ANALIZË: Buxheti i FSPIM-së në RMV i kaloi 2 miliardë euro, kurse i FSSH-së pothuajse 870 milionë euro
Dy fondet më të mëdha shtetërore, FSPIM-ja dhe FSSH-ja, vitin e ardhshëm do të kenë buxhete më të mëdha, më shumë para për të shpenzuar, por presin edhe rritje të të ardhurave në arkat e fondeve në bazë të mbledhjes së kontributeve. Vetëm për pagesën e pensioneve, vitin e ardhshëm krahasuar me këtë vit, shuma rritet për 16,6%. Shpenzimet e FSPIM-së në bazë të pagesës së përfitimeve sociale, ku përfshihen edhe pensionet, vitin e ardhshëm do të rriten për 284 milionë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Fondi për Sigurim Shëndetësor
Sipas të dhënave nga Buxheti për vitin 2025, harxhimet, përkatësisht shpenzimet e Fondit për Sigurim Shëndetësor vitin e ardhshëm do të jenë 867,8 milionë euro, që është për 84,3 milionë euro më shumë se sivjet. Zëri më i lartë prej 764,1 milionë euro është “shërbimet kontraktuale” që i mbulojnë kontratat dhe detyrimet financiare të FSSHM-së me institucionet shëndetësore publike dhe private.
Nga ana e të hyrave, FSSHM-ja pret një hyrje prej 799,6 milionë eurosh nga arkëtimi i kontributeve. Sipas parashikimeve të qeverisë, të ardhurat nga arkëtimi i kontributeve për sigurim shëndetësor vitin e ardhshëm do të rritet për 9% krahasuar me këtë vit. Nga ana tjetër, vitin e ardhshëm transferimet në këtë fond nga buxheti shtetëror do të jenë 118,2 milionë euro, që është për 3 milionë euro më pak se këtë vit. Nga buxheti total i FSSHM-së në vitin 2025, 854,1 milionë euro do të jenë për “mbrojtje shëndetësore”.
“Mbrojtja shëndetësore është planifikuar në nivel prej rreth 52,5 miliardë denarë, mjete që do të realizohen përmes FSSH-së, shumica e mjeteve të planifikuara janë të dedikuara për financimin e shërbimeve shëndetësore dhe pagesën e obligimeve të institucioneve publike shëndetësore”- thuhet në buxhet.
Fondi për Sigurim Pensional
Fondi për Sigurim Pensional është institucioni me buxhetin më të madh në nivel shtetëror. Vitin e ardhshëm, FSPIM-ja do të ketë nivel rekord të lartë historik të shpenzimeve, që për herë të parë do të kalojnë vlerën prej 2 miliardë euro. Sipas projeksioneve të reja buxhetore, në vitin 2025, krahasuar me këtë vit, shpenzimet e këtij fondi do të rriten për 285 milionë euro.
Zëri më i lartë i shpenzimeve prej 1,7 miliardë euro janë pensionet, të cilat përfshihen në zërin “përfitimet sociale”, i cili peshon 2,17 miliardë euro dhe është për 284,3 milionë euro më i lartë se këtë vit.
“Për pagesën e pensioneve janë planifikuar 105,5 miliardë denarë (1,7 miliardë euro), duke përfshirë edhe efektin e rritjes lineare të pensionit për secilin pensionist nga 2.500 denarë duke filluar nga marsi i vitit 2025, me qëllim që të mundësohet një standard i denjë jetësor për pensionistët” – thonë nga Ministria e Financave.
Shuma për pagesën e pensioneve vitin e ardhshëm krahasuar me këtë vit është rritur për madje 16,6%. FSPIM-ja vitin e ardhshëm, siç ka bërë të ditur tashmë “Portalb”-i, do të ketë rritje të shpenzimeve për dy baza, rritjes së pensioneve dhe rritjes së numrit të pensionistëve. Edhe për këtë fond shtetëror, qeveria parashikon rritje të të ardhurave, kryesisht në bazë të kontributeve, të cilat janë burimi kryesor i hyrjeve buxhetore në arkën e fondit. Konkretisht, përmes zërit të të hyrave tatimore, vitin e ardhshëm pritet një hyrje prej 1,3 miliardë eurosh, që është për 148,7 milionë euro më shumë se sa këtë vit.
Fondi për Sigurim Pensional vitin e ardhshëm nga buxheti do të marrë 787 milionë euro, që është për një shumë fantastike prej 130,7 milionë euro më shumë se këtë vit.
FSPIM-ja dhe FSSHM-ja janë dy fondet më të rëndësishme shtetërore që ofrojnë shërbime për të gjitha kategoritë e qytetarëve të të gjitha grupmoshave – të punësuarit, të papunët, pensionistët, pacientët. Të dy fondet “mbështeten” në transferimet shtetërore. Për dekada, ekonomistët kanë vënë në dukje nevojën e konsolidimit të financave të këtyre fondeve për të siguruar qëndrueshmëri.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari