ANALIZË: Koronavirusi “e sëmuri” ekonominë botërore – a do të ketë pasoja edhe për ne?

Udhëtime të anuluara turistike për festën e ardhshme të 8 Marsit, vonimin e ekskursioneve shkollore, rritjen e konsumit të produkteve të caktuara, anulimin e aranzhimeve të fundjavës në disa vendpushime turistike në vend, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk Shfaqja e rastit të parë të të sëmurit nga virusi i koronës në Maqedoni i solli simptomat e para të “gripit” në ekonomi.

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

 

TË PARTË TË GODITUR – SEKTORI TURISTIK DHE TRANSPORTUES 

Një ditë pasi u konfirmua rasti i parë i të sëmurit nga virusi korona në vend – u bënë edhe thirrjet e para telefonike në agjenictë turistike për anulimin e aranzhmaneve – veçanërisht në Itali. Udhëtimet e para të anuluara turistike kishin të bënin vetëm me udhëtimet festive të 8 marsit. Ky ishte një sinjal për mobilizimin e agjencive turistike. Në kuadër të Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit u formua një Trup Koordinues përgjegjës për monitorimin e situatës. Ministria e Ekonomisë konfirmon se agjencitë e udhëtimit kanë kërkuar udhëzime se si të veprojnë, veçanërisht në lidhje me shpenzimet që do të bëhen për shkak të anulimit të aranzhmaneve.

U morëm vesh që të shqyrtohen anulimet, pasi që normalisht do të ketë të tilla, veçanërisht në rajonet që tashmë janë në karantinë, siç janë ato në Itali dhe Kinë. Do të shohim sesi do të veprojmë. Nëse ka nevojë për ndonjë masë tjetër, qeveria dhe ministria duhet të marrin qëndrim – deklaroi Shefket Hazari nga Ministria e Ekonomisë.

Qytetarët tanë anulojnë udhëtime jashtë vendit – por edhe turistët e huaj i anulojnë aranzhmanet e tyre në vend. Disa hotelierë në Ohër, të konsultuar nga “Portalb”-i, thonë se i kanë pranuar thirrjet e tyre të para për anulimin e aranzhmaneve, sapo e kanë marrë lajmin për paraqitjen e rastit të parë të virusit korona në Maqedoni.

Turistët nga Bullgaria u interesuan për situatën, ndërsa turistët nga Greqia e anuluan ardhjen e tyre. Mund të them që edhe turistët vendas ndjehen të përmbajtur, supozoj se nuk duan të udhëtojnë që të mos e rrezikojnë veten. Shpresojmë se gjendja do të normalizohet – komenton për “Portalb”-in njëri prej menaxherëve të hoteleve që ndodhet në rivierën e Ohrit.

Biznesi e ndjek për së afërmi gjendjen me virusin e koronës. Drejtori i delegacionit të ekonomisë gjermane në vend, Patrik Martens pret që përhapja e sëmundjes të ketë ndikim negativ, por gjithashtu pret që ai të jetë “jetëshkurtër”.

Po, do të ketë një ndikim të pjesshëm në ekonominë e Maqedonisë. Por, unë besoj se ekonomia maqedonase do të jetë në gjendje ta rimarrë veten shpejt dhe në afat të shkurtër kohor. Problemi më i madh me të cilin përballemi për momentin në vend është mungesa e kuadrit profesional, të cilin ne si Delegacion i ekonomisë gjermane përpiqemi ta ndihmojmë përmes projektit tonë për arsimin e dyfishtë profesional që e implementojmë në vend – tha Martens.

Ndërkohë, paniku e bëri të veten midis qytetarëve. Ditët e kaluara, mjetet për higjienë dhe për dezinfektim janë blerë në masë, e disa madje kanë blerë edhe ushqime.

Po, është e vërtetë se mjetet për dezinfektim u shitën brenda natës. Është rritur edhe kërkesa për vitamina, ndërsa alkooli si mjet dezinfektues na u harxhua që nga java e kaluar – komenton shkupjania Jana, e punësuar një farmaci private .

Qeveria u apeloi tregtarëve që të mos abuzojnë me panikun akut midis qytetarëve duke i rritur çmimet e produkteve të caktuara.

 

BURSAT E “FUNDOSURA”, ÇMIMI I ARIT ARRIN KULMIN

Fillimi i vitit 2020 solli optimizëm për ekonominë globale – stabilizimi i marrëdhënieve tregtare midis SHBA-ve dhe Kinës dërgoi një sinjal pozitiv. Por, me një frymë të shkurtër. Shfaqja e virusit të koronës tashmë po depërton me pasoja për ekonominë botërore. Çmimi i arit, që zakonisht paraqet një “strehë” për investitorët, është rritur dhe ka arritur kulmin. Virusi korona dhe ndikimi në ekonomi u gjetën edhe në raportet dhe parashikimet e institucioneve financiare vendase.

