ANALIZA: Revizioni në Komunën e Gostivarit – Ura mbi lumin Vardar, pa pranim teknik!

Në përputhje me angazhimin për raportim profesional dhe jo selektiv, Portalb.mk, përveç të gjitha raporteve të revizionit të publikuara më parë për punën e autoriteteve lokale, publikon edhe analizën kushtuar gjetjeve nga revizioni i kryer në komunat e Strugës dhe Gostivarit.

 

Shkruan: Aneta Dodevska 

 

2 MILION EURO DETYRIME NDAJ FURNITORËVE 

Revizorët kanë shprehur mendim të pafavorshëm ose të përmbajtur për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare për punën e komunës së Gostivarit në vitin 2018.

Rrezik nga pagesa e mjeteve në bazë të dokumenteve të panënshkruara dhe të pamiratuara të kontabilitetit, regjistrim jo i plotë dhe jo cilësor në lidhje me tokën, ndërtesat, pasuritë materiale, alokimin e mjeteve për klubet sportive me kërkesë të klubeve, pa procedurë për mbështetje financiare dhe konkurse të shpallura publike – këto janë një pjesë e gjetjeve të vërejtura nga revizioni shtetëror në raportin për punën e komunës së Gostivarit.

Pjesa më e madhe e fondeve nga llogaria e transfereve për klubet sportive në vlerë prej 91.000 euro janë paguar për klubin e futbollit “Gostivari”, gjegjësisht klubin e basketbollit “Gostivari”, të cilat janë SH.A. në pronësi private. Mjetet janë paguar në bazë të Vendimeve të Këshillit për dhënien e ndihmës financiare në vlerë të përgjithshme prej 52.800 euro, gjegjësisht janë paguar më shumë nga se shuma e  miratuar prej 38.200 euro. Revizionit nuk i është prezantuar ndonjë akt me shpjegim se pse Këshilli kishte vendosur të ndajë mjete më shumë se shuma e parashikuar në Program – thuhet në raport

Më pas shtohet:

Realizohen pagesa sipas dokumenteve të kontabilitetit pa u nënshkruar dhe aprovuar nga persona të autorizuar. Kjo situatë është në kundërshtim me nenet e rregullativës pozitive ligjore dhe krijon rrezikun e përdorimit të paligjshëm dhe joadekuat të fondeve buxhetore”  – thuhet në raportin e revizionit që e adreson gjithashtu edhe çështjen e punësimit në nivelin lokal.

Po ashtu, revizorët konstatuar:

Disa nga personat e punësuar përmes Agjencisë për Punësime të Përkohshme janë të angazhuar vazhdimisht për kryerjen e detyrave të njëjta për një periudhë të gjatë, gjë që nuk është në përputhje me disa dispozita ligjore. Plani për punësim në vitin 2018 ka marrë miratimin nga MSHIA-ja, por për shkak të miratimit jo në kohë të buxhetit për vitin 2018, komuna nuk ka arritur ta realizojë procedurën për punësimin e personelit të nevojshëm në marrëdhënie të rregullt pune – konstaton revizioni.

Për më tepër, vërehet se nuk është përgatitur raport financiar – Bilanci i gjendjes në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore dhe nuk është bërë identifikimi, vlerësimi dhe regjistrimi i një pjese e pronës sipas bilancit të ndarjes. Revizorët raportojnë se në fund të vitit 2018 në emër të “detyrimit ndaj furnitorëve” është raportuar saldo prej 2 milion eurosh. Nga 20 kompanitë të cilave u ka borxh komuna, vetëm gjashtë e kanë konfirmuar shumën, ndërsa tre kanë raportuar mospërputhje për 1.500 euro.

 

URA MBI VARDAR NË GOSTIVAR PA PRANIM TEKNIK – EKZISTON RREZIK GJATË SHFRYTËZIMIT? 

Një nga projektet më të rëndësishëm dhe strategjik për Gostivarin, i zbatuar përmes një kredie në bankë vendase prej gati 390.000 euro, është ndërtimi i urës mbi lumin Vardar në Gostivar. Në vitin 2015, Ministria e Financave e miratoi këtë hua. Pas një procedure të hapur të prokurimit publik për shumën 380.000 euro, në vitin 2016 u zgjodh ofertuesi më i favorshëm me të cilin u nënshkruar kontrata.

Me inspektimin e dokumentacionit u konstatua se operatorët ekonomikë kanë dorëzuar garanci për ofertën prej 3%, ndërsa garancia bankare për realizimin cilësorë të punëve prej 10% me ofertuesin e zgjedhur nuk ishte prezantuar, që nuk është në përputhje me nenin 48 të Ligjit për Furnizime Publike – konstatohet në raportin e revizionit.

Për punët e realizuara janë paguar mjete në vlerë 273.000 euro me TVSH, për detyrimet pas aktivitetit të parë dhe të dytë të ndërtimit që përfshijnë 60.85% të vlerës së kontratës. Aktiviteti i tretë i ndërtimit në vlerë prej 102.000 euro nuk është paguar, ndërsa për aktivitetin e katërt dhe të pestë përfundimtar ka kontest, gjegjëshit nuk janë nënshkruar nga Mbikëqyrësi për shkak të punimeve jo cilësore të kryera. Në prill të vitit 2017 në prani të përfaqësuesve të komunës, kontraktuesit dhe autoritetit mbikëqyrës në vend u përfundua se vërejtjet nuk kishin asnjë ndikim në qëndrueshmërinë statike dhe dinamike të objektit, dhe me këtë ura u lëshua në përdorim të përkohshëm me detyrimin për t’i eliminuar vërejtjet brenda një kohe të caktuar.

Në prill të vitit 2017 u lëshua në përdorim ura mbi lumin Vardar në komunën e Gostivarit, megjithëse nuk ishte bërë asnjë inspektim teknik i ndërtimit, që nuk është në përputhje me dispozitat e Ligjit për Ndërtim. Për këtë ka proces gjyqësor në të cilin komuna është paditur nga kontraktuesi për borxhet e papaguara. Për shkak se bëhet fjalë për procedurë gjyqësore e cila zhvillohet para gjykatave kompetente, deri në ditën e revizionit rezultati përfundimtar i procesit gjyqësor nuk dihet – konstatojnë revizorët dhe paralajmërojnë se pa pranimin teknik dhe miratim për përdorim mund të ketë rreziqe të paparashikuara për ndërtimin, por edhe për personat që e përdorin atë.

Për punimet e kryera në lidhje me investimet kapitale dhe riparimet në periudhën 2015-2018 në vlerë prej 344.000 euro, revizionit, siç thuhet në raport, nuk i është dorëzuar dokumentacion i plotë si mbështetje për punën e kryer – libri i ndërtimit, ditari i ndërtimit, raporti përfunduar i mbikëqyrjes.

Në fund të shtatorit të këtij viti, personi përgjegjës, kryetari i komunës, Arben Taravari, ka paraqitur vërejtje ndaj propozim-raportit të revizorëve. Vërejtjet janë shqyrtuar dhe revizorët informojnë se ato nuk paraqesin vërejtje, por njoftim për veprimet e ndërmarra për tejkalimin e tyre.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .