzekutimin e buxhetit, gjegjësisht për vitin e fundit vetëm 19 komuna rregullisht i kanë publikuar raportet tremujore për ekzekutimin e buxhetit në vend të veçantë në ueb-faqen e tyre ose si pjesë të buletineve zyrtare të komunave, ndërsa për 48 komuna, raportet tremujore janë marrë pas kërkesës së parashtruar, ndërsa për 13 komuna ato nuk janë në dispozicion”, theksojnë nga Qendra për analiza ekonomike.

Problematike janë edhe dokumentet si Llogaria përfundimtare dhe Raporti vjetor.

“Llogaria përfundimtare dhe Raporti vjetor për vitin 2014 kanë qenë në dispozicion në ueb-faqet e përafërsisht gjysmës së komunave, dhe më shpesh ato merren duke parashtruar kërkesë, edhe atë në 29 komuna me kërkesë është marrë Llogaria përfundimtare, ndërsa te 39 komuna me kërkesë është marrë Raporti vjetor”, thuhet në analizën e QAE-s.

“Këto të dhëna, së bashku me hulumtimet e mëparshme për transparencën në nivel qendror, tregojnë se Maqedonia akoma ka probleme me transparencën buxhetore. Poashtu, në nivel qendror jemi dëshmitarë se disa vite me radhë buxheti miratohet pa debat në Kuvend, që në mënyrë plotësuese e përkeqëson pozitën e Maqedonisë kur flitet për transparencën buxhetore”, thonë ekspertët,  shkruan Portalb.mk.

Në kohën e ekspanzionit të internetit, dhe në një situatë kur në raportet e Brukselit Maqedonia lavdërohet si lider në këtë sektor, një pjesë e vetëqeverisjeve lokale akoma nuk kanë ueb-faqe funksionale nëpërmjet të të cilave qytetarët do të mund të informoheshin.

“Ka komuna që akoma nuk kanë ueb-faqe zyrtare funksionale, komuna që kanë ueb-faqe vetëm në gjuhën shqipe, ueb-faqe pa të dhëna të përditësuara, ueb-faqe që aspak nuk kanë dokumente në lidhje me buxhetin”, theksojnë nga QAE.

(Jo)transparencë edhe në buxhetin qendror?

Jo transparenca nuk është problem vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel qendror, gjë që u theksua edhe në raportin e paradokohshëm të Revizorit shtetëror kushtuar revizionit të kryer të buxhetit themelor për vitin 2014. Paratë e nevojshme për financimin e prioriteteve strategjike duhet të parashihen me Strategjinë fiskale, e cila duhet të miratohet nga qeveria deri më 31 maj, të vitit përkatës, mirëpo sipas revizorit këto afate ligjore nuk janë respektuar.

“Ministria për financa, Propozim-strategjinë fiskale për periudhën 2014-2016 e ka dorëzuar më 19.09.2013, me vonesë prej katër muajsh”, thekson revizioni i cili pastaj thotë se shumat e mjeteve të miratuara janë përcaktuar me “Qarkore buxhetore”, shkruan Portalb.mk.

Një sërë vërejtjesh jep revizioni në adresë të shfrytëzuesve buxhetorë të cilët janë të obliguar që në afate të caktuara të dorëzojnë plan strategjik, plan për furnizime publike, plan për vendet e plotësuara të punës, dhe Qarkoren e kërkuar buxhetore, e cila përmban të dhëna për mjetet e përcaktuara dhe të planifikuara për shpenzim.

“Një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë nuk kanë dorëzuar plane strategjike trevjeçare, të cilat janë bazë për përgatitjen e buxhetit. Plani për vendet e sistematizuara dhe të plotësuara të punës, si dhe plani për furnizime publike, nuk janë dorëzuar nga një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë”, thekson revizori.

Ai që i harxhon paratë, duhet të tregojë ku dhe si i ka harxhuar ato

Qytetarët kanë të drejtë ta dijnë se ku harxhohen paratë e tyre, ndërsa pushteti, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për pushtetin lokal apo atë qendror, e ka për obligim të japë llogari, për shkak se në mungesë të informatave të plota lihet hapësirë për manipulime dhe keqpërdorime, thonë ekonomistët.

Qendra për analiza ekonomike propozon një pako me zgjidhje që mund ta rrisin transparencën.
“Komunat të obligohen që në tërësi dhe në kohë t’i publikojnë Propozim-buxhetin, Buxhetin, Llogarinë përfundimtare dhe raportet periodike për ekzekutimin e buxhetit, si dhe t’i publikojnë në tërësi dhe në detaje dokumentet dhe raportet e rregullta për ekzekutimin e buxhetit”, theksojnë nga QAE, shkruan Portalb.mk.

Së shpejti duhet të publikohet hulumtimi i ri që do të tregojë se ku gjendet Maqedonia sipas transparencës në krahasim me vendet e rajonit dhe të botës. Hulumtimi i fundit i QAE-s tregoi se vendi është në grupin e atyre që sigurojnë informata minimale për harxhimin e parave.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.