ANALIZË: Qytetarët dhe kompanitë ngritën “frenin” – zvogëlohen kërkesat për kredi! (Infografik)

Фпто:

Pothuajse dyfish është zvogëluar numri i bankave që në fund të tremujorit të tretë krahasuar me të dytin, bënë me dije se kërkesat për kredi të korporatave janë zvogëluar. Rritet numri i bankierëve që konsiderojnë se politika monetare ka një efekt të papërfillshëm në përcaktimin e kamatave për kreditë. Trendet e këtilla që janë regjistruar në Anketën e fundit të aktivitetit kreditor, janë kryesisht pasojë e krizës ekonomike për shkak të Kovid 19, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Bankierët prisnin rritje të kërkesave për kredi – ndodhi e kundërta!

“Për sa i përket lëvizjeve në depozitat dhe kreditë e përgjithshme, të dhënat fillestare për nëntorin tregojnë rritje të tyre të mëtutjeshme solide vjetore, brenda pritjeve sipas projeksionit të tetorit” – është përfundimi i Komitetit për Politikë Operacionale Monetare të Bankës Popullore në fundin e këtij viti ekonomik. Në pritje të të dhënave të reja mbi zhvillimet monetare në nëntor, të dhënat e fundit tregojnë se ka rritje edhe te kreditimi edhe te kursimet, por me përqindje që tregojnë një përmbajtje nga kërkesa për kredi.

Bankierët prisnin rritje të kërkesave për kredi në tremujorin e tretë – por anketa e fundit tregon se pritjet dhe vlerësimet e tyre nuk u materializuan siç pritej. Krahasuar me tremujorin e dytë, numri i bankierëve që bënë me dije se ka kërkesë të reduktuar për kredi u rrit ndjeshëm.

Rreth 59% e bankave bëjnë me dije se ka rënie të kërkesës për kredi (38% në anketën paraprake). Nga ana tjetër, rreth 17% e bankave bëjnë me dije se ka rritje të kërkesës për kredi të korporatave, krahasuar me përqindjen më të lartë në anketën paraprake (35%). “Ulja neto e kërkesës në tremujorin e tretë është në kundërshtim me pritjet e bankave nga anketa paraprake për rritjen neto të kërkesës” – thuhet në Anketën e Bankës Popullore.

Pasiguria ekonomike, frika nga humbjet e vendeve të punës dhe ngurrimi për të shpenzuar e kanë ngadalësuar gjithashtu edhe marrjen e kredive nga familjet. Megjithatë, në krahasim me tremujorin e dytë, është zvogëluar numri i bankierëve që tregojnë se ka aktivitet më të ngadaltë kreditor të qytetarëve.

“Rritje është vërejtur në përqindjen e bankave që bëjnë me dije se ka rritje të kërkesës, edhe atë nga rreth 9% në anketën paraprake në rreth 36% në këtë anketë. Nga aspekti i llojeve individuale të kredive, kërkesa për kreditë për banesa dhe llojet tjera të kredive shënoi një rënie më të dobët neto, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa bankat bënë me dije se kishte një rritje të lehtë neto të kredive konsumatore” – thuhet në raportin e anketës.

Pritjet dhe përqindjet e kamatave…

Deri në fund të këtij viti ekonomik, veçanërisht në tremujorin e fundit, bankierët presin rritje të kërkesës për kredi si nga kompanitë ashtu edhe nga qytetarët, por në të njëjtën kohë rritet numri i bankierëve që thanë se kushtet e kreditimit do të mbeten të pandryshuara, ndërsa zvogëlohet numri i bankave që presin lehtësimin e kushteve për miratimin e kredive.

A do t’i konfirmojë tremujori i fundit i kësaj krize të rëndë ekonomike pritjet e bankierëve se do të rritet ndjeshëm të aktivitetit kreditor?

“Në tremujorin e katërt, bankat presin një rritje neto të kërkesës për kredi nga familjet dhe një rritje neto të kërkesës për kredi nga ndërmarrjet, më të theksuar sesa pritej në anketën paraprake”  – thuhet në raport.

Në periudhën e kaluar, përqindjet e kamatës për kreditë ishin në një trend rënës, por më të dobët se sa që pritej.  Te kreditë banesore, edhe më tej vërehet një lehtësim neto i tarifave bankare. Për sa i përket kredive konsumatore, kushtet e tjera të kredisë tregojnë një lehtësim të lehtë neto pas shtrëngimit në tremujorin e dytë.

Kur i aprovojnë kreditë, për bankierët si faktorë “jashtëzakonisht të rëndësishëm” janë të ardhurat, gjegjësisht lartësinë e rrogës, aftësia paguese (boniteti) e klientit, vlera e hipotekës. Me intensifikimin e pandemisë dhe të pasojave të krizës ekonomike – nga marsi vërehet një trend në rritje i kamatave të kredive. Kështu, në tetor, kamatat e kredive të sapo aprovuara për familjet arritën në 4.49%, ndërsa për kreditë e sapo aprovuara për ndërmarrjet 4.04%.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.