Në fillim të janarit, pas përmirësimit të marrëdhënieve tregtare midis SHBA-ve dhe Kinës me nënshkrimin e ‘fazës së parë’ të marrëveshjes tregtare, pjesëmarrësit e tregut kishin pritshmëri pozitive për lëvizjet e ekonomive, e me këtë edhe të tregjeve financiare ndërkombëtare. Në gjysmën e dytë të muajit, ndodhi një ndryshim në pritjet për shkak të rreziqeve të intensifikuara rënëse për rritjen ekonomike globale me përhapjen e virusit korona nga Kina. Për ta mbrojtur vlerën e investimeve, investitorët reaguan përmes rritjes së investimeve në instrumente më të sigurta financiare, gjë që çoi në rritje të çmimeve të letrave shtetërore me vlerë, gjegjësisht në rënie të të ardhurave, një zhvlerësim të dollarit amerikan dhe rritje të çmimit të arit – thuhet në njërin nga vlerësimet më të fundit të Bankës Popullore.

Disa vende të rajonit kanë ndërmarrë masa parandaluese për të pasur ndikim të drejtpërdrejtë në segmente të caktuara të ekonomisë. Për shembull, të tre operatorët postarë në Bosnjë dhe Hercegovinë, për shkak të shfaqjes së koronavirusit, pezulluan plotësisht të gjitha dërgesat e rregullta me postë në Kinë, përveç dërgesave ekspres përmes shërbimit DHL.

Nëse ndodh një recesion i butë, ka të ngjarë që rritja e përgjithshme ekonomike në Bosnje dhe Hercegovinë të bjerë, e po ashtu do të zvogëlohen edhe aktivitetet e eksportit. Ulja e aktivitetit ekonomik do ta dëmtojë ekonominë në nivelin mikro, do ta dëmtojë besimin dhe do ta zvogëlojë numrin e transaksioneve ekonomike. Ndoshta në ditët e para do të ketë një rritje të konsumit, rritje të tatimeve indirekte dhe të ngjashme, por në planin afatmesëm kjo nuk sjell përfitime sepse i prish marrëdhëniet ekonomike – vlerëson analisti ekonomik, Admir Çavaliq për portalin boshnjak “Buka”.

Për momentin, udhëheqjet e institucioneve financiare ndërkombëtare nuk parashikojnë dëme të mëdha nga shfaqja e sëmundjes së të virusit korona, por prapëseprapë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë korrigjime (zvogëlime) minimale të parashikimeve. Në fakt, FMN-ja parashikimin e saj për rritjen e ekonomisë globale për këtë vit e zvogëloi për 0.1 përqind në 3.3% – si sinjal paralajmërues për rrezikun e koronavirusit.

Megjithatë, disa bankierë që menaxhojnë grupe të fuqishme bankare theksojnë se e ndjekin situatën në mënyrë të kujdesshme.

Konkretisht, presidenti i bankës UBS, Aksel Veber konsideron se rritja globale mund të ngadalësohet nga 3.5% në 0.5%, ndërsa ekonomia kineze madje mund edhe të bjerë në tremujorin e parë.

Rrezik shumë më i madh negativ paraqet fakti që virusi mund të mbetet problem për një kohë më të gjatë – tha ish-presidenti i Bundesbank-ës për  Bloomberg-un.

Përderisa bota i numëron rastet e vdekjeve dhe të infeksioneve – kapitali kërkon mënyra për t’u mbrojtur nga zhvlerësimi.

Investimi i fundit në ar është i nxitur nga shqetësimet për shkak të virusit të koronës – thotë eksperti i “Commerzbank”, Karsten Frish.

Ndjeshmëria dhe pasiguria që e solli shfaqja e koronavirusit e ka “çoi në tavan” çmimin e arit – me ç’rast një unc ari shitej për mbi 1.500 euro.  Investimet në ar janë trend i zakonshëm kur tregjet financiare dhe ato tregtare preken nga një rrezik i mundshëm që sjell pasiguri.

Çmimi i arit është në rritje, ndërsa i naftës në rënie. Konsumi i zvogëluar i naftës në Kinë tashmë i ka goditur kompanitë e mëdha të naftës. Një barel i naftës së lehtë amerikane shitej për 48.88 dollarë – çmimi më i ulët që nga janari i vitit 2019.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.