Analizë: Për një vit 100 milionë euro të reja borxh i institucioneve shtetërore, komunave, ndërmarrjeve publike…

Фото: pixabay.com

Rritje dramatike e borxheve të ndërmarrjeve publike, për vetëm tre muaj janë rritur detyrimet e prapambetura dhe të papaguara si të ndërmarrjeve publike ashtu edhe të kompanive shtetërore, po ashtu janë rritur edhe borxhet e komunave dhe institucioneve publike shëndetësore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Deri në vitin 2021, totali i detyrimeve të prapambetura dhe të papaguara të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike, ministrive, komunave, kompanive shtetërore, ka tejkaluar 391 milionë euro – me rritje si në tremujorin e tretë, ashtu edhe në krahasim me situatën në fund të vitit 2020. Portalb”-i i ka analizuar të dhënat e fundit për borxhin.

Cilët sektorë sa borxhe kanë… 

Totali i detyrimeve të prapambetura i të gjitha institucioneve, qoftë “shtetërore” apo “komunale” në fund të vitit 2021 kanë arritur në 400 milionë euro. Ministria e Financave i publikoi të dhënat e përmbledhura vjetore për pozitën dhe gjendjen e borxhit të 1063 institucioneve – 700 prej tyre raportuan detyrime të prapambetura dhe të papaguara në fund të tremujorit të tretë. Lista e re e borxhlinjve me detyrime të papaguara të raportuara ka 60 institucione më pak se lista e tremujorit të tretë të viti 2021.

“Portalb”-i ka bërë një krahasim të situatës në tremujorin e katërt krahasuar me tremujorin e tretë të vitit – gjithsej detyrimet e prapambetura dhe të papaguara janë rritur për 62,1 milionë euro, që është një rritje e ndjeshme për vetëm tre muaj.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara

  • Tremujori i tretë 2021- 329,443,384 euro .
  • Tremujori i katërt 2021- 391,571,450 euro.

Rritje më drastike të detyrimeve të papaguara ka te ndërmarrjet publike dhe kompanitë në pronësi shtetërore, borxhi i të cilave ka arritur në 179,2 milionë euro – një rritje prej 54,6 milionë euro për vetëm tre muaj. Rritje ka edhe te borxhet e komunave – obligimet e prapambetura, por të papaguara kanë arritur pothuajse 69 milionë euro, borxhi i ndërmarrjeve publike komunale është rritur në 58,4 milionë euro.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara

  • NP dhe firmat shtetërore- 179,2 milion euro.
  • Komunat- 68,9 milionë euro.
  • Institucionet shëndetësore publike- 67,8 milionë euro.
  • Ndërmarrjet publike komunale- 58,4 milionë euro .

Rritje të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara ka edhe në shëndetësi – në fund të vitit të kaluar institucionet, gjegjësisht spitalet, klinikat kanë raportuar borxh në vlerë prej gati 68 milionë euro. Te “shfrytëzuesit e linjës së parë buxhetore”, ku bëjnë pjesë ministritë dhe institucione të caktuara shtetërore, është shënuar ulje e ndjeshme e borxheve në 9,5 milionë euro.

Kamata të papaguara, faturat të prapambetura për shërbimet komunale, rroga të papaguara…

Në listën e re të borxhlinjve janë raportuar borxhe milionëshe për arsye të ndryshme, ndërsa shumat më të larta të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara janë për punimet e ndërtimit, kamatat e kredive, blerjet e materialeve dhe inventarit të imët, për rrogat, shërbimet kontraktuale.

Konkretisht, në fund të vitit 2021 në bazë të “shërbimeve kontraktuale” detyrimet arritën në 37 milionë euro, për shërbimet komunale, ngrohje, komunikim dhe transport 52 milionë euro, detyrimet e prapambetura, por të papaguara për materiale dhe inventar të imët arritën në 51 milionë euro, ndërsa për rroga, kontribute, kompensime arrijnë në 9,3 milionë euro. Borxhi i vonuar për pagesat e kamatës ndaj kreditorëve vendas arriti në 22,5 milionë euro, ndërsa për objekte ndërtimore në 38,2 milionë euro.

Në tri vendet e para, sipas shumës së detyrimeve të prapambetura, por të papaguara janë Sh.A. “Burimet Energjetike të Maqedonisë” në vlerë prej 82,7 milionë euro, Sh.A. HM “Transporti” – Shkup me borxh prej 64,9 milionë euro dhe komuna e Tetovës, borxhi i të cilës arriti në 13,5 milionë euro.

Jo vetëm në bazë tremujore, totali i detyrimeve dhe detyrimeve të prapambetura, por të papaguara është rritur në mënyrë dramatike në raport me situatën në fund të vitit 2020.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara

  • Dhjetor 2021- 391,571,450 euro.
  • Dhjetor 2020- 288,805,451 euro.

Në fund të dhjetorit 2021, krahasuar me situatën në dhjetor 2020, totali i detyrimeve të prapambetura, por të papaguara është rritur për 102,7 milionë euro.

Në analizën e radhës, “Portalb”-i do të publikojë të dhëna për borxhet e bashkive, spitaleve, klinikave, ndërmarrjeve publike, kompanive shtetërore.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.