ANALIZË: Dreka në restorant “luks”, rritje dramatike e çmimeve në industrinë përpunuese të RMV-së!

Фото: meta.mk

Nuk ka pothuajse asnjë sektor, biznes, aktivitet, shërbim ku nuk janë rritur çmimet përfundimtare për qytetarët. Në shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, indeksi i çmimeve në hotelieri është rritur për 17,6%, indeksi i çmimeve të produkteve finale në industrinë përpunuese është rritur për 25,8%. Rritje dramatike e çmimit të disa produkteve bujqësore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rritje dramatike e çmimeve në industrinë përpunuese, restorante…

Çmimet e ushqimeve në markete ndryshojnë, gjegjësisht rriten për çdo ditë. Qytetarët u ankuan se i njëjti produkt në dyqane të ndryshme shitet me diferencë çmimi prej 10, 20 denarësh – që tregon se në kushte të tilla të krizës ekonomike në treg, thjesht po “luhet” me çmimet.  Ushqimi më i shtrenjtë në dyqane, në tregjet e gjelbra, por edhe në restorante.

“Një drekë në restorant po bëhet luks. Nëse para disa muajsh paguanim maksimum 1.200 denarë për dy persona për një drekë modeste, tani të njëjtën e paguajmë 1.800 denarë, janë shtrenjtuar shumë, edhe ushqimi edhe pijet” – thotë një shkupjan.

Në shtator, u regjistrua një nga përqindjet më të larta të rritjes së çmimeve në hotelieri – vetëm indeksi i çmimeve të ushqimeve që shërbehen në restorante dhe në objekte të tjera hotelierike është rritur për 23,1% krahasuar me shtatorin e vitit 2021.

Të dhënat, si dhe gjendja reale në këtë sektor tregojnë se në restorante çdo gjë është më e shtrenjtë – ushqimi, pijet, ndërsa rritje më të madhe sipas indeksit të çmimeve ka te ëmbëlsirat prej gati 35%. Por, çmimet në hotelieri nuk janë rritur vetëm në bazë vjetore, por edhe mujore – konkretisht, vetëm në shtator krahasuar me gushtin, indeksi është rritur për 16%.

Hotelieria është vetëm një nga aktivitetet përfundimtare ku u përhap rritja e çmimeve nga industria – pothuajse nuk ka prodhues vendas që nuk i ka rritur çmimet e produkteve finale.

Konkretisht, në industrinë përpunuese, e cila përfshin prodhimin e produkteve ushqimore, pijeve, veshjeve, metaleve, kimikateve, në gusht të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, indeksi i çmimeve të shitjes u rrit për një përqindje fantastike prej 22%.

Rritje dramatike të çmimeve ka edhe te industria e rëndë ku, për shembull, indeksi i çmimit përfundimtar të produkteve metalike të fabrikuara është rritur për 80,8%, në prodhimin e metaleve për 16%, ndërsa në prodhimin e makinerive dhe pajisjeve për 16,5%.

Sipas prodhuesve, çmimet e tilla janë pasojë e rritjes së çmimeve, në radhë të parë të energjisë, por edhe e rritjes së çmimeve të lëndëve të para për prodhim. Në gusht të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, indeksi i çmimeve të shitjes është rritur për 51.1%.

Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore…

As bujqësia nuk mbeti imune ndaj presionit të çmimeve, por sipas të dhënave – në këtë sektor është shënuar një përqindje më e ulët e rritjes së indeksit të çmimeve, edhe pse shpenzimet e tyre janë rritur ndjeshëm, madje disa degë bujqësore po punojnë me humbje. Në gusht, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, indeksi i shpenzimeve në bujqësi është rritur për 22,6%, ndërsa indeksi i çmimit final të produkteve është rritur për 11,6%. Rritje më të lartë të çmimeve, ka te drithërat, orizi dhe patatet.

Edhe pse disa nga fermerët i shesin produktet e tyre dhe lëndët e para me humbje – përmes blerësve, përpunuesve e deri te marketet, produktet e tyre shiten me çmime dukshëm më të larta.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.