ANALIZË: 50 milion euro për zhvillimin e komunave në tre vjet – a i shpenzuan ato paratë dhe si?

Фото: portalb.mk

Ajër më i pastër, rrjet më i mirë i furnizimit me ujë dhe i kanalizimeve, rrugë… Shuma milionëshe transferohen nga niveli qendror në atë lokal për çdo vit. Në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2019, gati 50 milion euro janë transferuar nga niveli qendror tek komunat për programe dhe projekte për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Këto janë shuma të larta të alokuara për investime kapitale, të cilat sipas revizorëve meritojnë një nivel të lartë transparence në mënyrën e shpenzimit. Revizorët i shqyrtuan këto dotacione dhe ngritën një numër pyetjesh në lidhje me kontrollin dhe përgjegjësinë për shpenzimin e shumave milionëshe, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

“Analiza e transferimeve të realizuara të mjeteve për investime kapitale në komuna tregon se shumica e mjeteve janë dhënë në vitin 2019 – 11,7 milion euro. 88% e tyre janë dhënë për përmirësimin e mjedisit jetësor, për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, për blerjen e kondicionerëve inverter. Mjete të konsiderueshme ose 9.5 milion euro janë dhënë në vitin 2017 – rreth 95% e tyre janë paguar në bazë të marrëveshjeve të lidhura për mbështetjen financiare të zhvillimit rural për vitin 2015” – theksojnë revizorët.

Paratë nga niveli qendror në atë lokal vijnë përmes disa kanaleve. “Portalb”-i analizon në detaje se përmes cilave institucione sa para janë dhënë dhe si janë shpenzuar.

Dotacionet kapitale Qeveria – 14.5 milion euro:

– në vitin 2019 nëntë komuna morën 10,4 milion euro për blerjen e kondicionerëve inverter me qëllim të zëvendësimit të sistemeve ekzistuese jo-ekologjike të ngrohjes. Komunat janë të detyruara t’i paraqesin një raport Qeverisë.

-Në vitin 2018, komunës së Tetovës iu miratuan 227 552 euro për pastrimin dhe asgjësimin e mbeturinave komunale në afërsi të f. Falisht – Tetovë. Nuk është lidhur marrëveshje sepse në Vendim nuk është paraparë një gjë e tillë. Komuna duhet të dorëzojë raport – Qeveria duhet ta kontrollojë shpenzimin e parave për qëllimin e dedikuar.

– Tri komuna morën nga Qeveria gjithsej 1,3 milion euro  për furnizimin me ujë në Probishtip, ndërtimin e tregut të mbyllur në Veles dhe qendrës për paraglajding në Krushevë.

Lidhur me paratë e qeverisë – revizorët theksojnë:

“Revizionit nuk i jjanë dhënë raporte nga shfrytëzuesit e mjeteve në bazë të të cilave Qeveria duhet ta monitorojë shpenzimet e mjeteve për qëllimet e dedikuara.”

Dotacionet kapitale – Ministria e Vetëqeverisjes Lokale 7,2 milion euro:

– Shumica ose 5,5 milion euro për ndërtimin e Sheshit “Skender Beu”

– Zhvillimi i barabartë rajonal 1,7 milion euro

Në projektin “Sheshi Skender Beu”, revizorët vënë në dukje dobësi në lidhje me dinamikën e ndërtimit, por edhe transferimin e mjeteve nga Ministria në llogarinë e njësisë së vetëqeverisjes lokale pa miratuar një Program qeveritar për përdorimin e atyre parave në vitin 2014, kur filloi edhe faza e dytë. Dotacionet e përgjithshme kapitale për Sheshin “Skender Beu” arrijnë në 12,4 milion euro. Mirëpo, sipas revizorëve në vitin 2019, faza e tretë për realizimin e gjithë projektit nuk ka filluar ende, gjë që tregon për shkelje të mëtejshme të afateve. Përndryshe projekti ka filluar në vitin 2011.

Grantet kapitale – Byroja për Zhvillimin Rajonal

Përmes BZhR-së, komunat marrin para për financimin e projekteve për zhvillimin e fshatrave dhe për projekte për zhvillimin e zonave specifike të zhvillimit.

– Vendimet e Qeverisë për ndarjen e mjeteve janë marrë me vonesë për shkak të së cilës është vonuar edhe realizimi i projekteve, janë lidhur anekse të kontratave.

“Në vitin 2018 dhe 2019 për zhvillimin e fshatrave dhe zonave me nevoja specifike të zhvillimit janë lidhur 145 marrëveshje me komunat në vlerë totale prej 2,6 milion euro, nga të cilat për 49 marrëveshje janë lidhur edhe aneks marrëveshje, në bazë të të cilave janë paguar me paradhënie rreth 42% e shumës totale të kontratave të lidhura. “Pagesa me paradhënie e të gjitha mjeteve para kryerjes së punëve të parashikuara me kontrata krijon rrezik që mjetet për investime kapitale të përdoren për qëllime të tjera” – deklarojnë revizorët.

Nga viti 2017 deri në vitin 2019, janë lidhur 186 kontrata me vlerë 3,7 milion euro për zhvillimin e fshatrave dhe zonave specifike, nga të cilat 2 milion euro ishin përmes BZhR-së, ndërsa pjesa tjetër përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.

Transferimet kapitale  Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi

Përmes kësaj Agjencie, për dotacione kapitale u transferuan 12.6 milion euro për gjithsej 162 projekte në 65 komuna në vend – mjete të destinuara për ndërtimin e qasjes në tokë bujqësore dhe në monumente në zonat rurale, për rrugë lokale, për rindërtime, për zona të gjelbra.

Edhe këtu janë vërejtur dobësi – kryesisht lidhja e vonuar e kontratave për shkak të numrit të madh të aplikacioneve dhe procedurave të gjata administrative.

“Për shkak të kësaj, në disa raste marrëveshjet me shfrytëzuesit për dhënien e mjeteve lidhen madje edhe dy vjet pas shpalljes së thirrjes publike. Nga mjetet totale të transferuara, 5% janë paguar në bazë të kontratave të lidhura sipas programit për vitin 2013, 86% janë paguar në bazë të kontratave për vitin 2015, një përqindje e papërfillshme prej 1% janë paguar për vitin 2016 dhe 8% për vitin 2018”- thonë revizorët.

Grantet kapitale – Ministria e Mjedisit Jetësor 4.7 milion euro

Madje 42% e totalit prej 4,7 milion eurove përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor në periudhën e analizuar ishin destinuar për “Përmirësimin e mjedisit jetësor” – para që komunat i kanë marrë për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe përgatitjen e sistemeve të kanalizimeve dhe sistemeve për përcjelljen dhe pastrimin e ujërave të ndotura.

Përmes Programit të Investimeve në Mjedisin Jetësor deri në korrik të vitit 2020, janë realizuar 86% e investimeve të planifikuara, ndërsa përmes Programit për Mbrojtjen e Ujërave, realizimi i projekteve është 79%.

Përveç këtyre, edhe ministri dhe institucione të tjera janë përgjegjëse për transferimin e dotacioneve kapitale tek komunat. Revizorët në fund konkludojnë:

“Për menaxhimin e transferimeve kapitale tek NJVL-të nga Buxheti, nuk janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme nga institucionet kompetente”

Analiza tregon se edhe në nivelin lokal ka problem me realizimin e shpenzimeve kapitale të premtuara, kështu që në vitin 2017 ato u realizuan me 40% krahasuar me planin, në vitin 2018 realizimi ishte 41%, ndërsa në vitin 2019, 60%.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.