ANALIZË: Gjendja pronësore e deputetëve nga blloku politik maqedonas

 

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Portalb.mk i publikon të dhënat për gjendjen pronësore të deputetëve, mandati i të cilëve përfundoi me shpërbërjen e përbërjes së nëntë parlamentare. Këto të dhëna janë të rëndësishme sepse 30 ditë pas përfundimit të mandatit, tashmë ish-deputetët janë të detyruar të dorëzojnë Fletë të re anketuese deri te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dhe më pas do të mund të bëhet krahasim i gjendjes pronësore dhe të shihet se sa janë “pasuruar” ose ndoshta janë “varfëruar” deputetët gjatë mandatit të tyre parlamentar. Në këtë vazhdim të “Analizës” publikojmë të dhëna për deputetët e bllokut politik maqedonas.

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

Në gjendjen e fundit të raportuar pronësore, tani më ish-deputetja Jagoda Shahpaska nga radhët e LSDM-së, ka shënuar disa prona të patundshme, por për disa prej tyre nuk është shënuar vlera e vlerësuar. Në emër të bashkëshortit të saj, ajo ka raportuar një garazh me vlerë 170,000 denarë, dy parcela tokë bujqësore për të cilat nuk është specifikuar shuma, një banesë dhe një shtëpi me vlerë të përgjithshme të vlerësuar prej 92,000 eurosh. Si pronë personale, por pa e specifikuar shumën, Shahpaska ka raportuar se posedon dy banesa në Manastir, një automobil, objekte ndihmëse, hapësira ndihmëse, tokë nën objekt, oborr dhe garazh. Në emër të bashkëshortit të saj, ajo ka raportuar kredi në vlerë prej 1,6 milion denarësh. Sipas Fletës anketuese, Shahpaska pronën personale  e ka fituar me trashëgimi.

Tokë, shtëpi, aksione, depozita – Fleta aktuale anketuese e deputetit të deritanishëm të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski tregon se ai vjen nga një “familje e pasur”. Si pronë personale, Dimovski ka raportuar se posedon dy parcela tokë me vlerë prej rreth 13,400 eurosh, dy vetura me vlerë të vlerësuar prej 33,300 eurosh, aksione në vlerë prej 75,000 denarësh, një llogari kursimi për të cilën nuk ka dhëna dhe kredi për të cilën po ashtu nuk ka të dhëna, dhe shtëpi pushimi me vlerë prej 58,500 eurosh. Prindërit e Dimovskit, gjegjësisht familja e tij, posedon edhe dy parcela të tjera toke, dy shtëpi dhe një banesë me vlerë të përgjithshme të vlerësuar prej rreth 37,000 eurosh, ndërsa në emër të prindërve ka raportuar edhe aksione, llogari kursimesh, veturë dhe veprimtari bujqësore. Llogari kursimesh është raportuar edhe në emër të motrës së Dimovskit.

Shtëpi prej 140 m2 në Kavadar me vlerë të raportuar prej 156,000 eurosh – vetëm kjo është shënuar si pronë personale në Fletën anketuese të ish-deputetit Panço Minov. Çdo gjë tjetër është në emër të gruas ose fëmijëve të tij, e kështu familja e Minovit posedon: banesë prej 96 m2 në Shkup, me vlerë 7,7 milion denarë, dy vetura, aksione, kredi, kompani dhe hua, ndërsa në emër të prindërve ka raportuar vresht me sipërfaqe prej 7,300 m2.

Ish deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshoski, në Fletën e anketuese ka raportuar se në emër të fëmijëve ka banesë në Gjermani me vlerë prej 3 milion denarësh, pronë të përbashkët – banesë me garazh dhe bodrum, kompensim mujor për fëmijën e tretë në vlerë prej 8,500 denarësh, ndërsa si pronë personale në Fletën anketuese, Miloshoski ka raportuar se posedon kamatë nga depozitat, qira mujore, kompensim si shef i misionit të monitorimit në vlerë prej 1.2 milion denarësh, po ashtu ka realizuar të ardhura prej pothuajse 3 milion denarësh si rezultat i shitjes së një banese, ka raportuar se posedon edhe kursim në llogarinë e transaksionit dhe të ardhura nga qiraja e banesës në Gjermani. Familja gjithashtu ka një kredi prej 80,000 eurosh.

Koordinatori i deritanishëm i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski, në emrin e tij ka raportuar vetëm një kredi prej 600,000 denarësh dhe aksione në vlerë prej 318,000 denarësh. Në emër të prindërve dhe të bashkëshortes, në Fletën aktuale anketuese ka raportuar tokë dhe tokë ndërtimore në Strugë, shtëpi prej 243 m2 me vlerë prej 4.5 milion denarë në Strugë, një shtëpi pushimi prej 130m2 me vlerë të vlerësuar prej 600,000 denarësh, një vresht, dy vetura, depozitë në denarë prej 420,000 denarësh dhe kredi.

Në Fletën anketuese të ish-deputetit Emil Dimitriev le përshtypje koleksioni i armëve që e posedon ai. Ish-deputeti i VMRO-DPMNE-së posedon armë të kalibrit të ndryshëm me vlerë prej pothuajse 8,000 eurosh, sende artistike dhe koleksione në vlerë prej 200,000 denarësh, banesë prej 107 m2 në Shkup me vlerë të vlerësuar prej 130,600 eurosh. Prindërit e Dimitrievit posedojnë tokë bujqësore me vlerë prej 3 milion denarësh, shtëpi me vlerë prej 6 milion denarësh, e po ashtu janë raportuar edhe dy pensione. Gruaja e Dimitrievit posedon stoli me vlerë prej 150,000 denarësh, 400,000 denarë kursime dhe rrogë.

Në librezën e kursimit ka 1,300 euro, kredi prej 600,000 denarësh dhe një kartë krediti me 32,000 denarë – këtë e ka raportuar si pronë personale ish-deputetja Mira Sojçevska nga LSDM-ja. Në emër të burrit dhe të ijëve të saj, Stojçevska ka raportuar: shtëpi prej 162m2 në Dellçevë, shtëpi me oborr dhe tokë bujqësore, banesë prej 33m2 në Shkup, dy vetura, rrogë dhe kartë krediti.

Ish-deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Llasovska në Fletën aktuale anketuese në emër të burrit të saj ka raportuar banesë në Sveti Nikole me vlerë prej 400,000 denarësh dhe dy vetura me vlerë prej 156,000 denarësh. Llasovska në emrin e saj posedon shtëpi prej 131m2, hapësira ndihmëse, dy parcela tokë bujqësore, dhe përveç kësaj edhe tokë dhe tokë nën objekt, oborr, veturë dhe kartë krediti.

Ish-deputetja nga radhët e Partisë Socialiste, Vlladanka Aviroviq në emër të saj ka raportuar vetëm stoli me vlerë të vlerësuar prej 180,000 eurosh dhe pronë të përbashkët – sende artistike dhe koleksione në vlerë prej 130,000 denarësh. Në emër të fëmijëve dhe të burrit, ka raportuar një shtëpi në ndërtim prej 156 m2 në Shkup, një shtëpi me oborr prej 140 m2 me vlerë 7 milion denarë në Shkup, katër vetura dhe dy kredi.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.