ANALIZË: Për kredi banesore dhe konsumatore qytetarët kanë borxh prej pothuajse 2 miliardë euro

Foto: pixabay.com

 

Përqindjet historike të rritjes së kreditimit prej 39% nuk do të përsëriten, por vitin e ardhshëm dhe në vitet që vijnë, kreditimi do të jetë i qëndrueshëm, me përqindje mesatare të rritjes prej 8.4%. Aktualisht, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave dhe i kursimoreve arrin në 5 miliardë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e depozitave të kursimit arrin në 5.8 miliardë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalbit. Në fund të shtatorit, saldoja e kërkesave të dyshimta dhe kontestuese është 251 milionë euro.

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

 

NË VITIN 2019 – RRITJE KREDITORE PREJ 8,5%…

Kërkesat për kredi nga ana e amvisërive u ngadalësua në tremujorin e tretë ekonomik, me dinamikë më të shpejtë në krahasim me atë të mëparshmin, por sipas pritshmërive të bankierëve, ky trend do të ndryshojë në tremujorin e fundit.

Rënia neto e kërkesës për kredi në sektorin e amvisërive në tremujorin e tretë është në kundërshtim me pritjet e bankave, të dhëna në anketën e mëparshme. Për tremujorin e katërt të vitit 2018, bankat presin një rritje neto të kërkesave për kredi banesore dhe konsumatore, sikurse edhe në anketën e mëparshme – thonë nga Banka Popullore.

Në periudhën që kaloi, sipas analizave të bankierëve, kërkesat për kredi konsumatore janë ngadalësuar, ndërsa në rastin e kredive banesore ka një rritje të vogël neto. Të dhënat më të reja që janë në dispozicion tregojnë se në fund të shtatorit , amvisëritë (personat fizikë dhe ushtruesit e pavarur të veprimtarisë) në banka kanë pasur borxhe në vlerë prej 2 miliardë e 487 milionë eurosh.

Borxhet e amvisërive për shkak të kredive:

  1. Kredi konsumatore 1 268 000 000 euro
  2. Kredi banesore 713 500 000 euro

Në tremujorin e tretë, është regjistruar një rritje e kërkesës për kredi të korporatave, por më e dobët krahasuar me situatën në tremujorin e dytë. Sipas bankave, ky ndryshim është rezultat i zvogëlimit të kërkesës për kredi nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kredi afatshkurtra dhe afatgjata, me ç’rast ngadalësim i kërkesës vërehet edhe në kërkesën për kredi nga ndërmarrjet e mëdha – kanë deklaruar bankierët në anketën e sapo publikuar për aktivitetin kreditues.

Momentet më të mëdha të rritjes kredituese u arritën nga viti 2004 deri në vitin 2008. Sipas analizës së të dhënave të bëra nga “Portalb”-i, në vitin 2007, përqindja e rritjes kredituese tejkaloi vlerën 39% dhe konsiderohet si historikisht më e larta.

Kreditë e sektorit privat – përqindje e ndryshimit: 

viti 2004        25,0%

viti 2005        21,0%

viti 2006        30,5%

viti 2007        39,2%

viti 2008       34,4%

Në fund të këtij viti bankar, sipas parashikimeve të BPM-së, vitin e ardhshëm pritet përshpejtim i ritmit të rritjes kredituese, i cili do të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

Për vitin 2019 pritet një dinamikë e ngjashme e rritjes së aktivitetit kreditues prej 8.5% (7.7% në projektimin e prillit), ndërsa për periudhën e ardhshme deri në fund të vitit 2021, pritet që rritja kredituese të jetë mesatarisht 8.4%. Vlerësimet për përshpejtimin e rritjes kredituese bazohen në supozimet për pritje të qëndrueshme, rritje të potencialit të depozitave të bankave dhe rritje të aktivitetit ekonomik – thonë nga NBM-ja.

Disa bankierë për “Portalb“-in, komentuan se pasiguria e përgjithshme politike, sidomos në periudhën para mbajtjes së referendumit dhe ngjarjet në Parlament pas përfundimit të tij, ndikoi në aktivitetin kreditues duke u përmbajtur nga huamarrjet e reja edhe te qytetarët edhe te bizneset. Ky vit, sipas parashikimeve të fundit, do të përfundojë me rritje kredituese prej 8.4%.

 

KURSIM I QËNDRUESHËM  – NË LIBREZAT E KURSIMIT NË BANKA KA 5,6 MILIARD EURO…

Me përqindje mesatare të rritjes së depozitave prej 8% në vit, kursimet në vend arritën në 55% të PBB-së. Sipas të dhënave më të fundit, baza e përgjithshme e depozitave në banka dhe kursimore arrin në 5.8 miliardë euro. Ajo që inkurajon dhe e konfirmon besimin në monedhën vendase është rritja e kursimeve në denarë, thotë guvernatorja, Anita Angellovska-Bezhoska.

Veçanërisht pozitive është rritja më e fortë e depozitave në monedhën vendase dhe përshpejtimi i rritjes së kursimeve afatgjatë, gjë që e forcon kapacitetin e bankave për plasime afatgjata dhe mbështetje të projekteve investues. Por, pavarësisht trendeve pozitive, është e dukshme nevoja për rritje të mëtejshme të kursimeve të përgjithshme vendore, gjë që është një karakteristikë e përbashkët e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore – deklaroi guvernatorja.

Analiza e të dhënave për rritjen e depozitave tregon se në periudhën prej pesë viteve, ose nga viti 2014 deri më tani, baza e depozitave është rritur për pothuajse 1.2 miliardë euro.

 Depozitat e përgjithshme në banka dhe kursimoret: 

viti 2014         4,6 miliard euro

viti 2015         4,9 miliard euro

viti 2016          5,2 miliard euro

viti 2017          5,5 miliard euro

viti 2018           5,8 miliard euro  

 

Gjatë viteve të fundit, ngadalë ndryshoi edhe struktura valutore e depozitave, me çka tani dominon kursimi në denarë. Kështu, 59.4% e kursimeve të përgjithshme në monedhën vendase, ndërsa pjesa e mbetur prej 40.6% janë kursime në deviza.

Në përputhje me përmirësimin e performancës së deritanishme, e po ashtu edhe me vlerësimet për ambient të qëndrueshëm dhe rritje të aktivitetit ekonomik, është bërë një përmirësim pozitiv i rritjes së depozitave, e cila pritet të jetë 10,2% dhe 7.7% përkatësisht për vitin 2018 dhe 2019 (në projeksionin e prillit rreth 6.5%) me përforcim të moderuar të rritjes në periudhën e ardhshme prej 8.6%, mesatarisht, për periudhën 2020-2021 – shkruan në projeksionet e reja të rishikuara të Bankës Popullore.

Si rezultat i pasigurisë për shkak të situatës politike, veçanërisht në lidhje me integrimin euro-atlantik, në periudhën e kaluar është vërejtur përmbajtje e investimeve, e cila është reflektuar me kërkesë më të dobët të kredive për investime nga kompanitë vendase.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.