ANALIZË: Lista e projekteve për vitin 2021 – hekurudha, gazifikimi, modernizimi i Armatës, qendra klinike!

Foto: freepik.com

Përfundimi i rindërtimit të hekurudhës në Korridorin 10, ndërtimi i rrugëve lokale, ndërtimi dhe rinovimi i hekurudhës lindore – Korridori 8, seksioni Kumanovë – Beljakovcë – Kriva Pallanka, paralajmërim për ndërtim dhe rindërtim të objekteve shëndetësore, shkollave dhe konvikteve studentore- janë pjesë e listës së gjatë të projekteve që duhet të realizohen në buxhetin 2021. Portalb.mk publikon detaje nga “Komponenti zhvillimor” të Buxhetit të ri – çka planifikohet të ndërtohet dhe sa para do të shpenzohen.

 

Kush dhe sa para do të shpenzojë për investime kapitale…

Për modernizimin e sistemeve të komunikimit si dhe mbrojtjen kibernetike, përmes pjesës zhvillimore të Buxhetit, janë planifikuar 2.5 milion euro për Ministrinë e Mbrojtjes. Për më tepër, për rindërtimin dhe përshtatjen e ambienteve të vjetra të armatës, si dhe për përmirësimin e kushteve për funksionimin dhe ekzekutimin e detyrave të punës, janë parashikuar 4.8 milion euro. Deri më tani, shuma më e lartë prej 44 milion euro është planifikuar për Integrim në NATO – para për modernizim dhe pajisje të ARM-së sipas standardeve të Aleancës së NATO-s.

Për reformat në polici Ministria e Punë të Brendshme do të ketë në dispozicion 7.5 milion euro, ndërsa 3.2 milion euro janë ndarë për reformë të institucioneve ndëshkuese korrektuese.

Ministria e Punëve të Jashtme për Integrim në NATO do të marrë 130.000 euro.

Shuma të mëdha parash, kryesisht të siguruara nga hua, janë planifikuar për komunat, posaçërisht përmes Ministrisë së Financave për Projektin për përmirësim të shërbimeve komunale, janë planifikuar 13,5 milionë euro. Për zhvillim rural dhe rajonal, përmes Ministrisë së financave, janë planifikuar gjithsej 11,5 milionë euro.

Gazifikimi është projektuar sërish në Buxhetin e ri, përmes disa zërave dhe departamenteve. Konkretisht përmes Ministrisë së Ekonomisë për gazifikimin – do të ketë investime dhe shpenzime shtesë për projektet që janë aktualisht në realizim e sipër (ndërtimi i gazsjellësit kryesor Shtip-Negotinë, Negotinë – Manastir dhe Shkup – Gostivar), si dhe shpenzime për projektet e ardhshme në lidhje me gazifikimin janë rezervuar mjetet në vlerë prej 2,3 milionë euro. 813,000 euro do të shpenzohen për të mbështetur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes kësaj ministrie.

Investimet në Zonat e lira ekonomike janë pjesë edhe e Buxhetit të ri, kështu që për ndërtimin, pajisje, rregullim të mëtejshëm të ZZHTI përmes Drejtorisë së Zonave për Zhvillim Teknologjik Industrial është planifikuar të shpenzohen 8 milionë euro.

Përmes Ministrisë për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, janë planifikuar dy projekte – për hidrosistemin Liqeni i Dojranit dhe sistemin e ri të ujitjes Paljurci janë rezervuar gati 540.000 euro dhe për sistemin kolektor Ohër dhe Strugë 1.9 milion euro.

Ministria e Transportit do të ketë miliona për investime kapitale. Konkretisht, gati 36 milion euro janë planifikuar për investime në infrastrukturën hekurudhore, 12,2 milionë euro për gazifikimin, 7,1 milionë euro për ndërtimin dhe rindërtimin e sistemeve të ujësjellësve dhe kanalizimeve, ndërsa 3,7 milionë euro janë rezervuar për ujësjellës dhe kanalizime për komunat. Pjesë e buxhetit të ri është përsëri ndërtimi i ujësjellësit dhe kanalizimit në Vizbeg në vlerë prej 1,9 milion euro, me çka kompletohet mbështetja financiare për zonën ekonomike në Vizbeg.

Për hidrosistemin  Zletovica, i cili është strategjik për 100.000 banorë në pjesën verilindore të vendit, 2.4 milion euro janë planifikuar përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ndërsa 400.000 Euro janë ndarë për hidrosistemin Lisiçe.

1.1 milion euro do të ndahen përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për rindërtim dhe rinovim të kopshteve ekzistuese, si dhe pajisje të kopshteve të sapo-ndërtuara, ndërsa 8,7 milion euro janë të rezervuara për inkurajimin e punësimit përmes Planit operacional për punësim.

Edhe Ministria e Arsimit është në grupin e atyre që do të kenë shuma më të mëdha për të shpenzuar vitin e ardhshëm. Kështu, për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave fillore si dhe për ndërtimin e sallave sportive në shkollat ​​fillore janë planifikuar gjithsej 13 milion euro. 930 000 euro do të shpenzohen për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave të mesme si dhe për ndërtimin e sallave sportive në shkollat ​​e mesme dhe 2.2 milion euro janë planifikuar për rindërtimin e studentëve për rindërtimin dhe ndërtimin e konvikteve si dhe për rinovim energjetik të konvikteve të ndara edhe 1,7 milionë euro.

Në listën e ministrive me shuma më të mëdha për projekte zhvillimore kapitale është Ministria e shëndetësisë – për rindërtimin dhe azhurnimin e institucioneve shëndetësore publike vitin e ardhshëm duhet të shpenzohen 3,2 milionë euro, për pajisje mjekësore 4,2 milionë euro, për spitalin e përgjithshëm Kërçovë janë ndarë 1, 2 milionë euro dhe për ndërtimin e një qendre të re klinike në Shkup dhe Shtip rreth 5 milionë euro.

Investimet kapitale në vitin 2021, krahasuar me këtë vit, janë rritur për 20%.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari