ANALIZË: Komunat e RMV-së po hyjnë në fushatën zgjedhore me borxh të papaguar prej gati 65 milionë eurosh

Фото: Мета.мк

Zgjedhjet lokale janë shpallur, autoritetet lokale në terren “punojnë” me paratë nga kredia hungareze. Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, komunat do të hyjnë me detyrime totale të prapambetura, por të papaguara që arrijnë në gati 65 milionë euro. Analiza ekonomike e kësaj jave e Portalb.mk tregon se borxhi është rritur si në terma tremujorë, ashtu edhe në ata vjetorë.

10 komunat me borxhin më të lartë të prapambetur dhe të papaguar…

Në listën e re të borxhlinjve të Ministrisë së Financave, Komuna e Gostivarit është e para në grupin e komunave me shumën më të lartë të borxhit prej gati 11,3 milionë eurosh, e ndjekur nga Komuna e Tetovës me detyrime të prapambetura dhe të papaguara prej 9,5 milionë eurosh, ndërsa në vendin e tretë me një borxh prej 5.5 milionë eurosh është Qyteti i Shkupit.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në fund të tremujorit të dytë, Komuna e Kavadarit raportoi një borxh prej 3,7 milionë eurosh, Komuna e Dellçevës 3,1 milionë euro, Komuna e Zhelinës 2,9 milionë euro, Komuna e Vasilevës, Komuna e Strumicës 1,8, si dhe Komuna e Strugës që raportoi borxh prej rreth 1,7 milionë eurosh, ndërsa komuna e dhjetë me borxh më të madh është Komuna e Karposhit me 1,6 milionë euro. Komunat e tjera kishin borxhe më të ulëta se 1,4 milion euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Borxhi total i bashkive në fund të qershorit arriti në 64,7 milionë euro dhe ai është rritur si në bazë tremujore, krahasuar me muajin mars të këtij viti, ashtu edhe në bazë vjetore, krahasuar me situatën në qershor të vitit të kaluar.

Dhe NP-të lokale me borxhe milionëshe…

Deri në fund të gjysmës së parë të këtij viti, borxhi i ndërmarrjeve publike komunale arriti në 107,601,000 euro, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është vënë re një ulje e ndjeshme e borxhit. Megjithatë, NP-të e themeluara nga komunat vazhdojnë të renditen lart në listën e borxhlinjve, duke u përfshirë në grupin e subjekteve me detyrimet më të mëdha të prapambetura, por të papaguara. 

Me një borxh prej 14,5 milionë eurosh, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup është “lider” në grupin e ndërmarrjeve publike më të zhytura në borxhe. Në vendin e dytë është NP “Ujësjellësi” – Kumanovë me një borxh të prapambetur dhe të papaguar prej gati 12 milionë eurosh, kurse në vendin e tretë është “NPT” – Shkup me një borxh të raportuar prej 9,9 milionë eurosh 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pothuajse nuk ka ndërmarrje publike komunale që nuk ka raportuar borxhe të prapambetura, por të papaguara, të cilat në shumë raste arrijnë në miliona euro. Kështu, sipas shumës së borxheve, në listën e borxhlinjve lart renditen edhe NPK – Tetovë me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerën prej 6,8 milionë euro, NP “Ujësjellësi” – Ohër me 5,7 milionë euro, NP “Higjiena Komunale” – Shkup me një borxh prej 5,6 milionë eurosh, NP “Komunalec” – Strumicë me 5,5 milionë euro, NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi” – Kumanovë me një borxh prej 4,2 milionë eurosh, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Strugë që ka borxh prej 4 milionë euro dhe NP “Komunalec” – Gostivar me një borxh prej 3,7 milionë euro. Të gjitha këto NP renditen në 30 subjektet me borxhe më të mëdha nga gjithsej 900 subjekte që janë përfshirë në listën e re të borxhlinjve.

Komunave dhe ndërmarrjeve publike lokale, përveç borxheve aktuale, tashmë po u “trokasin” në dyer edhe detyrime të reja milionëshe që do të maturojnë së shpejti. Në prag të zgjedhjeve lokale, autoritetet lokale kanë filluar tashmë fushatën e tyre “joformale”, e jo rrallë, gjatë promovimit të projekteve, në prani të kryetarëve të komunave ka edhe përfaqësues të pushtetit ekzekutiv. Projektet kryesore përpara zgjedhjeve lokale do të mbështeten në paratë nga kredia hungareze, për të cilat pati shpallje për aplikime në dy raste.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.