ANALIZË: Në RMV komunat i “mban gjallë” Qeveria, shumicën e parave e harxhojnë për rroga

Komunat më së shumti “mbështeten” në paratë që ua jep Qeveria në bazë të dotacioneve-transfereve, kurse shumica e buxheteve komunale shpenzohen për rroga, kontribute dhe kompensime. Faturat e larta dramatike të rrymës i “ngatërruan” faturat komunale – bëhet e ditur se shkollat janë në prag të kolapsit energjetik, nëse paguhen faturat e energjisë elektrike nuk do të ketë para për rroga.

Në dy vazhdime, Portalb.mk do t’i analizojë buxhetet e disa komunave në vend, me theks të veçantë në ato nga rajoni i Pollogut që kërkuan pushim dimëror dy mujor për të kursyer energjinë elektrike.

Nga cilat burime mblidhen paratë dhe për çfarë shpenzohen?

Komuna e Haraçinës në gjashtë muajt e parë nga tatimi në pronë ka pasur të hyra prej 16.100 euro, që paraqet 41% realizim në raport me planin, konkretisht për gjithë vitin 2022, kjo komunë planifikon të ardhura prej pothuajse 39.000 euro mbi këtë bazë.  Shteti i ka transferuar kësaj komune 859 mijë euro në gjysmën e parë të vitit mbi të gjitha bazat. Në anën e shpenzimeve, shuma më e lartë është shpenzuar për paga rroga, edhe atë 845 mijë euro, ndërsa për shërbime komunale janë shpenzuar 103 mijë euro. Komuna e Haraçinës në gjysmën e parë të vitit ka shpenzuar 59 mijë euro për vetura.

Komuna e Bogovinës nga arkëtimi i tatimit në pronë për gjashtë muaj ka mbledhur 124.500 euro, që është vetëm 32% e të hyrave të planifikuara mbi këtë bazë për tërë vitin. Pjesën më të madhe të të ardhurave edhe këtu e përbëjnë transferet shtetërore mbi të gjitha bazat, së bashku me dotacionet dhe donacionet, në vlerë prej 1.7 milionë euro.  Nga mbledhja e taksave të tjera specifike, në arkën e komunës janë derdhur 204.000 euro. Në anën e shpenzimeve kjo komunë e Pollogut ka shpenzuar shumën më të lartë prej 1 milion eurosh vetëm për rroga dhe 440 mijë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. Për pagesën e faturave të shërbimeve komunale për gjashtë muaj janë shpenzuar më shumë se gjysma e parave për gjithë vitin, në vlerë prej 150 mijë eurosh. Për vetura janë shpenzuar 6.700 euro.

Një komunë tjetër nga rajoni i Pollogut – Bërvenica, në arkën e komunës ka arkëtuar shumën më të lartë prej 1.6 milionë eurosh nga transferet shtetërore mbi baza të ndryshme, kurse nga mbledhja e tatimit në pronë kjo komunë ka mbledhur 84 mijë euro, që është realizim prej 35% në raport me planin. Pushteti komunal ka shpenzuar 638 mijë euro për rroga dhe 271 mijë euro për kontribute dhe kompensime. Në gjysmën e parë të vitit, kjo komunë ka shpenzuar 77.200 euro për automjete dhe 144.500 euro për fatura komunale – që është më shumë se gjysma e shumës së planifikuar për tërë vitin.

Komuna e Gostivarit në gjashtëmujorin e parë ka marrë 6.6 milionë euro nga shteti mbi baza të ndryshme, duke përfshirë edhe dotacionet, ndërsa nga tatimi në pronë ka mbledhur 563.000 euro, që është një realizim prej 42,5% krahasuar me planin për tërë vitin. Shuma më e lartë prej 4,2 milionë euro është shpenzuar për rroga dhe 1.7 milionë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. 431.000 euro dhe 376.000 euro të tjera janë shpenzuar për shërbime me kontratë përmes zërit “objekte të tjera ndërtimore”.

Komuna e Dibrës në bazë të transfereve dhe dotacioneve për gjashtë muaj ka marrë 1.9 milionë euro në llogarinë e saj, ndërsa nga tatimi në pronë ka mbledhur 73 mijë euro, që paraqet realizim prej 38% të të hyrave të planifikuara mbi këtë bazë për tërë vitin. Në anën e shpenzimeve, kjo komunë ka shpenzuar 1.3 milionë euro për rroga dhe 520 mijë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. Për pageseën e shërbimeve komunale janë paguar 173.000 euro – më pak se gjysma e mjeteve të planifikuara për faturat gjatë gjithë vitit. Për vetura janë shpenzuar 2.600 euro.

Komuna e Pollogut, Zhelina në bazë të transfereve, donacioneve dhe dotacioneve, për gjashtë muaj ka marrë dhe shpenzuar 1.7 milionë euro, ndërsa të ardhurat e dyta më të mëdha janë realizuar nga mbledhja e taksave për shërbime specifike – një shumë prej 148 mijë euro. Komuna ka shpenzuar shumën më të lartë prej 1,1 milionë euro për rroga dhe 434 mijë euro të tjera për kontribute dhe kompensime, ndërsa për shërbime kontraktuale në gjysmën e parë të vitit janë paguar 38.500 euro.

Komuna e Kërçovës në gjysmën e parë të vitit, në bazë të transfereve nga të gjitha nivelet e pushtetit ka marrë 4,6 milionë euro. Nga mbledhja e tatimit në pronë janë mbledhur 444 mijë euro, kurse nga mbledhja e taksave për shërbime specifike janë siguruar 975 mijë euro. Kjo komunë në perëndim të vendit ka shpenzuar shumën më të lartë prej 2,9 milionë euro për rroga dhe 1,2 milionë euro të tjera për kontribute dhe kompensime. Përveç kësaj, 162.500 euro janë shpenzuar për shpenzime të udhëtimit dhe mëditje, ndërsa për fatura komunale është shpenzuar më shumë se gjysma e shumës së planifikuar për tërë vitin   – një shumë prej gati 550.000 euro. Në anën e shpenzimeve janë edhe “shërbimet kontraktuale” në vlerë prej 263 mijë eurosh të shpenzuara për gjashtë muaj.

Në “Analizën” e radhës do të skanohen të dhënat për arkën komunale të Likovës, Tetovës, Sarajit, Çairit dhe disa komunave tjera.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.